“Ushqeje bishën se s’të kafshon” — refleksion mbi politikën e koncesioneve ndaj Serbisë
Shkruan Avni Zogiani
Ushqeje bishën se s’të kafshon!
Më 22 shkurt të vitit 2008 në Beograd u dogj Ambasada Amerikane dhe u sulmua Ambasada Britaneze nga protestues që kundërshtonin shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kishte raportime nga mediat Perëndimore se organet e rendit lejuan protestuesit të bënin këto sulme pothuajse duke mos bërë asnjë përpjekje për t’i ndalur.
Në dhjetor të vitit 2009 Serbia fitoi liberalizimin e lëvizjes për zonën Shengen. Në po këtë kohë Maqedonisë e Malit të Zi iu liberalizua lëvizja në Shëngen, kurse Shqipëria fitoi këtë të drejt më 2010. Kosovës iu liberalizuan vizat në janar të vitit 2024. Pra, 13-14 vjet nga liberalizimi i vizave për rajonin Kosova u fut në mesin e shteteve tjera të rajonit!
Ndërkohë që Kosova po lavdërohej gjithandej si një faktor qenësor i stabilitetit të rajonit, heqja e regjimit të vizave u vonua për kosovarët për plot 14 vjet! Pothuajse nuk kishte një rast në të cilin lidershipi Kosovar kishte shfaqur mos-bindje në raport me politikat e BE për rajonin, kurse Maqedonia e Serbia, pothuajse nuk kishin asnjë rast të rëndësishëm ku s’ishin sjellur me mos-bindje, sabotazhë, dhunë, e rebelim. A e ka vrarë mendjen dikush nga ky lidership dhe përkrahësit e tyre që sot e kësaj dite proklamojnë një bindshmëri të plotë të Kosovës ndaj Perëndimit, pse ka ndodhur kjo?!
Më 2024 në njëfarë disponimi gati indiferent ndaj liberalizimit të vizave nga lidershipi që ishte në pushtet, pra VETËVENDOSJE, ndodhi liberalizimi i vizave. Pse?!
Në marrëdhënjet ndërkombëtare ekziston një term që në anglishte thuhet ‘leverage”, në shqip shpesh i themi levë, por që në thelb është një mekanizëm ndikimi nëpërmjet kushtëzimit. Edhe sot e kësaj dite po t’i pyesësh përkrahësit e qasjes së vjetër të Kosovës në marrëdhënjet ndërkombëtare, që në thelb ka qenë inekzistenca, do të të japin përgjigje të ndryshme pse Kosova përfitoi heqjen e vizave për Shengen 14 vite më vonë nga të gjitha shtetet e rajonit, përkundër faktit se ishte 100% bashkëpunuese. Arsyetimet e tyre të tregojnë se ata i shofin marrëdhënjet ndërkombëtare si politika impulsive, për shembull, një nga këto arsyetime është se Kosova nuk kishte bërë demarkimin me Malin e Zi. Finalizimi i demarkacionit me Malin e Zi ndodhi më 2015, por heqja e vizave më 2024, pra 9 vite më vonë!
Heqja e vizave për Kosovën për hapësirën Shëngen ndodhi pikërisht atëherë kur Evropa e kuptoi se ky mekanizëm nuk mund të ishte më mjet kushtëzimi për Kosovën. Mjet kushtëzimi ishte për tërë kohën nga viti 2008 deri më 2024. Pra, kur u kuptua se Kosova nuk do të ketë më lidership që merr vendime kompromentuese për vendin vetëm me premtimin se do të liberalizohen vizat, BE vendosi t’I heqi vizat. Qeveritë e mëparshme kishin festuar heqjen e vizave pa ndodhur fare, kurse Qeveria Kurti pothuajse nuk e bëri lajm këtë moment. Sepse kjo duhej të shihej si përfundim i një padrejtësie e jo ndonjë fitore për Republikën e Kosovës.
Përgjatë historisë para se VETËVENDOSJE! të ishte në pushtet, qeveritë në Prishtinë kushtëzoheshin me gjithçka! Momenti më qesharak dhe njëkohësisht më i turpshëm ishte kur lidershipit Kosovar u kërkohej të silleshin në një mënyrë të caktuar sepse ishin zgjedhjet në Serbi, dhe kjo do të ndihmonte që në pushtet të vinin forcat e moderuara, ndërkohë që në secilat zgjedhje Serbia shkonte duke e ekstremizuar lidershipin, dorën në zemër, ngjashëm me pjesët tjera të Evropës. Vetëm lidershipi Kosovar qëndronte naïve përballë këtyre zhvillimeve, megjithëse arsyeja e vërtet qëndronte diku krejt tjetër e jo në dëshirën e tyre të sinqertë për stabilitet rajonal. Aryset e vërteta pse lidershipi Kosovar sjellej në këtë mënyrë edhe pse ishte e qartë se kjo nuk jepte asnjë rezultat, janë aq të ndryshme saqë për ta sqaruar ktë duhet një shkrim tjetër edhe më i gjatë!
