Dy Shqiptaro – Amerikanë që ndalën gjenocidin dhe ndihmuan lindjen e shtetit të Kosovës – Kurti falënderon Joe dhe Shirley DioGuardi
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në organizimin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në shënim të ditëlindjes së 85-të të Joseph DioGuardit, ish-kongresistit amerikan, dhe bashkëshortes së tij, Shirly që sivjet feston ditëlindjen e 75-të, transmeton KosovaNews.
Kurti, ka vlerësuar lart rolin dhe mbështetjen e bashkëshortes së z. DioGuardit, Shirley, e cila kishte organizuar seanca dëgjimore në Kongres dhe Senat, informuar ligjvënës që nuk dinin asgjë për Kosovën dhe shkruar artikuj të panumërt që shpjegonin gjendjen tonë të vështirë dhe luftën tonë për liri.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti kujtoi se DioGuardi ishte njeriu që u hapi dyert e politikës amerikane shqiptarëve “kur pak njerëz ishin të interesuar të dëgjonin për vuajtjet tona në ish-Jugosllavi.”
“Çdo shqiptaro-amerikan, pavarësisht pikëpamjeve apo përkatësive politike, e pranon këtë të vërtetë të thjeshtë: Joe DioGuardi luajti një rol qendror në sjelljen e zërit të shqiptarëve në politikën amerikane në një kohë vendimtare për Kosovën. Ai ishte personi që u hapi dyert e politikës amerikane shqiptarëve, kur jo shumë njerëz ishin të interesuar të dëgjonin për vuajtjet tona në ish-Jugosllavi”, u shpreh kryeministri Kurti në fjalën e tij përshëndetëse.
Ai lartësoi rolin dhe mbështetjen e bashkëshortes së z. DioGuardit, Shirley, e cila kishte organizuar seanca dëgjimore në Kongres dhe Senat, informuar ligjvënës që nuk dinin asgjë për Kosovën dhe shkruar artikuj të panumërt që shpjegonin gjendjen tonë të vështirë dhe luftën tonë për liri.
“Së bashku, Joe dhe Shirley lobuan te Presidenti Clinton për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, duke u siguruar që Bosnja mos të përsëritej; mbrojtën UÇK-në si një ushtri çlirimtare me një kauzë të drejtë, jo si një grup terrorist; bindën administratën Bush se pavarësia e Kosovës nuk duhej të vonohej dhe në vitin 2008 kjo u bë realitet; dhe deri më sot, ata kanë punuar pa u ndalur në Uashington DC për të siguruar që përgjegjësia të vendoset aty ku i takon – mbi ata që minojnë paqen dhe sigurinë”, tha kryeministri.
Të dyve u uroi përzemërsisht ditëlindjen dhe u dëshiroi shëndet dhe gëzim.
Kryeministri gjithashtu shprehu mirënjohje dhe falënderim për punën dhe angazhimin e pazëvendësueshëm të Bordit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane: Në emër të popullit të Kosovës, përkulem me mirënjohje. Ju jeni pjesë e historisë sonë, ju formësuat lirinë tonë dhe do të mbeteni përgjithmonë pjesë e së ardhmes sonë.
Në këtë ngjarje kryeministri ishte i shoqëruar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New York, Blerim Reka.