Kosova drejt NATO-s? Eksperti austriak tregon pse tani është momenti vendimtar!
Kongresisti republikan nga Florida, Brian Mast, ka paraqitur për miratim një amendament në Kongres, i cili i kërkon SHBA-së angazhim të shtuar në Ballkan dhe një gjuhë të qartë në raport me rajonin.
Ndër të tjera, Mast, ka kërkuar që anëtarësimi i Kosovës në NATO të jetë prioritet i politikës së shtetit më të fuqishëm në botë.
E në lidhje me këtë kërkesë të kongresistit amerikan, për “Bota sot” foli eksperti austriak, Gunther Fehlinger.
Së pari, ai u shpreh se SHBA duhet dhe do ta ftojë Kosovën t’i bashkohet NATO-s si aleate e plotë.
Sipas tij, shteti ynë duhet të ketë besim te Trump, derisa rikujtoi faktin se ishte pikërisht presidenti amerikan që ia siguroi njohjen e Izraelit, Kosovës.
ImageGunther Fehlinger.Foto galeri
“Amerika do ta ftojë dhe duhet ta ftojë Kosovën në NATO tani si aleate të plotë.
Kosova u çlirua nga Amerika dhe u rindërtua nga Amerika dhe u njoh si shtet i pavarur nga Amerika, megjithatë, për një dekadë të tërë, nën udhëheqjen administratave të Obamës dhe Bidenit, Kosova sikur u la pak pas dore. Mirëpo, tani nën Trump, Kosova është rikthyer dhe mos bëni gabim, Trump e bëri Izraelin të njohë Kosovë. Po ashtu, gjatë mandatit të tij, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u bënë anëtare të NATO-s. Ai i bën gjërat sapo të përqendrohet dhe tani duhet të përqendrohet që Kosova dhe Bosnja të bashkohen me NATO-n”, nënvizoi eksperti.
Krahas kësaj, Fehlinger beson fuqisëhm se Kosova dhe Bosnja do anëtarësohen në NATO në vitin 2026, pasi ishte kjo e fundi që i çliroi të dy shtetet nga gjenocidi dhe masakrat serbe.
Po ashtu, tregoi se pse tani është më e lehtë për Kosovën që të anëtarësohet në NATO.
“NATO ka çliruar të dy viktimat e gjenocidit serb dhe e ka detyrimin e mbrojtjes së sigurisë së jashtme për Bosnjën dhe Kosovën gjithsesi, kështu që parametri ynë i mbrojtjes së NATO-s nuk ndryshon asnjë centimetër duke shtuar Kosovën dhe Bosnjën në NATO në vitin 2026.
Amerika e mori këtë mesazh tani dhe meqë lufta ruse po ushtron presion masiv mbi NATO-n, Trump ka nevojë për një fitore të shpejtë para zgjedhjeve të mesit të mandatit të vitit 2026 dhe Kosova dhe Bosnja në NATO janë fitorja e shpejtë e disponueshme. Tani është e nevojshme të bashkohet lobimi i Kosovës dhe Bosnjës në SHBA për t’i futur të dyja në NATO. Dodik është larguar tani dhe Vuçiç është në prag të largimit, dhe të dy shihen dhe janë asete ruse, kështu që fuqia e tyre bllokuese është zero tani në NATO. Orban dhe Fico janë larguar në vitin 2026, kështu që ratifikimi do të jetë i lehtë”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, eksperti austriak parashikoi edhe rritje të presionit ndaj shteteve të cilat nuk e njohin Kosovën, derisa theksoi se Kallas dhe Leyen do jenë në anën e shtetit tonë.
“Spanja socialiste është në listën e goditjeve të Trump, kështu që presioni mbi 4 vendet mosnjohëse do të rritet nga goditjet me çekiç të Trump dhe udhëheqja e BE-së e udhëhequr nga binjaket e çelikut Kaja dhe Ursula do të jetë në anën e Kosovës, në anën e paqes në Ballkan nëpërmjet NATO-s dhe integrimit në BE.
Vetëm Kosova duhet të ketë një qeveri të arsyeshme me qasje në pushtet në NATO”, përfundoi Gunther Fehlinger për “Bota sot”.