Garë e nxehtë politike mes LVV-së dhe LDK-së në zgjedhjet e 12 tetorit, ja parashikimet për disa komuna
Me mbetjen e më pak se një jave deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale, skena politike në Kosovë ka hyrë në fazën më të nxehtë të garës.
Pritjet për rezultate janë të ndryshme nga komunë në komunë, ndërsa analistët vlerësojnë se këto zgjedhje do të shërbejnë si test i rëndësishëm për matjen e forcës reale të partive politike dhe për trendin e rikthimit ose rënies së “bastioneve” tradicionale.
Përveç përplasjes për pushtet lokal, këto zgjedhje shihet se do të kenë edhe peshë politike në nivel qendror, pasi rezultati i tyre mund të ndikojë në raportet e forcave politike dhe në orientimin e dinamikave të ardhshme të skenës politike në vend.
Deri më 12 tetor, kur qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit, pritet që fushata të intensifikohet edhe më tej, me theks të veçantë në komunat ku balanca e forcave mbetet e brishtë.
Arifi: Pres që të jetë një lloj vazhdimësie e raportit ekzistues të forcave politike në nivel lokal
Avni Arifi, njohës i politikës, vlerëson se zgjedhjet janë më monotone dhe me interesimin më të ulët qytetar që nga paslufta, duke mos pritur ndonjë befasi të madhe në rezultate.
ImageAvni ArifiFoto galeri
Ai parashikon vazhdimësi të raporteve aktuale politike në nivel lokal, megjithëse lë hapësirë për ndonjë ndryshim të papritur nga disponimi i votuesve.
“Këto kanë qenë zgjedhjet më monotone dhe me interesimin më të vogël qytetarë që unë mbaj mend që nga paslufta. Kësisoj nuk pres shumë befasi në rezultate edhe pse kurrë nuk i dihet disponimit qytetarë
Pres që të jetë një lloj vazhdimësie e raportit ekzistues të forcave politike në nivel lokal”, shprehet Arifi.
Mehmeti: Balotazhi, përcaktues në disa komuna
Kurse, analisti Faton Mehmeti vlerëson se me afrimin e zgjedhjeve lokale, gara politike në Kosovë është intensifikuar dhe po karakterizohet nga rivaliteti mes partive tradicionale dhe atyre që synojnë të forcojnë pushtetin lokal.
Sipas tij, PDK mbetet e fortë në komuna si Drenasi, Ferizaj, Mitrovica dhe Skenderaj, megjithëse për herë të parë po përballet me sfida të brendshme dhe kandidatë të pavarur që mund të ndikojnë në ndarjen e votës.
ImageFaton MehmetiFoto galeri
“Kur kanë mbetur më pak se një javë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, gara politike në Kosovë ka hyrë në fazën e saj më të nxehtë. Pritjet për rezultate janë të ndryshme nga komunë në komunë, por trendet e përgjithshme tregojnë një dinamikë të re në terrenin politik, ku dominon rivaliteti mes partive tradicionale dhe atyre që po tentojnë të konsolidojnë pushtetin lokal pas një mandati. Në terren politik, PDK mbetet e fortë në disa komuna kyçe si Drenasi, Ferizaj, Mitrovica dhe Skenderaj, megjithëse për herë të parë disa prej këtyre bastioneve po përballen me garë të brendshme apo me kandidatë të pavarur që rrezikojnë ta ndajnë votën tradicionale”, thotë Mehmeti.
Derisa, në Prizren thotë se Vetëvendosje do të synojë të mbajë avantazhin e mandatit të kaluar, por përballet fort me PDK-në dhe LDK-në, duke e bërë të mundshëm balotazhin. Kurse, në Prishtinë, gara mes Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrullah Çekut (VV) pritet të jetë shumë e ngushtë, me votën e pavendosur si faktor vendimtar.
LDK, sipas Mehmetit, po rikuperon terren në komuna si Peja dhe Istogu, falë qeverisjes stabile lokale, ndërsa AAK pritet të ruajë Deçanin dhe mund të befasojë në disa komuna të Dukagjinit.
Ai vlerëson se balotazhi do të përcaktojë shumë prej rezultateve përfundimtare.
“Në Prizren, VV do të synojë të ruajë avantazhin e fituar nga mandati i kaluar në raundin e parë për të rikthyer këtë komunë por do të përballet ë fortë nga PDK e LDK, çka e bën shumë të mundshëm balotazhin.
Në Prishtinë, gara pritet të jetë sërish ndër më të ngushtat: përballja mes kryetarit aktual Përparim Rama (LDK) dhe kandidatit të VV-së, Hajrullah Çeku, pritet të përfundojë në balotazh, me votën e pavendosur si faktor kyç dhe në veçanti nga partia e tretë LDK duket se po rikuperon terren në disa komuna, si Peja dhe Istogu, ku mbështetja për kryetarët aktualë është rritur për shkak të qeverisjes stabile dhe menaxhimit të projekteve lokale.
Ndërsa AAK, ndonëse me bazë më të kufizuar territoriale, pritet të ruajë kontrollin në Deçan dhe mund të surprizojë në disa komuna të Dukagjinit. Pak a shumë këto pritet të jenë versionet e mundshme me balotazhin që do të prish shumë skenarë”, përfundon ai.