Kurti në Podujevë përuron Poliklinikën Specialistike, investim 2 milionë euro
Në Podujevë sot është përuruar Poliklinika Specialistike, një projekt shëndetësor që kap vlerën e rreth 2.43 milionë eurove. Në ceremoninë e hapjes mori pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e këtij investimi për qytetarët e komunës.
Kurti tha se objekti i ri do të ofrojë 15 shërbime specialistike, përfshirë edhe repartin e hemodializës, i cili ka filluar funksionimin një muaj më parë.
“Ky institucion shëndetësor do t’u mundësojë qytetarëve të marrin shërbime të specializuara pa qenë nevoja të udhëtojnë në Prishtinë. Vlera e përgjithshme e investimit është rreth 2.43 milionë euro dhe do të vazhdojmë edhe me projekte të tjera në Podujevë, gjithmonë në të mirë të qytetarëve”, tha ai.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, u shpreh se ky investim është dëshmi e realizimit të premtimeve të dhëna.
“Sot po i japim qytetarëve tanë 15 shërbime të reja në poliklinikë. Nuk do të kenë më nevojë të presin e të maltretohen në Prishtinë. Jemi të kënaqur që kemi krijuar një ambient modern me kushte dhe standarde bashkëkohore”, deklaroi Bulliqi.
Hapja e Poliklinikës pritet të lehtësojë qasjen në shërbime shëndetësore për mijëra qytetarë të Podujevës dhe rrethinës.