Mjaft me “sundim”, koha për shërbim – Hysni Mehani sfidon pushtetin 20-vjeçar në Skënderaj
Zgjedhjet lokale të 12 tetorit po afrojnë dhe partitë politike veçse kanë filluar me fushatat e tyre dhe shpalosjen e programeve në komunat e Kosovës.
E fushatën e tij, e ka filluar edhe kandidati për kryetar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për komunën e Skënderajt, Hysni Mehani.
Mehani, synon ta çojë këtë komunë drejt një modeli të ri të qeverisjes, duke premtuar transparencë, zhvillim dhe rikthim të shpresës për qytetarët.
Në një intervistë për “Bota sot”, Mehani flet për dështimet e së kaluarës, sfidat që ka hasur gjatë fushatës, si dhe prioritetet kryesore që do të ndjekë nëse fiton besimin e qytetarëve të Skënderajt.
Ai thekson nevojën për ndarje nga e kaluara politike dhe për një orientim drejt një administrate që i shërben qytetarit, e jo interesave të ngushta partiake, përcjell “Bota sot”.
Intervista e plotë:
Gazeta “Bota sot”: Skënderaj ka qenë për më shumë se dy dekada nën drejtimin e PDK-së. Si e vlerësoni këtë periudhë të qeverisjes? Çfarë ka funksionuar dhe çfarë jo?
Hysni Mehani: Gjatë kësaj periudhë të qeverisjes fatkeqësisht asgjë nuk ka funksionuar në të mirë të qytetarëve. Nuk duhet të jem nihilist, asfalt është shtruar deri diku. Por, asgjë tjetër nuk është bërë për së mbari. Skënderaj vuan nga mungesa u ujit. Mungesa e çerdheve e kopshteve. Mungesa e zhvillimit ekonomik dhe perspektivës për të rinj.
Gazeta “Bota sot”: Çfarë do t’u thoni atyre qytetarëve që kanë hezitime për të votuar një kandidat të LVV-së, për shkak të trashëgimisë politike në Skënderaj?
Hysni Mehani: Krejt Skënderaj dikur ka qenë me LDK. Bastionet sjellin dogmatizëm, jo zhvillim. E unë besoj që Skënderaj do të rreshtohet nga zhvillimi dhe jo nga ata që për 20 vite janë pasuruar tepër shumë në kurriz të qytetarëve të Skënderajt.
Gazeta “Bota sot”: A keni hasur në vështirësi politike apo presione për shkak të vendosmërisë suaj për të sfiduar pushtetin tradicional në këtë komunë?
Hysni Mehani: Shumë. Por ky nuk është momenti të flasim për vështirësi, është momenti të flasim për shpresë e zhvillim.
Kur një parti sulmohet në mënyrë aq brutale gjatë mbajtjes së një tubimi elektoral, siç jemi sulmuar në më 27 janar të vitit të kaluar, pyetja juaj e ka përgjegjën ende pa u shtruar.
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë tre prioritetet kryesore që do i realizoni në mandatin tuaj si kryetar i Skënderajt?
Hysni Mehani: Ujë të pijes. Trafik publik dhe çerdhe për të gjithë fëmijët e Skënderajt.
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë disa nga problemet më të shumta me të cilat përballen qytetarët e Skënderajt?
Hysni Mehani: Në prioritetet që u përgjigja më lart, janë edhe problemet që do t’i zgjidhim.
Gazeta “Bota sot”: A mendoni se qytetarët e Skënderajt kanë nevojë për një model të ri politik dhe administrativ, ndryshe nga ai që ka përfaqësuar Sami Lushtaku? Në çfarë forme do ta sillni këtë ndryshim?
Hysni Mehani: Po, kanë nevojë shumë. Modelin që do t’a sjellim në është të ju shërbejme qytetarëve, jo t’i sundojmë siç bën Sami Lushtaku.
Gazeta “Bota sot”: A e shihni kandidaturën tuaj si një mundësi për qytetarët që të dalin nga një cikël politik i dominimit të një subjekti të vetëm? Pse është kjo e rëndësishme për Skënderajn sot?
Hysni Mehani: Kandidatura ime përveç daljes nga ky cikël është mundësi për zhvillim. Është e rëndësishme, sepse është momenti i fundit të mbrojmë edhe atë pak publike që ka mbetur.