Banane-republikë/ Kush është më i rrezikshëm për Kosovën – një mafioz i dënuar si pjesëtar i Gjykatës Kushtetuese, apo ata që e mbrojnë atë?
Merre me mend këtë fakt:
Radomir Labani është dënuar me gjashtë vjet burg në Serbi për “veprimtari mafioze” në doganë.
Kërkohet nga Interpoli me fletarrest të Serbisë nga viti 2013.
Kushtet për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, ndër të tjera, janë përvoja profesionale prej të paktën 10 vjet në drejtësi, integritet moral, pa dënime penale dhe me reputacion të shkëlqyer. Emërimi bëhet nga Kuvendi pas propozimit të Komisionit dhe në fund betohet para Presidentit.
Dhe çfarë ka ndodhur? Lista Serbe ka propozuar një njeri të shpallur kriminel nga gjykatat e Beogradit, e Vuçiqit– sigurisht ngaqë ajo e urren Serbinë dhe adhuron Kosovën.
Pastaj Kuvendi (Lista Serbe, LDK, PDK, AAK) dhe betimi para ish-kryetarit Hashim Thaçi e ‘dezinfektojnë’ nga morali i ndotur dhe e vendosin në Gjykatën Kushtetuese – veteranin që kishte banuar tri vjet në burgun hetues.
Nuk mbaron këtu: Asnjë koleg i tij nuk merr iniciativë ta largojë, edhe pse në vitin 2018 Albulena Haxhiu e dekonspiron publikisht.
Tani, as të dhënat e shërbimit sekret të Kosovës nuk mjaftojnë! Përkundrazi, ky njeri konsiderohet përshtatshëm, i pëlqyer si nga Lista Serbe, ashtu edhe nga Vuçiqi.
Natyrisht edhe nga Gjykata Kushtetuese dhe opozita.
Urime Idiokracinë! Edhe Kakoracinë!
Sidoqoftë, mos harroni: është haram të kritikohet ajo Gjykatë e shenjtë.
Në Gjermani e Amerikë kritika është hallall – ia garanton ligji edhe qeverisë. Por në Kosovë e ka ndalur zoti personalisht!
Rekomandim opozitës: Nëse krijoni qeverinë, aprovoni ligjin e zotit me këtë fjali:
Neni 001: Kritika ndaj Gjykatës Kushtetuese është haram i madh; shkelësi do të përballet me sanksione morale dhe sociale: i ndalohet festimi i ditëlindjes për katër vjet, pjesëmarrja në dasma për pesë vjet, interneti për gjashtë vjet, dhe shkuarja në nevojtore për shtatë ditë.
Neni 002. Në raste të rënda, konsiderohet blasfemi, dhe hajvanatit i lejohet të vendosë për dënimin.
Pyetje logjike që kërkojnë përgjigje:
1. Nëse Labani është shndërruar në “patriot kosovar”, pse Lista Serbe nuk kërkon largimin e tij?
2. Nëse Vuçiqi e kërkon me fletarrest, pse gjatë negociatave kurrë nuk ka kërkuar dorëzimin e tij?
3. Çfarë e konsideron opozita: është Labani si gjashtë gjyqëtarët tjerë, apo ata gjashtë janë si Labani?
4. Kush po punon për Serbinë: Mbështetësit e tij, apo ata që e kanë parë dhe e shohin si rrezik për sigurinë e Kosovës?
Nëse kushti për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese është ‘integriteti moral’, kush është përgjegjës për mungesën e tij – Gjykata Kushtetuese, Kuvendi, apo ish-presidenti Hashim Thaçi?
Nëse Lista Serbe nis fushatën me kryeterroristin, pse propozimi i tyre është më i vlefshëm se ligji i Kosovës?
Nëse ndalohet mendimi për Gjykatën Kushtetuese, është ajo gjykatë apo fe e re?
Dhe e fundit: kush është më i rrezikshëm për Kosovën – një mafioz i dënuar si pjesëtar i Gjykatës Kushtetuese, apo ata që e mbrojnë atë?
Sidoqoftë, një ditë Labani do të marrë medalje nga Serbia – për “ndihmën” në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Të banane-republikës!
Hajvanati ose do ta duartrokasë, ose do të skuqet!
Edhe një pyetje për opozitën, e dhjeta: Çfarë është për ju normale – të pengohet veprimtaria e BIA-së serbe në Kosovë, apo të mbështetet ajo?
PS:
Në gjermanisht ‘Bananenrepublik’ ka dy kuptime: E përshkruan një shtet të vogël tropikal që jeton kryesisht nga eksporti i bananeve dhe varet nga kapitali i huaj, ose një shtet të korruptuar/autokratik (kleptokratik) me institucione të korruptuara.
Mirëpo, meqenëse Kosova nuk kishte banane, Thaçi, Mustafa e Ramushi e shndërruan në kungull-republikë! Prandaj James Rubin në vitin 2011 pat kërkuar largimin e tyre nga skena politike…