Kërcënimi i heshtur i Serbisë, Ngjela me deklaratë të fortë: Një sulm ndaj Kosovës është sulm ndaj NATO-s!
Më 20 shtator, në Beograd u mbajt një paradë ushtarake e ndjekur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë së cilës parakaluan mijëra trupa dhe u ekspozua armatimi më i avancuar i ushtrisë serbe, nga autoblindat deri te avionët luftarakë.
Parada u organizua nën moton “Forca e Unitetit”, në një kohë kur vendi po përballet me protesta të vazhdueshme antiqeveritare, të nxitura veçanërisht pas një aksidenti tragjik në Novi Sad nëntorin e kaluar, ku humbën jetën 16 persona.
Disa këtë zhvillim, e cilësuan si si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Kjo nisur, nga provokimet dhe kërcënimet e vazhdueshme që Serbia i bën në vazhdimësi përmes politikave të saj.
E për këtë çështje për “Bota sot” foli avokati shqiptar, Spartak Ngjela.
Sipas tij, Serbia mund vetëm të provokojë, por nuk guxon ta sulmojë më Kosovën, pasi e di se SHBA mbështet shtetin tonë.
Madje, avokati theksoi faktin se NATO e ka çliruar Kosovën, ku në këtë rast një sulm ndaj saj do ishte sulm ndaj NATO-s.
“Asgjë nuk mund t’i bëjë Serbia, Kosovës. Aja ka mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kosova është çliruar nga NATO dhe SHBA! Kjo mbyll çdo dilemë – një sulm i mundshëm i Serbisë ndaj Kosovës do të konsiderohej një sulm kundër NATO-s”, deklaroi Ngjela për “Bota sot”.
Pas përfundimit të luftës së vitit 1999 dhe intervenimit të NATO-s që çoi në çlirimin e Kosovës, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka vazhduar të mbetet një vatër tensioni, ku paqja është shpesh e brishtë dhe e ndikuar nga lojërat gjeopolitike të aktorëve të jashtëm.
Serbia, e mbështetur shpesh nga Rusia dhe Kina në politikën ndërkombëtare, refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që tensionet në veri të vendit tonë – ku ka një shumicë serbe – shpesh shfrytëzohen nga Beogradi për të nxitur destabilitet. Përballë kësaj, Kosova mbështetet fuqimisht në aleancat perëndimore, veçanërisht në SHBA dhe BE, për të garantuar sigurinë dhe zhvillimin e saj.
Në këtë kontekst, çdo demonstrim force nga Serbia, si parada ushtarake e 20 shtatorit, përbën jo vetëm një provokim simbolik, por edhe një kujtesë të zymtë për rrezikun që paraqesin politikat revizioniste në një rajon ende të pambyllur historikisht.