Kosova nën presion — Bytyçi: Rama dhe Vuçiq njësoj, të reagohet urgjentisht ndaj dronëve dhe propagandës mediale pro-serbe
Ditë më parë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për shkelje të përsëritura të hapësirës ajrore nga Serbia me anë të dronëve.
Edhe Ddejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se së fundi janë regjistruar raste të fluturimeve të dronëve në pjesën veriore të vendit, për të cilat dyshohet se vijnë nga territori i Serbisë.
“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR-in, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”, tha Hoxha pas ceremonisë së shkatërrimit të armëve.
Ai theksoi se rreziku ekziston për pjesën e kufirit, por jo për qytetarët, të cilët sipas tij janë të mbrojtur nga institucionet.
Ai bëri të ditur se institucionet ndërkombëtare janë njoftuar për këtë situatë dhe se përgjegjësia i takon KFOR-it.
Duke I komentuar këto zhvillime, në një deklaratë për gazetën “Bota sot”, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof. Dr. Enver Bytyçi, dënoi ashpër sjelljen e autoriteteve serbe dhe akuzoi gjithashtu aktorë të jashtëm për mbështetje të narrativave anti-kosovare.
“Është e vërtetë që ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar opinionin publik për shkeljen e përsëritur të hapësirës ajrore nga Serbia me anë të dronëve. Por çfarë thotë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama? Sipas Ramës, Sveçla nuk duhej të pohonte të vërtetën që shpalosi dje. Pra, ai nuk duhej dhe nuk duhet të merret me Serbinë, pavarësisht se ajo e kërcënon Kosovën edhe me diversione të tilla. Sa mirë do të ishte për kryeministrin e Shqipërisë që Kosova të mos e kishte asgjësuar para dy vjetësh grupin terrorist të Radoiçiq-it. Madje, këto ditë ai kishte porositur një opinionist të Tiranës të thoshte se “Radoiçiq nuk ishte kryeterroristi, por ishte dikush tjetër”!”, ka thënë Bytyçi për “Bota sot”.
Në deklaratën e tij, Bytyçi ngre dy shqetësime: Përdorimin e mjeteve ushtarake (dronë) si mjet presioni dhe valën e “dronëve” propagandistikë — media të sponsorizuara nga Beogradi — që, sipas tij, përhapin narrativën serbe jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
“Këtë që parashtroj po e bëj për një arsye. Më vjen shumë mirë që autoritetet e Kosovës — kryeministri, presidentja, ministri Sveçla e të tjerë — nuk ndalen së denoncuari aktet destabilizuese të Beogradit në Kosovë. Sa kohë që ata nuk iu binden Edi Ramës për t’u heshtur para veprimeve destabilizuese të Aleksandër Vuçiqit, aq kohë Kosova i ka punët për së miri. Nëse fillojnë dhe dëgjojnë këshillat e Ramës, atëherë le të përgatiten për t’u rikthyer në ferrin serb!”, ka potencuar profesori
Ndërkohë dua të them se veprimet destruktive në Kosovë i pranoi edhe Aleksandër Vuçiq në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Në atë fjalim ai për të njëmijtën herë tha se “Kosova është pjesë e integritetit territorial të Serbisë”! Me këtë pohim, Vuçiq në fakt i dha një shuplakë vëllaut të tij arumun, Edi Ramës. Sepse, duke pohuar këtë, presidenti i Serbisë legjitimoi ndërhyrjet e tij me drone, me terroristë, me polici, me xhandarmëri e me ushtri në Kosovë. Por dronët më të rrezikshëm të Serbisë në Kosovë janë disa media që ai i sponsorizon jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Kjo do të thotë se destabilizimi serb nuk ka projektuar vetëm Kosovën, por gjithë rajonin”, ka shtuar profesori.
Ai u shpreh i prerë edhe ndaj dyshimeve për lidhje mes narrativave të përbashkëta të udhëheqësve: “Kosova duhet ta kuptojë përfundimisht se Rama dhe Vuçiq janë një — mbrojnë të njëjtat interesa dhe përçojnë të njëjtin përmbajtje anti-kosovare.”
Duke ndjekur “dronët” propagandistikë të disa mediave shqiptare, sipas profesorit narrativa serbe kundër Kosovës ka zënë vend kryesor.
“Shikoni disa televizione! Më shumë lajme jepen për veprimet e Vuçiqit, sesa për aktivitetet kombëtare të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Nuk lënë fjalë, pjesë e pika që thotë presidenti i Serbisë pa e transmetuar në të gjitha edicionet informative; por për presidenten dhe kryeministrin montojnë akuza që do t’u kishin zili edhe vetë kreu i shtetit të Serbisë. Ajo që po bëjnë serbët këto ditë në Neë York — duke shpifur për gjoja dhunën e kryeministrit Kurti kundër serbëve në Kosovë — thuhet e transmetohet me gojën e Vuçiqit çdo ditë nga disa media në Kosovë e në Tiranë.
Kjo ndodh në Tiranë, sepse arkitekturën e lajmeve pro-serbe, ose që përçojnë narrativat serbe për Kosovën, e ka ndërtuar kryeministri i Shqipërisë, i cili sponsorizon gjithë propagandën serbe e anti-shqiptare te ne. Por në vend që Kosova të mos merret me Serbinë, bëhet mirë të mos merret me Shqipërinë — gjithnjë nga pikëpamja e politikës shtetërore. Dronët ushtarakë të Serbisë janë më pak të rrezikshëm sesa “dronët” propagandistikë të Aleksandër Vuçiqit dhe të Edi Ramës kundër Kosovës. Kosova është e rrezikuar nga të dy anët. Dhe ju lutem, mos e merrni si ndonjë “dëshirë” time për të goditur Edi Ramën. Kosova duhet ta kuptojë përfundimisht pas kaq kohësh se Rama dhe Vuçiq janë një; janë njësoj — mbrojnë të njëjtat interesa dhe kanë të njëjtin gjak: gjak vllehësh. As Vuçiq nuk është thjesht serb, as Rama nuk është thjesht shqiptar”, ka potencuar Profesor Bytyçi.
Në fund, profesori ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj duhet të bëjnë një ekspertizë të hollësishme me ekspertë të sigurisë dhe ekspertë të tjerë, për të vlerësuar dhe gjykuar rreth rrezikut të shtuar të përdorimit të dronëve luftarakë nga ana e Beogradit kundër Kosovës.
“Më pas duhet të ndërtojnë një strategji reagimi, gjë për të cilën ka kufizime për shkak të prezencës së KFOR-it dhe autoritetit që ai ka për sigurinë e vendit. Por së paku duhet të ndiqet modeli i reagimit të NATO-s kundër dronëve dhe shkeljes së hapësirës ajrore nga avionët ushtarakë të Rusisë. Në atë mënyrë si vepron NATO në këto raste, do të ishte mirë që të vepronte edhe Kosova. Gjithsesi, çdo rast ka specifikat e veta. Por, ashtu si NATO duhet t’i japë një mësim Moskës, po ashtu Kosova — së bashku me KFOR-in — duhet t’i japë një mësim Beogradit. Nëse ndodh kjo, ndërhyrja e Serbisë në Kosovë ndërkombëtarizohet dhe pozicioni i Aleksandër Vuçiqit vështirësohet edhe më shumë. Ndërsa Edi Rama mbetet në sharlatanizmin e vet idiotesk”, ka përfunduar Prof. Dr. Enver Bytyçi.