POLITIKATË FUNDIT

Nagavci: Arsimi cilësor dhe i qasshëm për të gjithë është një prej prioriteteve tona

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Konferencës Shkencore Ndërkombëtare me temën “Arsimi gjatë gjithë jetës: Qasje gjithëpërfshirëse që nga fëmijëria e hershme deri tek arsimi dhe aftësimi profesional”, e organizuar nga Instituti Pedagogjik i Kosovës.

Gjatë fjalës së saj para të pranishmëve, ministrja Nagavci theksoi rëndësinë jetike që ka arsimi gjatë gjithë jetës për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe krijimin e mundësive të barabarta për çdo qytetar.

“Arsimi cilësor, gjithëpërfshirës dhe i qasshëm për të gjithë është një prej prioriteteve tona. Ne duhet të sigurojmë që çdo fëmijë të ketë mundësi të barabarta për të mësuar, që të rinjtë të përgatiten për sfidat e kohës, dhe që edhe të rriturit të kenë mundësi të vazhdojnë formimin e tyre profesional,” deklaroi ministrja.

Ajo shtoi se investimi në arsim është një investim i dyfishtë – në të tashmen dhe të ardhmen – duke përgatitur gjeneratat e reja për një pjesëmarrje të suksesshme në tregun e punës dhe në jetën shoqërore.

Ministrja Nagavci shprehu mirënjohje për Institutin Pedagogjik të Kosovës, partnerët ndërkombëtarë dhe të gjithë studiuesit pjesëmarrës në konferencë për përkushtimin dhe kontributin e tyre në avancimin e politikave arsimore në vend.

“Puna dhe përvoja që ndahen në këtë konferencë janë udhërrëfyes të rëndësishëm për përmirësimin e sistemit tonë arsimor,” u shpreh Nagavci.

Konferenca mblodhi studiues dhe ekspertë nga vende të ndryshme, duke ofruar platformë për shkëmbimin e ideve dhe praktikave më të mira në fushën e arsimit gjatë gjithë jetës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *