Bytyçi: Kjo është Amerika që i duhet Kosovës!
Prof. Dr. Enver Bytyçi
Kongresisti republikan nga Florida, Brian Mast, ka paraqitur për miratim një amendament në Kongres, i cili i kërkon SHBA-së angazhim të shtuar në Ballkan dhe një gjuhë të qartë në raport me rajonin. Përmes këtij amandamenti ai ka kërkuar gjithashtu mbështetjen e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj të ardhshëm në NATO.
Ky amandament është pikërisht ajo që i duhet Kosovës. Sigurisht që janë të rëndësishme edhe pikat e tjera të këtij amandamenti si psh rritja e presionit ndaj Serbisë për bashkëpunimin e saj me Moskën dhe mos aplikimin e sanksioneve kundër Rusisë. Apo paralajmërimi për ata që dëmtojnë paqen dhe sigurinë në rajon. Përmes këtyre masave autoritetet e Beogradit detyrohen t’i bashkohen paqes dhe përpjekjeve për stabilitet në rajonin tonë. Po pse anëtarësimi i Kosovës në Aleancën Atlantike është thembra e Akilit për zgjidhjen e të gjitha konflikteve në Ballkan?
Të qenit anëtar i NATO-s do të thotë rrumbullakosje e plotë e shtetësisë, pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Kosovës. Qytetarët e këtij vendi do të ndjehen të sigurt dhe zot në vendin e tyre. Edhe pakica serbe do të joshet e përfundimisht do ta pranojë shtetin e Kosovës. Sipërmarrësit e kompanive amerikane dhe europiane përfundimisht lëshojnë ndjenjën e frikës dhe do të shtojnë investimet në këtë vend. Kosova do të kishte përfundimisht garancinë e Nenit 5 të Paktit, nëse ajo do të cënohej në territorin e saj, në rastin konkret nga ana e Serbisë.
Pranimi në NATO i Kosovës rrit gjithashtu xhelozinë serbe. “Si? Ata në NATO dhe ne jashtë saj”? do të thonë në Beograd! Në këtë kuptim ky pranim do ta detyrojë Beogradin që të kuptojë se “Murit me kokë nuk mund t’i bihet’ dhe të kërkojë edhe ajo me shpejtësi anëtarësimin në këtë organizatë politike dhe ushtarake, më të fuqishmen e globit. Eshtë logjike se as anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk e forcon integritetin dhe sovranitetin e saj territorial, politik dhe institucional, sa anëtarësimi në Aleancën Atlantike. Përveç kësaj NATO do të përfitojë nga ky anëtarësim një anëtar që jep kontribute ekselente në krahasim me vendet e tjera të rajonit ose të kontinentit Europian, gjithnjë në raport me sipërfaqen dhe popullsinë e njëjtë. Përfitimet e Aleancës nga ky anëtarësim janë të shumëfishta dhe ushtria e Kosovës do të vihej me energji të pazevendësueshme në shërbim të misioneve të paqes së kësaj organizate.
Në kushtet e zhvillimeve të sotme anëtarësimi i Kosovës në NATO është i domozdoshëm dhe krijon vetëm stabilitet dhe siguri më të madhe jo vetëm për këtë vend ende të panjohur edhe nga katër vende anëtare të kësaj organizate. Siguria dhe stabiliteti që krijon Kosova e njohur prej atyre katër vendeve dhe e vlerësuar me anëtarësim nga të gjitha vendet e tjera të Paktit Atlantik shkojnë madje përtej Ballkanit, deri në kufijtë europianë të Lindjes dhe në Europën Qendrore. Nuk ka asnjë vend tjetër, përfshirë edhe SHBA-të, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, të motivuar aq shumë sa Kosova për t’i kontribuar NATO-s. Ajo ndjehet krenare, nëse do t’i jepej shansi të kthejë sadopak “borxhin” ndaj SHBA-ve dhe NATO-s në rastin e bombardimeve të pranverës së vitit 1999 për çlirimin e saj dhe vendosjen e paqes e të lirisë në këtë vend.
Megjithatë, nëse do të ketë një proces anëtarësimi të Kosovës në NATO dhe mesa duket kjo do të ndodhë, atëherë do të duhet bërë kujdes që të mos kemi një fus-notë të re në vendimmarrjen e pranimit të saj. Që do të thotë nuk do të duhej pranuar që edhe më tej të mbetej enigmë e ardhmja e Kosovës. Shtetësia, integriteti territorial dhe sovraniteti i plotë i institucioneve të Kosovës do të duhet të formulohen qartë dhe e drejta e pranimit do të duhet të jetë e plotë.
Propozimi i konkresistit republikan amerikan, Brian Mast, është një hap vendimtar, i cili zgjon optimizëm jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë Ballkanin. Bosnjë-Hercegovina do të nxitonte së bashku me Serbinë të kapnin ritmin e Kosovës dhe më në fund rajoni ynë do të dëshmojë stabilitet të plotë, të qëndrueshëm dhe të përhershëm. Ndërkohë rreziqet e jashtme që vijnë si psh nga agresioni rus në Ukrainë do të pakësoheshin. Kosova dhe pranimi i saj në aleancë mund të bëhet test edhe për unitetin e bashkimit të të gjitha vendeve anëtare të NATO-s. Dhe kjo do të shënonte përfundimisht kapitalizimin e të gjitha përpjekjeve më shumë se treçerek shekulli në dobi të paqes dhe sigurisë globale të kësaj organizate.
Për të gjitha këto arsye duhet kuptuar se angazhimi amerikan për pranimin e Kosovës në NATO është ajo që i duhet Kosovës. Kjo do t’u jepte fund të gjitha cicmiceve që ndodhin sot në marrëdhëniet midis të dy vendeve. Duhet kuptuar se frustërimi në Kosovë është i madh dhe legjitim, sa kohë ka dyshime për të ardhmen e shtetit dhe sigurinë territoriale të saj. Edhe dialogu strategjik do të kishte kuptim dhe një fund të lumtur për Kosovën, për SHBA-të dhe për të gjitha vendet anëtare të NATO-s