Kosova hap thesin e milionit! Deri në 25 mijë euro për secilën ndërmarrje prodhuese
Qeveria e Kosovës ka lansuar sot një skemë grantesh në vlerë 1 milion euro, me mbështetjen e Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut përmes Agjencisë së Zhvillimit të Luksemburgut (LuxDev). Përmes kësaj skeme, ndërmarrjet prodhuese do të kenë mundësi të përfitojnë deri në 25 mijë euro secila për investime në projekte që lidhen me energjinë e gjelbër dhe uljen e kostove të prodhimit.
Qëllimi i kësaj skeme është të mbështesë sektorin privat, në veçanti prodhuesit, duke rritur konkurrueshmërinë e tyre në tregun vendor dhe ndërkombëtar, si dhe duke përmirësuar efikasitetin e energjisë – faktor kyç që ndikon drejtpërdrejt në uljen e shpenzimeve të prodhimit.
Bizneset prodhuese që aplikojnë në këtë program do të kenë mundësi të investojnë në:
– sisteme solare për prodhimin e energjisë elektrike,
– sisteme solare për ngrohjen e ujit,
– bateri për ruajtjen e energjisë elektrike,
– izolim të ndërtesave,
– pajisje që ulin konsumin e energjisë elektrike në linjat e prodhimit.
Kryeministri Albin Kurti theksoi rëndësinë e kësaj skeme për ekonominë e vendit dhe shprehu mirënjohje për Qeverinë e Luksemburgut për partneritetin e çmuar, si dhe për institucionet vendore – Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) – për punën e bërë në zhvillimin e saj.
Sipas Kurtit, rezultatet e kësaj nisme do të ndihmojnë drejtpërdrejt sektorin e prodhimit, duke i dhënë frymëmarrje të re dhe duke e përgatitur atë për sfidat e tregut ndërkombëtar.