Fushatë e rrezikshme në veri të Kosovës, Mehmeti alarmon për rrezikun nga Lista Serbe
Në tubimin e parë zgjedhor në veri të Mitrovicës, Lista Serbe ka nisur fushatën jo me programe për mirëqenien e serbëve të Kosovës, por me thirrje për “çlirim të Kosovës” dhe glorifikim të terroristit Milan Radojçiq.
“Të gjithë për vëlla Milanin” ishte njëra nga parullat kryesore, ndërsa tubimi filloi me intonimin e himnit të Serbisë.
Në vend të diskutimit për problemet sociale të komunitetit serb, folësit sulmuan qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
E në lidhje me këtë qasje dhe deklarata provokuese të Listës Serbe për “Bota sot” foli analisti politik, Faton Mehmeti.
Fillimisht, këto deklarata të Listës Serbe i cilësoi si shumë shqetësuese, derisa përmendi lidhjet e saj me kryekriminelin Radoiçiq.
ImageFaton Mehmeti.Foto galeri
Madje, tha se thirrjet e fundit janë thirrje edhe për destabilizim.
“Ky zhvillim është shqetësues në disa dimensione. Së pari, fakti që një subjekt politik si Lista Serbe e nis fushatën jo me programe konkrete për qytetarët që pretendon se përfaqëson, por me glorifikim të një personi të shpallur terrorist si Milan Radojçiq, tregon qartë se nuk bëhet fjalë për parti demokratike, por për një strukturë politike të instrumentalizuar nga Beogradi. Parulla të tilla si “Të gjithë për vëlla Milanin” janë jo vetëm fyerje për viktimat e dhunës që ai ka ushtruar, por edhe thirrje për destabilizim”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, Mehmeti komentoi edhe intonimin e himnit serb, e që sipas tij i paraqet zgjedhjet si proces i agjendës paralele.
“Së dyti, intonimi i himnit të Serbisë në një tubim zgjedhor në Kosovë është akt i hapur sfidues ndaj sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Ky veprim i paraqet zgjedhjet si pjesë të një agjende paralele, jo si proces demokratik brenda kornizës së shtetit të Kosovës”.
Ndër të tjera, analisti kërkoi reagim nga institucionet e drejtësisë dhe të merren masat e merituara ndëshkuese.
“Prandaj, organet e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë duhet të reagojnë me vendosmëri. Thirrjet e tilla janë qartazi antikushtetuese dhe bien ndesh me ligjet e Kosovës. Hetimi i pjesëmarrësve dhe organizatorëve është domosdoshmëri, në të kundërtën lejohet që territori i Kosovës të përdoret për propagandë armiqësore”, përfundoi Faton Mehmeti“Bota sot”.