Ftoi Ramën për debat ballë për ballë, LDK i kundërpërgjigjet Çekut
Hajrullah Çeku i Vetëvendosjes ftoi Përparim Ramën për debat ballë për ballë, pa praninë e kandidatëve të tjerë
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku, i ka bërë thirrje publike kryetarit aktual, Përparim Rama, për një debat ballë për ballë, pa praninë e kandidatëve të tjerë.
Në një postim në Facebook, Çeku thekson se një debat i tillë është i domosdoshëm për të sqaruar të vërtetën para qytetarëve të kryeqytetit, sidomos pas akuzave që Rama i ka bërë atij për bllokim të projekteve gjatë mandatit të kaluar.
“Jam i sigurt që e ke kuptuar fort mirë ftesën time. Është mirë të mos fshihesh pas kandidatëve të tjerë. Unë të ftova për debat ku jemi vetëm ne të dy, si dhe moderatori. Ke qeverisur katër vjet me Prishtinën, më ke akuzuar për bllokadë. Ky është momenti i së vërtetës,” shkruan Çeku.
Ai i bën thirrje Ramës që të caktojë vetë ditën dhe studion ku do të zhvillohet debati, duke garantuar pjesëmarrjen e tij:
“Këtë ia kemi borxh qytetarëve të Prishtinës. Të lutem edhe një herë, caktoje ditën, zgjedhe studion, aty do të jem,” përfundon postimi i Çekut.
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Asamblenë e Prishtinës, Fiknete Bejta, thotë se kryetari aktual, Përparim Rama, është gjithmonë i hapur për debat dhe për ballafaqim të ideve.
Sipas saj, Rama ishte i pari që pranoi ftesën për debat, duke theksuar rëndësinë që qytetarët e Prishtinës të kenë mundësi të dëgjojnë qartë alternativat që ofrohen në këtë garë.
“Kryetari Rama është gjithmonë i hapur për debat dhe për ballafaqim të ideve, është i pari që ka pranuar debatin. Për të është me rëndësi që qytetarët e Prishtinës të kenë mundësi të dëgjojnë qartë alternativat që ofrohen. Debatet duhet të jenë të strukturuara, gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të qytetarëve, prandaj nuk ka asnjë arsye të shmang transparencën”, deklaron Bejta.
Ajo thekson se qytetarët fitojnë nga debatet, gjersa flet për projektet e Ramës.
“Qytetarët fitojnë më së shumti kur shohin qartë dallimin mes asaj që është realizuar dhe asaj që mbetet vetëm në letër. Gjatë mandatit të tij ka sjellë projekte konkrete për infrastrukturën, transportin publik, arsimin, shëndetësinë dhe kulturën. Debati është mundësi për t’u treguar qytetarëve se vizioni i tij nuk është thjesht premtim, por punë e dëshmuar në terren”, shton kandidatja.
Kërkesa e Çekut ka synim politik, thotë Bejta, por ajo shton se garën nuk e sheh si lojë për perceptim, por si një mundësi për të treguar rezultate konkrete.
“Është e qartë që një kërkesë e tillë ka synim politik. Por unë nuk shoh garën si lojë për perceptim, por si një mundësi për të treguar rezultate konkrete. Për mua, më e rëndësishmja është që qytetarët të kenë informacionin e plotë për punën që është bërë dhe për projektet që kemi për mandatin e ardhshëm. Fokusi ynë si LDK— ë ështl te Prishtina dhe qytetarët e saj, jo te kalkulimet politike”, përfundon Bejta.
Kujtojmë se, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se para katër vitesh Prishtina ishte në gjumë.
Rama, theksoi se i duhen 8 vjet për transformimin e kryeqytetit.
E sipas tij, transformimi po ndodh.
“Prej mendësisë depresive, në mendësi që beson se transformimi ndodh, po ndodh, Prishtina ka filluar të transformohet me atë vizion para katër vitesh. Unë kam thënë që Prishtinës I duhen 8 vite, më duhen 8 vite, dhe kam prezantuar vizionin tim për transformimin e kryeqytetit. Të gjitha projektet kanë filluar, disa kanë përfunduar, disa janë në përfundim e sipër, disa ende nuk kanë fillu se është projekt 8-vjeçar”, tha Rama.
Përparim Rama ka zbuluar se në javët e ardhshme do të hapet Rruga A.
Ai ka thënë se ky është projekti më i madh në Prishtinën e pasluftës.
“Rruga A është projekt madhor, projekti më i madh i pasluftës. Jo vetëm qe e sheh, por e ndjen. Kundërmimi që ka qenë më nuk ekziston. Lidhja e Rrugës A me rrugën B, javët e ardhshme në vijim do ta hapim. Po e lidhim Veternikun me Rrugën A dhe Rrugën B. Ka zgjidh problem të madh në aspektin shëndetësor. Nuk e ke kundërmimin, investim i madh. Askush nuk ka besuar që do të bëhet. Po vazhdojmë me këtë projekt. Brenda javësh hapet”, tha Rama në Rubikon.