OPINIONTË FUNDIT

Meksikanët kanë “gisht” në ekzekutimin e shqiptarit? Detaje nga ngjarja në Bruksel, mesazhi që u mbërriti në telefon familjarëve të 29-vjeçarit para se të gjendej i varur

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në lagjen Anderlecht në Bruksel, ku u gjet i varur me kabllo elektrike trupi i një shtetasi shqiptar. Viktima, 29 vjeç, u gjet pranë një qendre tregtare, në një zonë me bimësi, larg vendbanimit të tij.

Sipas gazetarit Fatos Mahmutaj, autoritetet belge po hetojnë mbi tre pista të mundshme: përfshirja në një konflikt me persona nga bota e krimit, përfshirja në trafik droge, si dhe vetëvrasja. Viktima nuk ishte i njohur për precedentë penalë, çka hedh dyshime mbi pistën e parë.

Pista e vetëvrasjes po merret seriozisht nga hetuesit, pasi disa familjarë të shqiptarit kanë marrë një mesazh nga telefoni i tij pak para se të gjendej trupi i tij, ku shkruhej: “Unë po iki në botën tjetër.”

Megjithatë, mënyra e pazakontë e gjetjes së trupit, i varur në një zonë publike dhe me kabllo elektrike, ka ngritur dyshime mbi një skenar të mundshëm vrasjeje apo ekzekutimi.

Media belge ka spekuluar për një ekzekutim të stilit të karteleve meksikane, për shkak të ngjashmërisë me raste të ngjashme të dokumentuara më parë, por gazetari Mahmutaj i ka quajtur këto krahasime të nxituara dhe të padrejta ndaj komunitetit shqiptar në Belgjikë.

“Pistën e vetëvrasjes e forcon mesazhi që u ka mbërritur të njohurve të tij ku shkruhet se ai po ikën në botën tjetër. Sa i përket vendit ku është gjetur, ka qenë një vend me bimësi. Ka qenë person pa background kriminal. Paralelizmi me kartelet meksikanë thjesht rëndon komunitetin shqiptar, por jo se zgjidh diçka. Shumë shpejt priten konkluzionet zyrtare. Drejtësia belge funksionon në mënyrë efikase, ndaj duhet të presim hetimin për të kuptuar të vërtetën. Trupi është marrë nga mjekësia ligjore dhe për momentin nuk ka asnjë deklaratë zyrtare,” tha gazetari Mahmutaj ndër të tjera.

Ekspertët e mjekësisë ligjore dhe prokurorët kanë qenë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetimet janë në vijim. Autoritetet belge pritet të dalin së shpejti me një përfundim zyrtar mbi shkakun e vdekjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *