Katër të pasur kontrollojnë fjalën dhe mendimin tonë: Mediat dhe demokracia në krizë
Sipas një analize të publikuar sot në Dagsavisen nga Lars West Johnsen, bota përballet me një realitet të rrezikshëm: katër njerëzit më të pasur të globit zotërojnë katër mediat më të mëdha. Kjo do të thotë se pushteti ekonomik dhe ai mediatik po përqendrohen në duar gjithnjë e më të pakta.
Johnsen shkruan se “mediat e drejtuara nga redaktorë” shihen sot si garancia e fundit për liri, demokraci dhe dritë në errësirën e manipulimit. Por kur edhe këto media varen nga kapitali i pak individëve, a mund të flasim më për pavarësi dhe rol kritik ndaj pushtetit, korrupcionit dhe dallavere? Apo jemi duke jetuar në një kohë ku lajmi nuk është më mjet për informim publik, por mejt për mbrojtjen e interesave të miliarderëve?
“Paniku ka shpërthyer,” shkruan sot redaktor i gazetës Dagsavisen, Johnsen, dhe me të drejtë. Kur populli humbë besimin te media, humbet edhe besimin te demokracia. Pa media të lira dhe të paanshme, e drejta për t’u informuar kthehet në një farsë dhe në hajgarrallëk.
Të nderuar lexues,
Përvoja ndërkombëtare duhet të na bëjë vigjilentë edhe neve, shqiptarëve. Sepse kush kontrollon mediat, kontrollon mendjet, debatet, madje edhe votën tonë. Nëse fjala e lirë privatizohet nga pasuria dhe nga të kamunit, atëherë liria politike, kulturore dhe sociale mbetet vetëm një ëndërr.
Katër miliarderë, nga një media dhe çmimi i demokracisë
Kush janë këta njerëz që po vendosin çka do lexoni, çka do dëgjoni/shikoni, si duhet të mendoni e si të votoni:
1. Elon Musk, pronar i platformës X , që me çdo lëvizje të tij nuk po blen vetëm aksione, por edhe ndikim të fuqishëm mbi opinionin publik.
2. Larry Ellison, që përmes investimeve të tij po synon zgjërimin e kontrollit të mediave, jo vetëm televizionet tradicionale, por edhe platformat dixhitale që shpërndajnë lajmin p.sh. Tik-Tok.
3. Mark Zuckerberg, themelues i Meta (Facebook, Instagram, WhatsApp), një grup që ka fuqinë të filtron se ç’thuhet dhe ç’shfaqet si lajm, dhe kështu të formësojë perceptimin publik.
4. Jeff Bezos, pronar i The Washington Post, një media me traditë kritike, por që sfidat për ruajtjen e pavarësisë rriten kur presioni për fitim dhe influencë politike ndërthuret me pronësinë.
Këta katër janë shembuj konkretë, por ajo që më brengosë më shumë kohët e fundit, nuk është vetëm se kush zotëron mediat, por se çfarë bëhen mediat kurë janë në duart e nën sqetullat e pak miliardërëve. Redaktorët që dikur mund të guxonin, tani dridhen, tuten, vetëpërmbahen ose shiten duke përshtatur me interesat e pronarit.
Paniku nuk është vetëm frika që lajmet do të kontrollohen, por që vota, opinionet, dhe vetë demokracia po trajtohen si mall shitës: si kastraveci n’pazarë.
Si është gjendja mediatike në Prishtinë e Tiranë, kemi pyetur vetëvehten?
– Kush beson në lajme kur media kryesore është pronë e miliarderëve me interesa të tjera?
– Si mbrohen gazetaria hulumtuese, kritika politike, zërat e pavarur që sfidojnë pushtetin dhe korrupsionin politik kur pronarët mund të kenë lidhje me parti politike, Ambasada, me OJQ dhe me pushtetin?
– Çfarë ligjesh ose masa duhet të ketë për të ruajtur pluralizmin tonë medial?
Konsekuent deri në fund: fjala “media e lirë” nuk do të thotë shumë nëse mundësia për të qenë i lirë përdoret vetëm nga ata që kanë pushtet, fuqi dhe para. Për demokracinë tonë, është çështje jete ose vdekjeje; sepse pa informacion të lirë dhe pa lajm të besueshëm, nuk ka as zgjedhje të drejta politike, as sociale, as kulturore e as ndërnjerëzore.
Është koha të pyesim seriozisht dhe jasht ndikimeve partiake: kush flet për ne shqiptarët dhe kush fiton nga ajo që dëgjojmë, lexojmë e shikojmë?