Alibitë kundërthënëse të Edi Ramës si intriga kundër Albin Kurtit dhe Kosovës!
Pas një heshtjeje relativisht të gjatë Edi Rama është rikthyer të bëjë rolin e paternalistit dhe shitmendjes për Kosovën. Por në intervistat dhe deklarimet e tij është shumë kontradiktor. Madje edhe brenda një interviste të vetme. E nisi para një jave në Vjenë gjatë një konference dhe e vazhdoi me intervistën e së shtunës në Klan Kosova. Më 23 shtator në Vjenë ai tha se “Më vjen keq që nuk ka përparim (në dialogun Kosovë-Serbi)“, ndërkohë që më 20 dhjetor 2024 në mbledhjen e përbashkët të dy parlamenteve pati thënë se „Kosova duhet të ngrijë dialogun me Serbinë“! Dy thënie në kundërthënie! Gjithnjë sipas motit, pra interesit politik që Rama ka.
Diskursi i Edi Ramës për Kosovën ka qenë dhe është gjithmonë pragmatik, lojalist, propagandistik dhe në funksion të pushtetit të tij. Sa herë që atij i tunden themelet e pushtetit dhe sa here që ai akuzohet për afera të bashkëpunimit me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës do të dalë me një „projekt“ në pamje „origjinal“, por që në fakt është një film, të cilin shqiptarët e kanë parë në vitet 1941-1948 me partinë komuniste të Shqipërisë. Ai filmi dikurshëm me regjisor diktatorin Hoxha dhe skenarist Koçi Xoxen gati sa nuk e çoi Shqipërinë në sqetullat e Serbisë si shtet.
Në intervistën e fundit në një medie të preferuar të tij në Kosovë Edi Rama kritikon fort qeverinë e Kosovës sa i përket asaj që ai i quan “zgjerimit dhe forcimit të miqësive ndërkombëtare”! ”Në këtë aspekt, fjala më e butë që mund të thuhet është se nuk ka asnjë progres. S’ka asnjë progres në aspektin e zgjerimit dhe forcimit të miqësive ndërkombëtare të Kosovës”, thotë Rama. Sipas tij, Kosova (Kurti) është i izoluar ndërkombëtarisht dhe në mënyrë të kamufluar kreu i ekzekutivit shqiptar kërkon që ai të ndëshkohet për këtë fakt. Intervistat e kryeministrit shqiptar të kohëve të fundit adresojnë jo vetëm kritika, por edhe nevojën për ta ndëshkuar mazhorancën, qeverinë dhe kryeministrin „e pa bindur“ Albin Kurti. Kritika për „mungesën e miqësive ndërkombëtare“ është në themelin e kritikës së tij.
Eshtë interesant të bëjmë një lidhje midis këtyre deklarimeve dhe fushatës së stërzgjatur të Beogradit dhe opozitës në Kosovë për atë që ata e quajnë „masa ose sanksione izoluese për Kosovën“ dhe deklaratave të fundit të Edi Ramës. Rama, pasi ka skenarizuar dhe organizuar të gjithë fushatën mediatike së bashku me Ben Blushin kundër Kurtit, duket sikur i ve vulën atyre që kanë ndodhur, duke bërë „profetin“! Ndërkaq „profecitë“ e tij kanë dështuar një pas një. Po marr vetëm një shembull: Open Ballkan. Në 8 qershor 2022 ai thoshte se „Kush është kundër Open Balkan do të zhgënjehet dhe do të humbasë kohë“! Edhe atëherë kjo fjali drejtohej kundër Albin Kurtit. Por fatmirësisht pas tri vitesh u provua se për dështimin e Open Balkan duhej të jetë ndjerë i zhgënjyer Edi Rama bashkë me Aleksandër Vuçiq, por jo edhe Albin Kurti. Para dy vitesh, fill pas Banjskës, kryeministri i Shqipërisë e quajti veriun e Kosovës “Tokë e askujt“! Por ja që me masat e qeverisë së Kosovës dhe profesionalizmin e policisë së saj, sot veriu i Kosovës është de facto tokë e Kosovës.
