Gërvalla takon homologen nga Andorra në Nju Jork
Në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Nju Jork, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, u takua me ministren e Jashtme të Principatës së Andorrës, Imma Tor Faus.
Gjatë takimit u vlerësua mundësia për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes projekteve konkrete bashkëpunimi. Fushat me interes të përbashkët përfshijnë turizmin malor, zhvillimin e qëndrueshëm, digjitalizimin e shërbimeve publike, si dhe shkëmbimin arsimor e rinor.
Ministrja Gërvalla falënderoi homologen andorrane për mbështetjen e vazhdueshme që Andorra i ka dhënë Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Frankofoninë, duke theksuar se kjo mbështetje është shumë e çmuar për Kosovën.