OPINIONTË FUNDIT

Mehmeti vjen me paralajmërim të fortë: LDK rrezikon pasoja serioze nëse braktis institucionet!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se nëse nuk respektohet Kushtetuta e vendit, atëherë do të dalin në protestë dhe siç u shpreh ai, do të largohet nga rruga institucionale.

Abdixhiku tha se në momentin që e vlerësojnë se duhet të ndërmarrin një hap të tillë, atëherë sipas tij, do të braktisin institucionet dhe do të dalin në rrugë.

Analisti poliitk, Faton Mehmeti ka thënë se deklarata e Lumir Abdixhikut për braktisjen e institucioneve nëse nuk respektohet Kushtetuta është një paralajmërim serioz, por rrezikon stabilitetin politik dhe dëmton funksionimin demokratik të Kosovës, duke dhënë mesazhin se problemet zgjidhen jashtë mekanizmave institucionalë.

“Deklarata e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, se partia e tij do të braktisë institucionet nëse nuk respektohet Kushtetuta, është një paralajmërim serioz, por edhe i rrezikshëm për stabilitetin politik të vendit. Braktisja e institucioneve nga një parti tradicionale si LDK nuk e forcon demokracinë, përkundrazi e dobëson funksionimin e saj dhe e lë Kosovën në një situatë të pasigurt politike. Ky veprim mund të shihet si presion ndaj institucioneve dhe partive të tjera politike, por në të njëjten kohë jep mesazh të gabuar: se problemet zgjidhen në rrugë dhe jo përmes mekanizmave institucionalë. Për më tepër, një skenar i tillë mund ta vendosë LDK-në në pozitën e disa të tjerëve që kanë provuar një gjë të tillë por kanë dështuar”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

Sipas tij, nga perspektiva ligjore, LDK nuk rrezikon sanksione direkte, por dorëzimi i mandateve do të kishte pasoja politike dhe elektorale, duke dëmtuar besimin e qytetarëve.

Derisa thotë se, braktisja e institucioneve rrezikon stabilitetin e Kosovës dhe mund t’i kthehet në bumerang vetë LDK-së.

“Nga aspekti ligjor, LDK nuk rrezikon sanksione të drejtpërdrejta, por përfaqësuesit e saj do të zëvendësoheshin nëse dorëzojnë mandatet. Pasojat reale janë politike dhe elektorale: humbje e besimit te qytetarët dhe perceptimi se LDK nuk po arrin të mbrojë interesin e vendit përmes institucioneve. LDK duhet të mendojë me kujdes për pasojat afatgjata. Demokracia funksionon me institucione, jo duke i braktisur ato. Çdo hap i ngutshëm në këtë drejtim, përveç që dëmton stabilitetin e Kosovës, rrezikon të kthehet në bumerang për vetë LDK-në” – përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *