Publicisti shqiptar me fjalë të rënda për Ramën: Është varrmihës i Shqipërisë e për Kosovën ka veç urrejtje!
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se Kosova nuk duhet të shikoj se çka mendon Serbia por duhet të angazhohet rreth kërkesave që ka Bashkimi Evropian për dialogun dhe integrimin, në të kundërt do të vazhdojë ta izolojë veten gjithmonë e më shumë dhe është për t’u ardhur keq.
Publicisti Milaim Nela, për “Bota sot”, tha se ndonëse kanë kaluar dy vjet nga sulmi terrorist shtetëror serb dhe shumë gjëra kanë ndryshuar në arenën ndërkombëtare – zgjedhjet në BE, konfigurimi i ri i Parlamentit Europian dhe administrata e re amerikane – një gjë ka mbetur e pandryshuar: qëndrimi shovinist i Serbisë ndaj Kosovës.
Po ashtu, sipas tij, i pandryshuar ka mbetur edhe qëndrimi proserb i Edi Ramës, i cili vepron si vasal i Vuçiçit dhe në dëm të interesave të Kosovës.
“Edhe kur Vuçiçi në OKB shpall Kosovën tokë serbe, Rama dhe qeveria e tij heshtin. Trishtuese!”, u shpreh Nela.
“Kanë kaluar 2 vjet nga sulmi terrorist shtetëror serb e shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë!
Janë bërë zgjedhje të reja në shumicën e vendeve të BE-sê e po ashtu kemi një konfigurim të ri të Parlamentit Europian!
Kemi një administratë të re amerikane e për rrjedhojë politika e qëndrime të reja gjeopolitike e gjeostrategjike të tyre.
Ajo që nuk ka ndryshuar e mbetur njëlloj është qëndrimi shovinist i Serbisë ndaj Kosovës e shqiptarëve.
Ajo që nuk ka ndryshuar është sundimi i sektit rilindas në Shqipëri e po ashtu qëndrimi proserb e prej vasali të Vuçiçit i Edvin Kristaq Ramës.
Si atëherë edhe sot ai mbetet ushtar besnik i presidentit serb dhe në luftë të hapur jo vetëm me Albin Kurtin dhe qeverinë e Kosovës por kundër interesave të Kosovës dhe shqiptarēve.
Kësaj radhe po luan zëdhënësin apo bedelin e burokracisë Europiane e jep urdhëra e këshilla në emër të tyre!
Edhe kur Vuçiçi hapur e krejt arrogant në foltoren e OKB-së shpall çdo pëllëmbë të Kosovës si tokë serbe Edi Rama dhe qeveria e tij nuk gjejnë një fjali e nuk kane asnjë prononcim në mbrojtje të Kosovës!
Trishtuese!”, thotë ai.
Nela u shpreh për “Bota sot” se Edi Rama ka mbetur i kapur pas kërkesave të BE-së, pa e kuptuar se ato janë në fakt kërkesat e Serbisë. Ai theksoi se Rama, në vend që të reagojë ndaj shkeljeve të hapësirës ajrore të Kosovës nga ushtria serbe dhe ndaj sanksioneve të padrejta të BE-së, bën rolin e “Lolos së Vuçiçit me kostum Europe”.
Sipas Nelës, me qëndrimet e tij, Rama është jo vetëm kundërshtar, por “armik i Kosovës”, prandaj politika kosovare duhet ta trajtojë Shqipërinë zyrtare njësoj si Serbinë, derisa ajo mbetet nën ndikimin e Beogradit.
Ai e quajti të trishtueshëm faktin që politika e jashtme shqiptare ka rënë në duart e Elisa Spiropalit, ndërsa theksoi se vëllazëria nuk është fjalë boshe apo flamur nëpër mitingje, por qëndrim konkret në mbrojtje të Kosovës.
“Edi Ramës i ka ngelur mendja tek kerkesat e BEse e nuk ja ndjen fare që kërkesat e BE-së ndaj Kosoves janë në fakt kërkesat e Serbisë dhe nuk i bën fare përshtypje shkelja e hapësirës ajrore të Kosovës nga ana e dronëve të Ushtrisë Serbe!
Ne vend që ai dhe e gjithë diplomacia shqiptare të prononcohen fuqishëm e kundër jo vetëm të këtyre kërkesave por edhe kundër sanksioneve idiote të BE-se ndaj Kosoves ai bën rolin e Lolos së Vuçiçit me kostum Europe!
Kosova dhe politika e saj qoftë qeveritare apo edhe opozitare megjithë provat e panumërta që ju ka dhënë Rama me qëndrimet e tij vazhdojnë të mos e shohin si kundërshtar të interesave të Kosovës!
Në fakt Edi Rama me qendrimet e tij është akoma më keq, është armik i Kosovës!
Politikanët e Kosovës duhet të mbledhin mendjen e jo vetëm të mos e konsiderojnë vëlla Edi Ramën por Shqipërinë e sotme zyrtare duhet ta shohin njëlloj e ta trajtojnë egzaktësisht si Serbia e Vuçiçit sa kohë që ai mbetet bedel i Beogradit dhe interesave të tij.
Më jep një ndjesi shumë të keqe kur shoh Presidenten e Kosovës të pozojë me një bibë si Elisa Spiropali që pozon si ministreshë e jashtme në hanëmin e Edi Ramës!
O Zot në çfarë dite arritëm!!
Kush e mendonte se do vinte dita që politika e jashtme e shqiptarëve të bjerë në dorë të Spiropalit!
Spiropalit që Don Kishotin e din nga Lushnja!
Nuk di domethënë!
Politikisht e posaçërisht në politiken e jashtme me qendrimet që po mban Kosova duhet ta trajtojë Shqiperinë njëlloj si Serbinë.
Vëllazeria nuk është cerifikate lindjeje por është qëndrim e sidomos në momente të vështira si këto.
Shqiptarët dhe politikanët e Kosovës duhet ta kuptojnë se vëllazëria dhe interesi kombetar nuk janë valëvitje e flamurit kuq e zi nga qeveria shqiptare por qëndrimi i tyre ndaj Kosovës dhe mbrojtja e munguar totalisht deri në këto momente në skenën ndërkombëtare.
Hapini sytë e dilni nga kllapia!
Edi Rama është varrmihës i Shqipërisë e për Kosovën ka veç urrejtje!” – përfundon ai për “Bota sot”.