Blakaj: Kosova të mos negociojë me Serbinë – forcimi ushtarak, e vetmja garanci për paqe
Ndërrimi i pushtetit në Serbi nuk do të sigurojë domosdoshmërisht një qasje tjetër ndaj Kosovës – faktorë si feja ortodokse, kisha, arsimi dhe lidhjet me Rusinë e bëjnë të vështirë ndryshimin, thotë njohësi i çështjeve të sigurisë, Korab Blakaj.
Prandaj, shton ai, Kosova duhet të mos negociojë me Serbinë, porse të përqendrohet tek forcimi i ushtrisë së bashku me Shqipërinë, si e vetmja garanci për paqe.
Po bëhen pothuajse një vit që Serbia përballet me protesta antiqeveritare. Protestat nisën pas shembjes së një tende në një stacion të trenit në Novi Sad, që la të vdekur 16 persona. Studentët por edhe qytetarë serbë vazhdojnë të kërkojnë llogari nga regjimi i Aleksandar Vuciqit.
Në një intervistë për KP, Blakaj tha se ndërrimi i pushtetit në Serbi nuk do të sigurojë domosdoshmërisht një qasje tjetër ndaj Kosovës, pasi sipas tij, faktorë si feja ortodokse, kisha, arsimi dhe lidhjet me Rusinë e bëjnë të vështirë ndryshimin.
Blakaj: Duhet të ndërtohet një ushtri e fuqishme e Kosovës dhe Shqipërisë
“Kosova duhet të ndalojë së shkuari në bisedime me Serbinë për të gjitha çështjet që bashkësia ndërkombëtare tenton të na detyrojë të shkojmë të flasim me ta. Kosova duhet ta ndërrojë politikën dhe duhet të synojë një strategji komplet tjetër nga ajo që kemi parë deri më tani dhe ajo strategji konsiston në atë që është garantuese e paqes afatgjatë, dhe ajo paqe afatgjatë sipas mendimit tim nuk rregullohet me protektorate ndërkombëtare ose me garanci qoftë nga NATO, nga SHBA-ja apo ndonjë fuqi tjetër, por duhet të ndërtohet një ushtri e fuqishme e Kosovës dhe Shqipërisë e aftë të armatos edhe popullsinë shqiptare dhe në Maqedoni, përfshirë edhe Preshevën në çfarëdo situate që mund të ndodh, sepse, vetëm një forcë ushtarake e aftë jo vetëm për të mbrojtur Kosovën por edhe për të sulmuar jashtë Kosovës është garanci dhe e sjell në jetë atë që njihet si politikë e balancit. Unë mendoj se vetëm një forcë e aftë fizike e kombit shqiptar për të luftuar vetëm me Serbinë dhe për t’i shkaktuar asaj po aq dhimbje sa ajo mund të na shkaktojë neve do ta detyrojë fqinjin verior tonë që të ndryshojë doktrinën e saj dhe të rri urtë e të bashkëjetojë me shqiptarët për pjesën tjetër të jetës”, tha ai.
Serbia krahas luftës hibride që bën ndaj Kosovës, nuk ëhtë ndalur asnjëherë së pretenduari për Kosovën.
Ditë më parë, presidenti serb, Aleksandar Vuciq, foli për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ai vazhdoi propagandën serbe se gjoja “Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë”.
Deklarata të tilla për Blakajn nuk janë risi, meqë sic thotë ai, janë vazhdimësi e një politike qindravjeçare.
Ndërrimi i pushtetit në Serbi nuk do të sigurojë domosdoshmërisht një qasje tjetër ndaj Kosovës — faktorë si feja ortodokse, kisha, arsimi dhe lidhjet me Rusinë e bëjnë të vështirë ndryshimin.
Blakaj: Nuk kemi pse të mashtrohemi që Serbia do ta njohë Kosovën
“Shikuar nga aspekti historik i përpjekjeve të Serbisë në drejtim të tokave shqiptare dhe popullit shqiptar, këto deklarata janë vazhdimësi e një politike 150 vjeçare të një përpjekjeje për zhdukje, jo vetëm aneksim të territoreve por për zhdukje të racës shqiptare. Ne kemi përjetuar nga Serbia katër gjenocide, dhe kjo është vazhdimësi e atij mentaliteti që i ka prodhuar ato katër gjenocide. Presidenti Vuçiq, fatkeqësisht është një figurë e cila është retarduar nga pushteti i diktatorit Millosheviq dhe është ngritur përsëri në një post kaq të rëndësishëm dhe për kaq vite e drejton Serbinë. Është i njëjti person që në parlamentin e dikurshëm deklaronte se për një serb të vrarë do të vriste 100 myslimanë në Bosnjë dhe kjo është vazhdimësi e asaj mendësie e cila i ka prodhuar do të thotë katër gjenocide dhe luftën në Bosnje por edhe në Kroaci dhe që vazhdon të angazhohet dhe armatoset me po të njëjtin qëllim edhe në të ardhmen. Deklarimi i tij që Kosova është djep i Serbisë konsiston me atë që e kemi thënë ne edhe disa herë të tjera, që ne nuk kemi pse të mashtrohemi që Serbia do ta njohë Kosovën, por kjo është edhe një ‘dush i ftohtë’ për bashkësinë ndërkombëtare e cila e gënjyer vazhdimisht nga disa premtime të Serbisë që në një rrethanë të caktuar ajo mund ta njohë Kosovën ata po favorizojnë Serbinë”, tha ai.
Derisa Serbia ndodhet në krizë, ku protestat antiqeveritare s’kanë të ndalur, njohësi i aktualitetit, Korab Blakaj thotë se as ndërrimi i regjimit serb nuk do të krijonte një qasje tjetër përballë Kosovës.
Blakaj: Sharjet që i ka bërë masa protestuese Vuçiqit ka qenë edhe termi ‘shiptari’
“Ne nuk duhet të mashtrohemi me mendimin se nëse ndërrohet regjimi në Serbi do të kemi një Serbi tjetër karshi Kosovës. Është e kaluara historike, është feja e tyre ortodokse, interpretimi i fesë së tyre, instrumentalizimi që e bën kisha ortodokse dhe sistemi i tyre arsimor, shtuar këtu një lidhje shumë e ngushtë me Rusinë i bëjnë jo të lehtë ndryshimet në Serbi sa i përket raporteve të tyre me Kosovën ose shqiptarët. Në protestat në Serbi, një nga sharjet që i ka bërë masa protestuese presidentit Vuçiq ka qenë edhe termi ‘shiptari’. Do të thotë ata nuk janë protestues që garantojnë që do të demokratizohet Serbia dhe që do të ecet në drejtim të paqes historike me shqiptarët por përkundrazi. Unë mendoj që sado që mund t’i konvenojë për momente të caktuara në një moment të shkurtër kjo çështje, shqiptarët prapë nuk mund të presin nga ndërrimi i pushtetit në Serbi asgjë të mirë pasi siç thashë edhe një herë, është historia ajo që e ka vërtetuar mendësinë e tyre dhe tendencën e tyre kundër nesh”, thotë Blakaj.