POLITIKATË FUNDIT

Ekipi nga SHBA po qëndron në Kosovë, këshillon FSK-në

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, ka pritur në një takim ekipin e grupit këshillues ndërkombëtar për siguri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të një vizite të rregullt për zhvillimin e ushtrimit në tavolinë në fushën e logjistikës.

Gjatë këtij takimi, Komandanti Jashari uroi mirëseardhjen për delegacionin dhe i njoftoi për zhvillimet më të fundit dhe arritjet e FSK-së, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer që ISG ka dhënë ndër vite në të gjitha fazat e zhvillimit dhe profesionalizimit të Forcës.

Në fokus të diskutimeve ishte mbështetja e ISG-së në realizimin e ushtrimit logjistik TTXLOG, i cili konsiderohet si një komponent thelbësor për zhvillimin e kapaciteteve operacionale të FSK-së. Komandanti Jashari e vlerësoi logjistikën si një ndër fushat kyçe për forcimin e kapaciteteve të përgjithshme të FSK-së, duke e konsideruar këtë ushtrim një mundësi konkrete për përmirësim të mëtejshëm.

“Të dalurat nga ky ushtrim do të analizohen në të gjitha nivelet dhe do të zbatohen nga strukturat përkatëse të FSK-së”, u tha në takim.

Ekipi i ISG-së, i cili ka një rol këshillues gjatë këtij ushtrimi, kontribuon në përafrimin e procedurave dhe standardeve logjistike të FSK-së me ato të ushtrive të NATO-së. Ky ekip ka qenë një ndër aktorët kryesorë në ofrimin e këshillave profesionale përgjatë Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, duke ndihmuar në ndërtimin e një force moderne dhe të gatshme për sfidat e sigurisë në nivel ndërkombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *