OPINIONTË FUNDIT

Beteja për komuna filloi, vijnë parashikimet: A do të arrijë Vetëvendosje të dominojë në zgjedhjet lokale?

13 shtatori ka shënuar edhe datën zyrtare të fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 12 tetor.

Gjatë kësaj kohe, kandidatët për kryetarë të komunave dhe ata për kuvendet lokale do të shpalosin programet e tyre si dhe do të përpiqen ta bindin qyetarin për t’i votuar.

Sipas KQZ-së janë certifikuar 93 subjekte politike, 32 parti, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

Krahasimi i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjeve lokale 2021

Nëse ndalemi në krahasim të nivelit qendror dhe nivelit komunal, atëherë Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë dhe fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, kishte arritur të marrë një mori komunash që ishin nën qeverisje të partive tjera.

Lëvizja Vetëvendosje e cila në zgjedhjet e kaluara lokale të vitit 2021, kishte fituar në katër komuna, në zgjedhjet parlamentare të 2025 arriti të dalë e para në 22 komuna.

Në komunën e Prishtinës, e cila udhëhiqej nga Përparim Rama i LDK-së, Lëvizja Vetëvendosje kishte dalë e para, një fat të tillë kishte edhe komuna e Mitrovicës e cila u udhëhoq nga Bedri Hamza (PDK), komuna e Gjakovës e cila udhëhiqej nga Ardian Gjini (AAK), komuna e Ferizajit e udhëhequr nga Agim Aliu, Peja e udhëhequr nga Gazmend Muhaxheri (LDK), Prizreni i udhëhequr nga Shaqir Totaj (PDK), Suhareka e udhëhequr nga Bali Muharremaj i AAK-së.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, kishte arritur të dalë e para edhe në bastionet e Partisë Demokratike të Kosovës. Skenderaji i cili udhëhiqej nga Fadil Nura (PDK), kishte votuar për LVV-në në zgjedhjet parlamentare.

Edhe Rahoveci që udhëhiqej nga AAK dhe Smajl Latifi kishte votuar bindshëm për LVV-në, Deçani i udhëhequr nga Bashkim Ramosaj (AAK), kishte votuar për LVV-në.

Fushë Kosova e cila udhëhiqej nga Burim Berisha i LDK-së, kishte “tradhtuar” kryetarin duke votuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe një gjë të njëjtë e ka bërë edhe Kaçaniku që udhëhiqej nga Besim Ilazi i PDK-së si dhe Vitia e udhëhequr Sokol Haliti (LDK).

Edhe komuna e Dragashit e cila udhëhiqej nga Bexhet Xheladini i LDK-së, në zgjedhjet e 9 shkurtit votoi për Lëvizjen Vetëvendosje, po ashtu edhe komuna e Istogut e cila udhëhiqej nga Ilir Ferati i LDK-së, votoi për LVV-në.

Lipjani i Imri Ahmetit nga LDK, votoi për Lëvizjen Vetëvendosje, po ashtu edhe Han Elezi (PDK), Obiliqi e Vushtrria që ishin nën qeverisjen e LDK-së.

Analistët politikë parashikojnë ngritjen e Lëvizjes Vetëvendosje në nivel komunal dhe se ajo do t’i fitojë së paku gjysmën e qendrave të mëdha urbane.

Arsyet e ngritjes së LVV-së

Prof.dr. Sadri Ramabaja, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se rezultatet e zgjedhjeve nacionale do të “përafërohen” në ato lokale.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje do të ruajë pjesën më të mirë të mbështetjes së saj në komunat.

“Disproporcioni i rezultateve mes zgjedhjeve lokale dhe atyre për pushtetin republikan, që prej zgjedhjeve të para të organizuara pas çlirimit, ka qenë i ndjeshëm.

Ka disa tregues që sugjerojnë se kjo “rregull” do të pësojë ndryshim të theksuar. Shih për këtë, në këto zgjedhje, pres që rezultatet mes lokaleve dhe nacionaleve të “përafrohen”.

