“Vijat e Kuqe” për Vuçiqin/ Salihaj: Loja me zjarr tash ka filluar ta frikësojë edhe atë vetë
Në Durrës u mbajt Samiti i Bërdo-Brionit, ku u takuan liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pjesë e këtij takimi ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë këtij samiti, Presidentja Osmani ka parashtruar akuza ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke deklaruar se ai tentoi “të prishte takimin” dhe iu drejtua pjesëmarrësve me “ofendime dhe arrogancë”.
“…natyrisht që për çdo propagandë që Vuçiçi synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, argumente në anën e së drejtës dhe argumente të cilat janë fuqizuar e mbështetur edhe nga e drejta ndërkombëtare, nëpërmjet mendimeve të GJND-së”, ka deklaruar Osmani.
Lidhur me këtë çështje, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka përdorur gjithmonë retorikë lufte dhe qëndrim shovinist, veçanërisht kundër shqiptarëve, që nga kohët e luftërave në Kroaci dhe Bosnje.
Ai ka shtuar se kjo retorikë tashmë është demaskuar dhe ka humbur efektin që kishte më parë, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po ia tregojnë gjithnjë e më qartë “vijat e kuqe”.
“Vuçiqi e ka përdorur retorikën e luftës prej se është në politikë, që nga lufta e Kroacisë dhe Bosnjës, gjithmonë kundër popujve përreth. Ai gjithmonë ka manifestuar një frymë radikale shoviniste, veçanërisht kundër nesh, shqiptarëve. Por, retorika luftënxitëse e Vuçiqit tashmë është demaskuar dhe zhvlerësuar plotësisht, kështu që edhe SHBA-të, edhe BE-ja, gjithnjë e më shumë ia përmendin vijat e kuqe. Loja e Vuçiqit me zjarr tash ka filluar ta frikësojë edhe atë vetë, sepse Serbia, si shtet, asnjëherë nuk ka bërë ndonjë luftë të vërtetë kundër një ushtrie të vërtetë të një shteti të konsoliduar”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Salihaj e ka përmendur edhe deklaratën e Vuçiqit për luftë.
“Serbët kanë “luftuar” si “heronj” kundër popullatave civile, duke masakruar civilë të paarmatosur, gra e fëmijë, deri edhe foshnje të posalindura, apo edhe të palindura, në barkun e nënës. Tash ai po thotë se askush nuk po flet për bisedime, të gjithë po flasin për luftë. Në këtë zjarr të madh mund të digjen shumë shtete, pra edhe Serbia. Në një luftë eventuale të madhe, nuk do të shpëtojë as Serbia pa pasoja serioze. Pra, ai, duke luajtur me zjarr, ka filluar edhe vetë të frikësohet nga ky zjarr”, ka theksuar ai.
Në fund, Salihaj ka deklaruar se Vuçiqi tashmë nuk merret më seriozisht nga askush.
Edhe pse sjelljet e tij mbeten të njëjta, reagimet ndaj tij kanë ndryshuar, duke përfshirë qëndrimin e qartë të Presidentes Osmani.
“Tashmë Vuçiqin nuk e merr askush seriozisht. Kriza në Serbi dhe përkrahja ndaj Rusisë kanë bërë që ai të jetë gjithnjë e më i izoluar dhe i injoruar, gjë që vërehet qartë në takimet multilaterale.
Sjelljet e tij në takimet e Bërdo-Brioneve janë të njëjta me ato të viteve të kaluara, por tash kanë ndryshuar përgjigjet ndaj këtyre sjelljeve. Ai po merr përgjigjen e duhur nga të gjithë, veçanërisht nga Presidentja Osmani.
I vetmi shtet në Ballkan që mund të shkaktojë luftë është Serbia. Ne duhet ta kemi parasysh këtë”, ka përfunduar Salihaj.