Suksesi i Kosovës në siguri globale, pse “heshtën” mediat dhe opozita në Kosovë
Raporti më i ri i organizatës amerikane Gallup “Siguria Globale 2025”, e ka renditur Kosovën në krye të listave botërore për siguri publike dhe besim në institucionet e rendit.
Kosova është renditur e para në Evropë dhe e treta në botë në Indeksin për Ligj dhe Rend të publikuar nga Gallup, duke grumbulluar 94 pikë nga 100 të mundshme – një arritje historike që e vendos vendin përkrah shteteve më të sigurta në botë.
Ky është rezultati më i lartë që Kosova ka shënuar ndonjëherë në këtë indeks prestigjioz ndërkombëtar, i cili mat perceptimin e qytetarëve lidhur me sigurinë personale, besimin te policia dhe rrezikun për të qenë viktimë e krimeve të dhunshme apo vjedhjeve.
Sipas të dhënave, Kosova ka shënuar progres të dukshëm në të gjithë treguesit kryesorë të indeksit, duke lënë pas shumicën e vendeve të Evropës dhe shumë shtete të zhvilluara në botë. Kjo dëshmon për përmirësimet reale në sundimin e ligjit dhe efikasitetin e institucioneve të sigurisë në vend.
Ky vlerësim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përforcimin e imazhit të Kosovës si një vend i sigurt për të jetuar, vizituar dhe investuar. Në të njëjtën kohë, ai reflekton rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike, veçanërisht në ato që merren me garantimin e rendit dhe sigurisë.
Pas publikimit të raportit ka reaguar edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo këtë e konsideron lajm të jashtëzakonshëm.
“Lajm i jashtëzakonshëm!
Sipas raportit të organizatës amerikane Gallup ‘Siguria Globale 2025’, Kosova renditet e 1-ra në Evropë dhe e 3-ta në botë në Indeksin për Ligj dhe Rend, me gjithsej 94/100 pikë.”, shkruan në reagimit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Rëndësia e raportit dhe puna e institucioneve të Kosovës
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, duke komentuar këtë raport, thotë se kjo tregon përkushtimin dhe punën e pandalshme të institucioneve të sigurisë.
ImageEksperti i sigurisë, Arben DashevciFoto galeri
“Sipas raportit të organizatës amerikane Gallup “Siguria Globale 2025”, e publikuar në Shtatorë Kosova me të drejtë mendoj unë renditet e 1-ra në Evropë dhe e 3-ta në botë në Indeksin për Ligj dhe Rend, me gjithsej 94/100 pikë. Kjo tregon përkushtim dhe punën a pandalshme të institucioneve tona të sigurisë, duke pasur parasysh se Kosova është ballafaquar me Banjskën që ka qenë sulmi më i madh që nga shpallja e pavarësisë dhe menaxhimi i asaj krize dhe krizave tjera të sigurisë ka pasur jehonë ndërkombëtare sepse është treguar profesionalizëm policorë i pa parë deri më sot në rajon, ka pasur bashkëpunim, koordinim dhe bashkëveprim me reaguesin e dytë nga BE dhe reaguesin e tretë NATO me misionin e saj në Kosovë KFOR”, deklaron Dashevci për “Bota sot”.
Sipas tij, këto raporte ndërkombëtare kanë rëndësi të madhe sepse demantojnë në praktik qasjen destruktive të Serbisë, luftën e saj hibride dhe dezinformatat e vazhdueshme.
Eksperti shton se ky lajm duhet të vazhdohet të promovohet dhe të mos ndalet me kaq.
“Renditja e Kosovës në raportin e Gallup Global Safety Report për gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve në vend është dëshmi e punës 24/7 të institucioneve tona të sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim kombësie, race ose etnie. Këto raporte ndërkombëtare kanë rëndësi të madhe sepse e demantojnë në praktik qasjen destruktive të Serbisë, luftën e saj hibride, propagandën dhe dezinformatat e tyre të vazhdueshme kundrejt vendit tonë, ata nuk janë ndalur kur në mediet e tyre të shkruara dhe elektronike të kontrolluara nga Qeveria e Serbisë dhe tentojnë çdo progres në Kosovë ta shndërrojnë në regres, por pa sukses. Promovimin e këtij lajmi duhet ta bënë diplomacia, politika e vendit tonë me qasje pro aktive t’i shpjegoj botës suksesin në praktikë, ky lajm mendoj unë është promovuar nga mediat por duhet të vazhdohet të promovohet dhe mos të ndalet me kaq, sepse suksesi është i të gjithëve, edhe mediat e kanë pasur gjithmonë dhe e kanë rolin e tyre të madh në promovimin e gjërave pozitive si ky lajm i mirë sot”, shton eksperti.
Rreth këtij lajmi, ka folur edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se këtij lajmi do të duhej t’i gëzohej edhe opozita.
“Kosova është ndër vendet më të sigurta për të jetuar, dhe kjo pasqyrohet edhe në raportin më të fundit nga instituti Gallup. Ky është lajm që do duhej t’i gëzohej edhe opozita”, ka shkruar Murati.
Në anën tjetër, rreth raportit të Gallup “Siguria Globale 2025”, nga opozita nuk ka pasur reagime, madje edhe në mediat në Kosovë nuk i kanë kushtuar rëndësi.
“Heshtja” ndaj raportit
ImageFaton MehmetiFoto galeri
Analisti politik, Faton Mehmeti, thotë se raporti i fundit i organizatës amerikane Gallup, është një lajm i madh dhe ndoshta një nga më të mirët në vitet e fundit.
Sipas tij, kjo është një arritje që duhej të jehonte jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Bruksel, Uashington e çdo kryeqytet evropian.
“Raporti i fundit i organizatës amerikane Gallup – “Siguria Globale 2025”, ku Kosova renditet e para në Evropë dhe e treta në botë për Indeksin e Ligjit dhe Rendit me 94/100 pikë, është një lajm i madh, ndoshta një nga më të mirët që kemi marrë vitet e fundit për imazhin e shtetit tonë. Të jesh mbi vendet e BE-së, të jesh mbi shtete që kanë dekada stabilitet e institucione të konsoliduara, është një tregues se Kosova nuk është më “zona gri” e Ballkanit, por një vend ku qytetarët ndihen të sigurt, ku policia është e besueshme dhe ku rendi ligjor është faktor i prekshëm në jetën e përditshme”.
“Kjo është një arritje që duhej të jehonte jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Bruksel, Ëashington e çdo kryeqytet europian. Përse? Sepse në një kohë kur imazhi i Kosovës shpesh lidhet me tensione politike, me veri të destabilizuar apo me probleme të korrupsionit, ky raport tregon një realitet tjetër: se qytetari i thjeshtë i Kosovës ka besim më të madh në rend dhe siguri se shumica e evropianëve”, deklaron Mehmeti.
Ai thotë se mediat shpesh preferojnë skandalin e ditës dhe klimet, sesa lajmin pozitiv që forcon imazhin e shtetit.
“Megjithatë, në vend që ky rezultat të bëhej kryetitull, në vend që institucionet dhe media jonë të organizonin fushata për ta vënë Kosovën në hartën e sukseseve ndërkombëtare, ndodhi e kundërta: heshtje, minimizim, mosjehonim. Pse? Sepse mediat shpesh preferojnë skandalin e ditës dhe klikimet, sesa lajmin pozitiv që forcon imazhin e shtetit. Sepse disa prej faktorëve ndërkombëtarë nuk e duan një Kosovë që shfaqet si histori suksesi, por si problem i përhershëm”, përfundon analisti.
Detaje rreth organizatës amerikane “Gallup”
Gallup, e themeluar në vitin 1935 nga George Gallup, është një nga organizatat më të njohura globale për hulumtime të opinionit publik, analizë sociale dhe matje të mirëqenies. Me seli në SHBA dhe veprimtari në mbi 160 vende, Gallup njihet për indekset e saj globale si World Poll, Law and Order Index dhe Global Emotions Report, që përdoren gjerësisht nga qeveritë, mediat dhe organizatat ndërkombëtare për të kuptuar perceptimet e njerëzve në mbarë botën.
Gallup nuk është një organizatë politike apo qeveritare, por një institut kërkimor i pavarur që ka ndërtuar një reputacion global për besueshmërinë dhe saktësinë e të dhënave që publikon.