Kështu ndodh edhe me propagandën e Ramës sot, sipas të cilit „Kosova është e izoluar për shkak të politikave të Kurtit“! Kurti në fakt është në SHBA. Rama e di vetë pse nuk gjendet në SHBA! Ndërsa Vjosa Osmani ishte nën shoqërinë e Donald Trump, Marco Rubio, armatës amerikane, senatorëve e kongresistëve, ndërkohë që Rama bën intervista anti-Kosovë nga zyra e tij zbukuruar me zhgarravina. Në raportet e departamentit Amerikan Kosova qëndron shumë më mirë në treguesit e respektimit të demokracisë sesa Shqipëria e Edi Ramës. Kosova është rankuar e para në Europë dhe e treta në botë për rend e siguri, ndërkohë që Shqipëria e Edi Ramës është në gjendjen e një lufte guerilje të tipit të Kolumbisë për shkak të lidhjeve të qeverisë Rama me kartelet e drogës. Por Rama është si ata që fshijnë rrugën e lagjes e ndërkohë e kanë shtëpinë e tyre krejt bërllok. Përpiqet t’u japë mend Kosovës e madje edhe Evropës. Por në Kosovë e kanë kuptuar tashmë se mendtë e Ramës të çojnë në Beograd, ndërkohë që në Europë ka njerëz që i bëjnë fresk, sepse paguhen për atë punë.
Goditjen nën brez ndaj Kurtit kryeministri shqiptar përpiqet ta japë kur përmend sërishmi një rezolutë kundër Gjykatës Speciale të Hagës, që sipas tij duhet miratuar në parlamentin e Kosovës, por që për këtë nuk ka vullnet. „Nuk ka vullnet në Kosovë për të dalë me një rezolutë të Parlamentit të Kosovës, një rezolutë përtej partive politike të cilës ne do t’i bashkoheshim menjëherë ndaj Gjykatës Speciale dhe ndaj gjithë kësaj farse sepse ka shumë farsë në këtë mes”, thoshte ai të shtunën e kaluar në intervistë. Edhe në këtë rast Edi Rama spekulon dhe manipulon si djalli. Ndërkohë që shfaqet krejt kontradiktor. Ndërsa kërkon zgjerimin dhe forcimin e miqësive ndërkombëtare të Kosovës, në anën tjetër rekomandon të ndezë një zjarr përvëlues kundër ndërkombëtarëve dhe ta izolojë plotësisht Kosovën prej tyre!
Të dënosh Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë me anën e një rezolute në parlament do të thotë të hapësh një front lufte dhe një mundësi për të vënë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës. Këtë e di Edi Rama. Por me një gur ai dëshiron të vrasë dy zogj: – Ta paraqesë Albin Kurtin edhe në këtë rast si “anti-UÇK”, pavarësisht faktit se kryeministri i Kosovës ka kontribute në luftën çlirimtare të fundit. Nga ana tjetër, të paraqitet vetë Rama si “Pro UÇK-së”, pavarësisht se në kohën e krijimit të saj villte vrer kundër saj. Goditja e dytë shkon sërishmi kundër Albin Kurtit. Sepse një votë e Vetëvendosjes për rezolutën në fjalë, do të thoshte armiqësi e thelluar e kryeministrit të Kosovës me faktorin ndërkombëtar.
Duke e menduar pak më thellë këtë intrigë, nëse Rama e ka seriozisht këtë rezolutë, atëherë ai mund të flasë me mikun e tij në Beograd, Vuçiq, me qëllim që Lista Srpska t’i bashkojë votat me ato të partive që drejton Edi Rama në Kosovë dhe ta bëjnë rezolutën. Gjithnjë, nëse Rama e ka aq për zemër atë rezolutë, e cila në rastin më të mirë do të ishte null në kuptimin juridik dhe politik dhe madje do ta rëndonte pozitën e të akuzuarve që sot gjenden në Hagë.
Këto që shënova më lart janë vetëm një pjesëz e kontradiktës së diskursit të Edi Ramës, e cila e nxjerr atë krejt zbuluar përballë së vërtetës. Dhe është e natyrshme që kur merresh me propagandë, atëherë harron konsistencën në qëndrimet që mban. Kjo ka ndodh me Edi Ramën.