Mbi të gjitha kjo marrëdhënje e politikës kosovare në fushën ndërkombëtare arsyetohej, dhe arsyetohet, me raportin e Serbisë me Rusinë. Qasja e diplomacisë Perëndimore ndaj Serbisë, është e krahasueshme me qasjen e po të njejtëve ndaj Rusisë. Ishte një opinion dominues brenda BE, por edhe ShBA se duke i lejuar ndikim Rusisë në ekonominë dhe politikën evropiane, ajo do të transformohej dhe eventualisht rrymat hegjemoniste e ekspansioniste ruse do të humbnin në favor të rrymave bashkëpunuese e pro-evropiane. Kjo u pa sidomos me aneksimin e Krimeas, kur përveç deklaratave të vakëta të diplomatëve Perëndimor, Perëndimi nuk ndërmori asgjë ndaj Rusisë. Më tutje u pa si u zhvilluan ngjarjet, Rusia shkoi duke u ekstremizuar dhe duke ngritur pretendimet, deri në një luftë të hapur në Ukrainë, dhe këtyre ditëve është më e madhe se kurdoherë frika se ajo mund të sulmojë edhe Evropën. Perëndimi tashmë mund ta ketë marrur mësimin, por mund të jetë tepër vonë.
Lexo më shumë Ministri Maqedonci po merr pjesë në Forumin e Sigurisë në Varshavë
Saktësisht e njejta qasje është ndjekur nga Perëndimi në raport me Serbinë. Përkundër sjelljeve të saja hegjemoniste e ekspansioniste në tërë rajonin, zgjidhja për Serbinë ishte qasja në Bosnje e në Kosovë. Asnjëherë nuk iu bë e qartë Serbisë që me të vërtet duhet t’i mbajë duart larg nga Bosnja e Kosova, por iu tha një mesazh implicit se nëse shkëputet nga sfera ruse, ajo do të shpërblehet në Bosnje e Kosovë! Kjo është pak a shumë e ngjashme me qasjen ndaj Rusisë në lidhje me Krimean dhe Ukrainën. Nëse Rusia s’do të shfaqte pretendime ndaj republikave ish-sovjetike në Evropë, ajo do t’ia hidhte me Krimean, dhe poashtu me tregëtimin e gazit e naftës në tregun evropian. Kjo inkurajoi Rusnë që jo vetëm të turrej ndaj tërë Ukrainës, por sot Evropa ka hyrë në një fazë të përgaditjes për ta mbrojtur territorin e saj!
Rusia dhe Serbia kanë një model në marrëdhënjet ndërkombëtare. Ky model mund të mblidhet në dy pika: thuaj jo çfarëdo kompromisi; vendos kërkesa ekstreme që në fillim dhe vazhdo duke i ekstremizuar ato. Vuçiq para dy ditëve ritheksoi pretendimin e vjetër që Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë, të cilin pretendim nuk është se e ka braktisur ndonjëherë, as në kohën kur Kosova po jepte gjithçka që i kërkohej për hirë të stabilitetit rajonal.
Dhe imagjinojeni edhe pas krejt kësaj historie ka njerëz në Prishtinë që mendojnë se Serbia qetësohet nëse politika e koncesioneve madje edhe territoriale ngelet si një karrotë për të. Të shkretët nuk e kuptojnë që është pikërisht kjo qasje burimi kryesor i mos-bidnjes së Serbisë! Sa kohë që Serbia ka këtë korelacionin mes marrëdhënjes së saj me Rusinë dhe benifiteve në rajon, ajo gjithmonë do të shkojë në ekstremizimin e të dyjave. Pra, sa më shumë premtime për përfitime në Kosovë dhe Rusi, aq më shumë do t’I forcojë marrëdhënjet me Rusinë, dhe sa më shumë që forcon marrëdhënjet me Rusinë, aq më e frikësuar do të jetë Evropa dhe si shpërblim do t’i krijojë më shumë qasje për politikat hegjemoniste e ekspansioniste të saj. Me fjalë të tjera këta thonë “ushqeje bishën se s’të kafshon”, derisa një ditë do të ta kafshojë dorën!
Rruga Press