Kurti: Me Valon Hotin dhe Vetëvendosjen Malisheva do të ketë rrugë të reja, stacion autobusi dhe subvencione për fermerët
Albin Kurti së bashku me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të komunës, Valon Hotin, janë pritur nga qytetarë të shumtë të Malishevës. Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Kurti ka thënë se pas fitores së 12 tetorit në komunën e Malishevës do të ndodhin ndryshime të mëdha infrastrukturore dhe ekonomike.
“Së bashku me Valon Hotin dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE! në Malishevë do të ndërtohen rrugë që lidhin fshatrat me qytetin: rruga e Llapqevës deri te ‘Ujëvarat e Mirushës’, rruga prej Lladrocit në Banjë, rruga nga Malisheva në Arllat dhe rruga nga Malisheva në Bubavec dhe në Kijevë. Do të ndërtohet stacioni i ri i autobusëve dhe do të subvencionohen fermerët deri në 10 centë për litër qumështi,” ka shkruar Kurti.
Ai thekson se nga një komunë e dobët në menaxhim dhe keqpërdoruese, Malisheva do të ketë një qeverisje lokale që nuk e lë asnjë qytetar mbrapa, duke sjellë investime konkrete dhe zhvillim të qëndrueshëm.
“Votojmë Valonin, votojmë VETËVENDOSJE! (me numër 105), votojmë për të tashmen dhe të ardhmen prosperuese,” përfundon postimi.