Gjermania s’i le hapësirë gënjeshtrave të Listës Serbe – Kryeziu mbështet fuqishëm Rohde-n
Kadri Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Listës Serbe, e cila pretendon se integrimi i arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës nuk ka qenë asnjëherë pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Në një reagim në Facebook, Kryeziu vlerëson qartë qëndrimin e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, i cili i hodhi poshtë publikisht këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta, përcjell “Bota sot”.
“Kur Rohde flet troç, nuk ka kush që ia kalon,” shkruan Kryeziu, duke përshëndetur gjuhën e drejtpërdrejtë të diplomatit gjerman, i cili, sipas tij, hoqi dorë nga ‘moralizmat diplomatike’ dhe u shpreh qartë: integrimi i institucioneve serbe në sistemin e Kosovës është pjesë e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, të nënshkruara dhe të dokumentuara ndërkombëtarisht.
Kryeziu kujton kohët e errëta të viteve ’90, kur një deklaratë e Beogradit përhapej nëpër Kosovë si e vërtetë absolute, dhe thekson se sot është ndryshe – tani ka marrëveshje, institucione demokratike dhe përfaqësues ndërkombëtarë që flasin me fakte, jo me propagandë.
Shkrimi i plotë
Kur Rohde flet Troç
Kur Rohde ia fut kot, ia fut kot. Por kur flet drejt, nuk ka kush që ia kalon.
👇👇👇
E kam thënë shpesh që nuk jam nga ata që i bien daulleve për çdo fjali të ambasadorit gjerman. Jo pak herë na ka lodhur me moralizma diplomatike që nuk thonë asgjë. Por këtë herë, Jörn Rohde foli ashtu siç duhet: troç dhe pa dorashka.
Lista Serbe doli dje me radhën e radhës të mashtrimeve, duke thënë se integrimi i arsimit dhe shëndetësisë nuk ka qenë kurrë pjesë e marrëveshjeve. Rohde ua preu shkurt: “Kjo nuk është e vërtetë.” Pikë. Në vitin 2013 në Bruksel është nënshkruar, në Ohër është vulosur. Dokumente janë, jo opinione televizive.
Dhe ky është dallimi i madh me vitet ’90, kur një fjali e Beogradit shpërndahej në fshatrat e Kosovës si e vërtetë hyjnore. Sot ka marrëveshje ndërkombëtare, ka BE, ka partnerë perëndimorë që ua thonë në sy: integrimi nuk është opsion, është detyrim.
Faleminderit ambasadorit gjerman që këtë herë foli siç duhet. Sepse këtu, shpesh, edhe kur thua të vërtetën të kthehet mbrapsht si problem. Por kur del nga goja e një diplomati të Quint-it, nuk mund ta shpërfillësh.
Mesazhi është i qartë: qytetarët serbë të Kosovës i kanë të garantuara të drejtat dhe shërbimet nga Kushtetuta e Kosovës dhe nga marrëveshjet ndërkombëtare. Lista Serbe ka vetëm një rrugë – të pranojë realitetin dhe të heqë dorë nga gënjeshtrat. Sepse zgjedhjet nuk mbrohen me mashtrime, por me respekt për demokracinë dhe institucionet.
Kadri Kryeziu
Prizren, 19 shtator 2025