Armatim në pronën e ‘Gandit’, eksperti zbërthen prapaskenat e aksionit në veri të Kosovës
Së fundi, Policia e Kosovës ka gjetur pajisje ushtarake dhe municion në pronën e njërit prej dhjetëra të akuzuarve për sulmin e armatosur kundër policisë në fshatin Banjskë në veri të vendit, tha të enjten ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.
Sveçla tha në llogarinë e vet në Facebook se armatimi është gjetur në në pronën e Nemanja Radivojeviqit, i njohur me nofkën “Gandi”.
“Ky person është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës që mori jetën e Heroit të Kombit, Rreshterit policor Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023 në Banjskë”, shkroi Sveçla.
E në lidhje me këtë zhvillim, për “Bota sot” foli eksperti Lutfi Bilalli.
Si fillim, si këtë sekuestrim të këtyre municioneve e cilësoi si një sukses të policisë së Kosovës, derisa përmendi edhe faktin se këto armatime, janë elemente kriminale që mund të destabilizojnë situatën.
ImageLutfi Bilalli.Foto galeri
“Sigurisht që zbulimi i lokacioneve të armatimit dhe munocioneve në pjesën veriore të Kosovës ėshtë një tregues i suksesit të operatives së policisë së shtetit por njëkohësisisht edhe paralajmërim për brishtësinë e situatës në veri të vendit, ku elementet terroriste dhe kriminale mund të jenë faktor të destabilitetit në këtë pjesë të vendit”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, Bilalli tha se policia duhet të vazhdojë me aksione të tilla, në mënyrë që të ‘godas’ çdo celulë të elementeve kriminale e terroriste.
“Aksionet e tilla nga ana e policisë për goditjen e grupeve kriminale, sidomos të zbulimit dhe neutralizimit të vend-ndodhjes së armatimit duhet të jenë në kontiunitet dhe në çdo kohë aq më tepër kur i gjithë ky arsenal armatimi paraqet rrezik për sigurinë jo vetem të kësaj pjese, por mund të jetë rrezik potencial për destabilitet tė të gjithë vendit dhe rajonit në tërsi. Policia e shtetit dhe komponenta e sigurisë (intelegjenca, policia dhe hetuesia) duhet të hulumtojnë, grumbullojnë, dekodojnë dhe të godasin me vendosëshmëri çdo pikë dhe celulë të elementëve kriminal dhe terrorist pa marr parasysh; etnin, racen dhe regjionin nga ato vijnë, ngase siguria sot është faktori kyqë për zhvillim dhe prosperitet socio-ekonomik”.
Ndër të tjera, eksperti potencoi se Kosova po shfaq gatishmëri për paqe, siguri dhe stabilitet jo vetëm për vete, por për gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në këtë pikë, ai përmendi edhe politikat e Serbisë dhe tendencat për destabilizim të situatës.
“Veriu i Kosovës edhe në të ardhmen do jetë pjesa ku observim dhe koncentrumi i forcave të sigurisë do jetë fusha më delikate, aq më tepër për shkak të specifikave etnike, gjeografike, ekonomike dhe gjeostrategjike. Por, shteti me forcën e ligjit duhet të godas në çdo kohë dhe rrethanë.
Kosova është e përkushtuar që të demonstrojë vullnet për paqe, siguri dhe stabilitet jo vetëm për vete, por për gjithë regjionin në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, kjo varet edhe nga sjellja dhe veprimet e Serbisë e cila me politikën e saj neo-nacionaliste dhe agresive është burim destabiliteti në këtë pjesë të Evropës”, përfundoi Lutfi Bilalli për “Bota sot”.