OPINIONTË FUNDIT

Kosova në vijë me Perëndimin – Ukshini: Koha që BE-SHBA të japin mbështetje konkrete

Kosova ka ndërmarrë masa ndëshkuese kundër Rusisë, për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës, duke i miratuar katër pakot me sanksionet e fundit të Bashkimit Evropian kundër Moskës.

Kosova u rreshtua përkrah Perëndimit menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë Ukrainës në shkurt 2022, duke i vënë sanksione Moskës.

Mirëpo, çfarë efekte kanë këto sanksione dhe çfarë mesazhi po u dërgon Kosova ndërkombëtarëve, foli ish-ambasadori Sylë Ukshini.

Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se vendimi për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, përbën një hap të madh për politikën e jashtme të Kosovës.

Sipas tij, me këtë vendim, qeveria e shtetot tonë po përçon mesazhin se është e përkushtuar në politikat perëndimore.

ImageSylë Ukshini.Foto galeri
“Vendimi i Kosovës për të miratuar katër pakot e fundit të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, si përgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë, përbën një hap të rëndësishëm në politikën e jashtme të saj. Ky veprim bart një domethënie të gjerë politike dhe simbolike, që shkon përtej rreshtimit formal me qëndrimet e Brukselit dhe Uashingtonit.

Me këtë vendim, Kosova përcjell mesazhin se është e angazhuar të qëndrojë në kampin perëndimor, duke u vendosur si pjesë e rendit ndërkombëtar që mbështetet në rregulla dhe parime demokratike. Ky pozicionim e distancon qartë nga Rusia, e cila shpesh ka tentuar ta instrumentalizojë çështjen e Kosovës për të legjitimuar ndërhyrjet e saj në hapësirat ish-sovjetike”, theksoi ish-amabasadori.

Krahas kësaj, Ukshini vuri në pah edhe dallimet e Kosovës me Serbinë, në politikat e tyre karshi atyre ndërkombëtare në raport me Rusinë.

Gjithashtu, përdallim nga Serbia, ai potencoi faktin se Kosova demonstron vullnet politik për t’u përafruar me standardet evropiane.

“Interesant është fakti se, ndonëse Serbia ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, burime ndërkombëtare kanë raportuar se Beogradi, përmes kanaleve të saj të vjetra të furnizimit, ka shërbyer si vend transit për shitjen e armëve drejt Ukrainës. Kjo tregon një pozicionim kontradiktor të Serbisë, por njëkohësisht e thekson më qartë dallimin e Kosovës: ajo nuk vepron fshehtas apo në mënyrë pragmatike, por deklarativisht dhe politikisht rreshtohet me Perëndimin.

Në kontekstin e procesit të integrimit, ky hap mund të konsiderohet si formë e kapitalit politik. Përputhja e politikës së jashtme me atë të BE-së është një prej kritereve që vlerësohen tek vendet aspirante. Ndryshe nga Serbia, e cila nuk ka përqafuar sanksionet, Kosova demonstron vullnet politik për t’u përafruar me standardet evropiane. Kjo i jep asaj një avantazh moral dhe diplomatik, duke e prezantuar si aktor më koherent dhe më të gatshëm për integrim”, shtjelloi ai.

Ndër të tjera, ish-ambasadori tha se vendimi në fjalë dërgon sinjal se shteti ynë kontribuon në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Nga perspektiva e SHBA-së dhe NATO-s, ky vendim i Kosovës është dëshmi e qartë e përkatësisë strategjike. Ai dërgon sinjal se Kosova është pjesë e arkitekturës së sigurisë transatlantike dhe kontribuon në forcimin e argumentit se ajo është një faktor i domosdoshëm për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, realiteti diplomatik tregon se kjo nuk mjafton. Takimi i fundit i Sekretarit amerikan të Shtetit me presidentin e Serbisë, i zhvilluar pikërisht në ditën dhe orët kur ndodhi agresioni i armatosur serb në Banjska, është një shembull i qartë i kësaj ambivalencë. Për Kosovën, ky takim u përjetua si nënçmim i kërkesave të saj të përsëritura për dorëzimin e organizatorit kryesor të sulmit, Milan Radoiçiq”, nënvizoi Ukshini.

Në fund, ai shtoi se rreshtimi politik e përmirëson imazhin ndërkombëtar të Kosovës, por që duhet bërë punë edhe në disa pika tjera, e të cilat janë sfida për vendin tonë.

“Harmonizimi i politikës së jashtme të Kosovës me BE-në dhe SHBA-në i ka dhënë asaj kredibilitet dhe legjitimitet në arenën ndërkombëtare, duke u shndërruar në një instrument të fuqishëm të soft poëer-it. Megjithatë, kjo është vetëm një pjesë e ekuacionit. Rreshtimi politik e përmirëson imazhin ndërkombëtar të Kosovës, por nuk mjafton për të garantuar avancim të menjëhershëm në integrimin evropian apo për të forcuar pozicionin e saj në dialogun me Serbinë. Kosova mbetet përballë sfidave të mëdha: të shndërrojë kapitalin politik në përfitime konkrete diplomatike, të ruajë konsistencën strategjike dhe të insistojë që të mos injorohen kërkesat e saj legjitime në kontekste si Banjska. Vetëm në këtë mënyrë, ky kapital i fituar do të mund të kthehet në mbështetje të qëndrueshme për integrimin dhe sovranitetin e saj”, përfundoi Sylë Ukshini për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *