OPINIONTË FUNDIT

Lista Serbe nisi fushatën me lavdi për terroristin e Banjskës, analistja ‘zbërthen’ skenarin/ Ja çka mundohet të bëjë Serbia

Fushata zgjedhore për zgjedhjet komunale tashmë ka filluar dhe bashkë me të edhe premtimet elektoriale.

Lista serbe këto zgjedhje ka vendosur të garojë për t’i rimarrë komunat në veri të Kosovës dhe për këtë ka filluar të bëjë edhe propagandë e kërcënime që në tubim të parë zgjedhor.

Ajo ka filluar fushatën me thirrje për “çlirim të Kosovës” dhe glorifikim të terroristit Milan Radojçiq.

Lista serbe e cila është partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe e vetmja në vend që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, në tubimin e saj të parë zgjedhor nuk ka nisur fushatën me programe për mirëqenien e serbëve të Kosovës, por të kundërtën.

Ata sulmuan qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti, ndërsa terroristin Milan Radojçiqin e quanin vëlla.

“Të gjithë për vëlla Milanin” ishte njëra nga parullat kryesore, ndërsa tubimin e patën hapur me intonimin e himnit të Serbisë.

Kujtojmë se Milan Radojçiq, emri i të cilit u brohorit në tubim, është i kërkuar për terrorizëm dhe krime lufte. Ai akuzohet si udhëheqës i grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë në vitin 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.

Gjithashtu, Gjykata e Prishtinës ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij dhe 19 serbëve të tjerë, të dyshuar për krime lufte gjatë viteve ’90, përfshirë vrasjen e 106 civilëve shqiptarë në Gjakovë dhe keqtrajtimin e mbi 300 të tjerëve.

Analistja Magbule Shkodra, thotë se institucionet e sigurisë duhet të jenë shumë vigjilentë dhe t’i marrin seriozisht këto thirrjet e serbëve.

“Ka një kohë që në diskutim është Lista serbe, dhe të gjithë, asnjëri nuk ka dilema që Lista Serbe është instrument politik i cili përdoret nga Beogradi për të ndikuar në serbët në Kosovë, domethënë këtu nuk kemi asnjë dyshim, mirëpo, ne duhet që serbëve që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës të ju japim siguri dhe të ju ofrojmë jetë më të mirë në Kosovë në mënyrë që ata të mos ndjehen të shantazhuar dhe të ndikuar nga regjimi i Vuçiqit dhe në këtë rast të përdor edhe Listën serbe. Patjetër që institucionet tona të sigurisë duhet të jenë shumë vigjilente dhe t’i marrin shumë seriozisht këto thirrjet e serbëve, Listës serbe atje që po mundohet që të nxisin konflikte ndëretnike dhe institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë duhet të përdorin instrumente shtetërore që të mos ndodh një gjë e tillë, në këtë rast nëse thirrje të tilla për çlirimin e Kosovës ka ligje që mund të konsiderojnë si një nxitje për konflikt ndëretnik”, deklaron Shkodra.

Sipas saj, Serbia do të mundohet të përdor mjete propagandistike që t’i arrijë qëllimet e veta, por Kosova duhet të jetë vigjilente dhe të përdor rrugët e drejtësisë që të sigurojë se nuk ka cenim të sigurisë.

“Serbia çdoherë do të mundohet të përdor mjete propagandistike në mënyrë që të arrijë qëllimet e veta, por ne duhet të kthejmë gishtin kah vetvetja çfarë po bëjmë ne që të mos lejojmë gjëra të tilla dhe që komuniteti serb të mos ndjehet i manipuluar dhe i shantazhuar dhe që patjetër t’u përgjigjet kërkesave që përmes instrumenteve të ndryshme propagandistike që Serbia i bën në pjesën veriore të Kosovës. Si përmbledhje pra duhet që shteti i Kosovës dhe të gjithë ne të jemi vigjilent dhe të përdorim rrugët e drejtësisë dhe instrumentet e sigurisë për t’u siguruar që nuk ka cenim të sigurisë”, përfundon analistja.

Në nëntor të vitit 2022, Lista Serbe inicioi tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri dhe bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve lokale në prill të vitit 2023.

Kjo çoi në zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë të komunave, të cilët mbetën në detyrë deri në fund të mandatit, sepse Lista Serbe, edhe në prill të vitit 2024, bëri thirrje për bojkotimin e votimit për shkarkimin e tyre.

Por, në zgjedhjet e 12 tetorit, kjo parti do të ketë kandidatë për kryetarë në të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Partesh dhe Ranillug, si dhe në Obiliq.

Përveç saj, në komunat me shumicë serbe do të garojnë edhe: Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit, Lëvizja Kombëtare Serbe e Millija Bishevacit, Aleanca Kosovare e Goran Marinkoviqit, si dhe disa iniciativa qytetare, të cilat kanë kandidatë kryesisht në një komunë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *