Skandal ndërkombëtar: Punonjësja e OSBE-së akuzohet si spiune e BIA-s serbe në Kosovë!
Në Prishtinë ka nisur gjykimi ndaj Jellena Gjukanoviq, punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e akuzuar për spiunazh në shërbim të Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA). Para trupit gjykues të udhëhequr nga Rrahman Beqiri, ajo mohoi fajësinë, ndërsa mbrojtja kërkoi zëvendësimin e paraburgimit me arrest shtëpiak dhe ofroi dorëzani prej 15 mijë eurosh – kërkesë që u kundërshtua nga prokuroria.
Prokurori special, Bekim Kodraliu, gjatë leximit të aktakuzës tha se Gjukanoviq ka transmetuar informacione konfidenciale tek BIA, duke rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës. Ajo dyshohet se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me dy zyrtarë të BIA-s, Ratko Gajtanoviq dhe Lubisha Bukviq, me të cilët madje është takuar disa herë në Beograd. Sipas Kodraliut, e akuzuara ka shfrytëzuar pozitën në OSBE për të ndikuar në krijimin e një “narrativi armiqësor” kundër institucioneve të sigurisë së Kosovës.
Gjukanoviq u arrestua më 28 shkurt në pikën kufitare të Jarinjës dhe prej atëherë ndodhet në paraburgim. Prokuroria thekson se me veprimet e saj, ajo ka rrezikuar seriozisht jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar në Kosovë. Nëse shpallet fajtore, ajo rrezikon të paktën pesë vjet burg.
Rasti i saj është vetëm një nga seritë e fundit të hetimeve për spiunazh në Kosovë, ku disa persona – serbë dhe shqiptarë – janë arrestuar nën dyshimin se kanë bashkëpunuar me shërbimet e inteligjencës serbe. Ekspertët e sigurisë thonë se këto zhvillime tregojnë se spiunazhi mbetet një kërcënim serioz dhe i vazhdueshëm për Kosovën.