Një sondazh i bërë publik tregon se rreth 56% e të anketuarve thanë se do të votojnë për të njëjtën parti si në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Rrjedhimisht i bie që rreth 44% mund të ndryshojnë vullnetin. Pra ekziston një bazë e qëndrueshme besimi ndaj partive, por nuk është e pamundur që të ketë devijime.

Unë pres që Lëvizja Vetëvendosje ta ruajë pjesën më të mirë të mbështetjes së saj në komunat ku ishte në pushtet, por edhe aty ku ajo është e strukturuar mirë dhe e fortë. Kjo më bën të jem optimist se VV do të mund t’i fitojë kësaj radhe së paku gjysmën e qendrave të mëdha urbane. Këtë analizë e bazoj në dy rrafshe argumentuese:

1. Kandidatët e propozuar jo vetëm për kryetar komunash, por edhe për asambletë komunale, janë përzgjedhur mirë dhe me kujdesin maksimal.

2. Votuesit tutje i tërheq profili i liderit të Vetëvendosjes dhe mesazhet kombëtare të sovranitetit dhe Republikës së 3-të”, deklaron Ramabaja.

ImageSadri RamabajaFoto galeri
Ai pret që 10 qendra më të mëdha urbane të jenë nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në demokracitë liberale nuk bëhet fjalë për “rrëmbim” pushteti. Përkundrazi, ideja është që të aplikohen zgjedhje model, që shenjojnë thellimin e kursit të demokracisë sonë, si parakusht për ecje drejt Republikës 3. Rrjedhimisht vota pres ta pasqyrojë vullnetin politik të qytetarëve.

Siç pohova më lart pres që nga 10 qendrat më të mëdha urbane, sa ka Republika pas një ndryshimi demografik në këto dy dekadat e fundit [Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Peja, Mitrovica, Gjilani, Gjakova, Podujeva, Vushtrria dhe Suhareka], së paku gjysma prej tyre, nga 13 tetori 2025 do të udhëhiqen nga LVV. Gara interesante pres të jenë edhe në komunat si: Gjakova, Ferizaj, Vushtrria, Vitia, Obiliqi, Klina, Fushë-Kosova, Rahoveci, Lipjani, Kaçaniku, Juniku…e ndonjë tjetër, ku LVV do të shkojë në balotazh dhe nuk përjashtohet mundësia, që edhe në këtë përballje, ajo të dalë fituese në disa sosh”, shprehet profesori.

Në zgjedhjet e 12 tetorit, të drejtë vote për zgjedhjen e kryetarëve në 38 komuna do të kenë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, 43 mijë e 993 janë votues jashtë shtetit.

Votuesit jashtë shtetit do të mund të votojnë me postë nga 17 shtatori.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më herët ka njoftuar se zgjedhjet e tetorit do të organizohen në 938 qendra votimi me 2.625 vendvotime.

Në këto zgjedhje garojnë 5.626 kandidatë dhe prej tyre 206 janë kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvende komunale.

Komunat që mund të arrijë “t’i rrëmbej” Lëvizja Vetëvendosje

Opinionisti Lirim Gashi, parashikon ngritje të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gashi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se niveli qendror dha sinjal të qartë se shumica e qytetarëve duan një qeverisje që lufton korrupsionin, krimin e organizuar dhe kapjen e shtetit.

ImageLirim GashiFoto galeri
“Po, pritet ngritje e Lëvizjes Vetëvendosje dhe jo vetëm pritet – është pothuajse e pashmangshme. Niveli qendror i dha një sinjal të qartë se shumica e qytetarëve e duan një qeverisje që lufton korrupsionin, krimin e organizuar dhe kapjen e shtetit. Ajo që ndodhi në zgjedhjet e kaluara komunale ishte më shumë një inerci e komunave që tradicionalisht kanë qenë nën ndikimin e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilat kanë pasur rrjetet e tyre klienteliste shumëvjeçare. Mirëpo, sa më shumë që VV po dëshmon në nivel qendror se nuk është pjesë e asaj mafie politike, aq më shumë po i thyhen këto rrjete. Pra, ngritja e VV-së në nivel komunal nuk është thjesht çështje parashikimi, por një proces që ka filluar dhe po ecën me hapa të sigurt”, deklaron Gashi.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje do të arrijë t’i “rrëmbejë” komunat ku njerëzit janë lodhur nga nepotizmi dhe arroganca e pushtetit vendor.

“Nëse i shohim trendet e fundit, Prishtina, Mitrovica e Jugut, Podujeva (që tashmë është bastion i VV-së), Gjilani dhe Ferizaj janë komunat ku rritja e VV-së është më e dukshme. Komunat ku njerëzit janë lodhur nga nepotizmi dhe arroganca e pushtetit vendor janë terren i gatshëm për ndryshim. Për shembull, në Prizren dhe Gjakovë, ku shoqëria civile është e gjallë dhe ku qytetarët kanë filluar të mendojnë kritikisht, VV mund të shënojë ngritje serioze. “Rrëmbyerja” e komunave nuk ndodh me dhunë, por me bindje dhe me dëshmi që ekziston një alternativë më e pastër dhe më e drejtë – dhe kjo alternativë është VV”, shton opinionisti.

Vëmendja në kryeqytet

Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje në Prishtinë po garon me kandidatin Hajrullah Çeku, ish- ministër i Kulturës, ndërsa në zgjedhjet e 2021 garoi po ashtu me një ish- ministër Arben Vitia.

Vitia arriti të shkoi deri në balotazh me Përparim Ramën nga LDK, i cili udhëhoqi kryeqytetin për katër vite.

Përparim Rama garon edhe për një mandat tjetër, por sipas parashikimeve do të jetë duel interesant, mirëpo kandidati i LVV-së do të fitojë pa balotazh.

“Përballja mes LVV dhe LDK në Prishtinë ashtu si ajo mes PDK dhe LVV në Prizren ndoshta do të jenë nga më karakteristiket që do të shënjojnë këto zgjedhje, por edhe kthesën e madhe.

Në Prishitnë pres që kandidati i LVV të fitojë pa balotazh, ndërkaq në Prizren pres megjithatë të ketë balotazh, por fitorja e LVV edhe atje është e sigurte”, thotë profesori Sadri Ramabaja.

Ndërsa, opinionisti Lirim Gashi thotë se nëse VV e zhvillon fushatën me fokus tek shërbimet publike, urbanizmi dhe transparenca financiare, atëherë gjasat janë që të fitojë.

“Në zgjedhjet e vitit 2021, në Prishtinë LDK fitoi pas një balotazhi me VV-në. Si pritet të jetë beteja për Prishtinën, a do t’ia dalë Hajrullah Çeku t’ia marrë LDK-së kryeqytetin? Përgjigje: Beteja për Prishtinën këtë herë pritet të jetë shumë më ndryshe. Hajrullah Çeku është një figurë që nuk ka njollat e korrupsionit, ka përvojë menaxheriale dhe, mbi të gjitha, ka besimin e një pjese të madhe të qytetarëve si ministër i Kulturës. Prishtinasit janë lodhur nga administrata e LDK-së, e cila shpesh është perceptuar si e ngathët dhe e mbyllur në vetvete. Nëse VV e zhvillon fushatën me fokus tek shërbimet publike, urbanizmi dhe transparenca financiare, atëherë po – gjasat që Çeku t’ia marrë LDK-së kryeqytetin janë shumë të larta. Do të kemi një duel interesant, por këtë herë LDK nuk e ka luksin të hyjë në balotazh duke u mbështetur tek frika nga VV. Në vitin 2025-2026, qytetarët e Prishtinës janë shumë më të vetëdijshëm dhe nuk bien më lehtë pre e propagandës”, përfundon Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *