OPINIONTË FUNDIT

Vlera e banesave mund të bie përtokë, bankat s’po kanë pare me dhanë kredi

Nga Viktor Buzhala

Për 7 muajt e parë të vitit, depozitat në banka nuk janë rritur thuajse fare. Për rrjedhojë, bankat tashmë kanë hyrë në një krizë dhe nuk po mund të lëshojnë kredi në shumë raste, pasi s’kanë para.

Në 5 muajt e parë u lëshuan 500 milionë euro, apo rreth 100 milionë në muaj, ndërkohë që dy muajt vijues vetëm nga 50 milionë, pra përgjysmë më pak. Kjo nënkupton se është ndezur drita e kuqe.

Sipas raportit të fundit të BQK-së, gati 92 për qind e depozitave tashmë janë dhënë në kredi. Kjo nënkupton që kufiri i epërm i shëndetit të sistemit bankar është tejkaluar. Nëse kalohet shifra mbi 90 për qind, bankat rrezikojnë të mos jenë likuide, pra të mos kenë çka t’ju japin kur dëshironi t’i tërhiqni paratë tuaja në bankomat. Kjo është e rrezikshme.

Pra, ndërtimet pa kontrolle dhe blerja masive e banesave që lihen të zbrazëta po japin efektet e veta. Bankat, duke dhënë kredi masive për to, i kanë shpenzuar paratë që do të mund të financonin biznese të shëndetshme, sidomos prodhimtarinë.

Këtu çdo investim i sigurt shihet te patundshmëria. Por, është shumë afër koha kur patundshmëritë mund të futen në një krizë të tmerrshme me humbje masive të vlerës, pasi nuk do të ketë më para për t’i blerë, e as bankat nuk do të mund të japin kredi.

Kjo, në fakt, po ndodh tashmë. Prandaj, mos e shihni investimin në toka e banesa aq të leverdishëm. Koha e mjaltit po përfundon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *