POLITIKATË FUNDIT

PZAP e cilëson si të pabazuar ankesën e LVV-së për deklaratën e Sami Lushtakut

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka rrëzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, në lidhje me një deklaratë të kandidatit për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku.

LVV kishte parashtruar ankesë duke pretenduar se Lushtaku kishte bërë “nxitje të urrejtjes” gjatë një paraqitjeje televizive. Në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, ai kishte deklaruar se qytetarët e Kosovës duhet të dalin në rrugë dhe në protesta, duke shtuar se “ata që nuk e respektojnë Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe Prokurorinë, duhet t’i ngrehim zvarrë nëpër rrugët e Prishtinës”.

Pas shqyrtimit, PZAP ka konstatuar se kjo deklaratë nuk i është drejtuar asnjë personi konkret dhe asnjë subjekti politik në veçanti. Për këtë arsye, paneli ka vlerësuar se nuk ka pasur shkelje të rregullave zgjedhore në dëm të ndonjë partie apo kandidati.

Zgjedhjet Lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor 2025. Në këtë proces garojnë gjithsej 93 subjekte politike: 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur, të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *