OPINIONTË FUNDIT

“Jo aleancë, por qëndrim shtetëror”, analistët flasin për raportin Kurti–Osmani dhe frikën e opozitës

“Jo vetëm këto pesë vite që jam presidente e Kurti është kryeministër, për aq sa njihemi ne nuk kemi pasur dallimin më të vogël se Kosova duhet të mbrohet nga Vuçiqi nga Serbia dhe nga shërbëtorët e tyre në Kosovë. Kjo kurrë nuk na ka nda, gjithmonë kemi qenë në një linjë”, ka thënë Osmani.

Kështu u shpreh presidentja, disa ditë më parë për raportet me kryeministrin në detyrë, kur u pyet nga gazetarët për marrëdhëniet mes tyre.

Madje ajo përmendi lajmet me tituj kur u cilësua e afërt kjo me Kurtin, e jo Kurti më të.

“Kish qenë e udhës me thanë VV-ja po pajtohet me presidenten”, është shprehur tutje.

Me këtë deklaratë, Osmani synoi të qartësojë se raportet e saj me kryeministrin nuk janë as të acaruara e as të prishura, siç është raportuar shpesh në media. Por tashmë, kundërshtarët politikë të saj dhe të Kurtit po e interpretojnë ndryshe këtë situatë.

Ata kanë filluar ta akuzojnë presidenten për anshmëri politike dhe për llogari të ngushta personale.

Kështu që, për disa: “keq” kur krerët e shtetit kanë marrëdhënie korrekte dhe “keq” kur ata janë të përçarë.

E në lidhje me akuzat dhe kritikat që po i bëhen presidentes Osmani, për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve politike.

Halilaj: Raportet më të shëndosha ndërmjet institucioneve të larta të vendit nuk duhet të na duken të pazakonta

Së pari, avokati, njëherësh edhe anëtari i Listës “Guxo”, Gazmend Halilaj tha se në deklaratat e fundit, presidentja nuk tregoi anshmëri politike, po shprehu qëndrimet e saj parimore në funksion të mbrojtjes së shtetit.

Halilaj për “Bota sot” u shpreh se Osmani në vazhdimësi ka qenë kundër Listës Serbe dhe kështu që reagimet e opozitës më shumë janë për poena politik.

ImageGazmend HalilajFoto galeri
“Debatet e fundit rreth qëndrimeve të Presidentes Osmani për Gjykatën Kushtetuese kanë hapur diskutime të gjera politike e publike, duke ngritur akuza për të ashtuquajturën ‘anshmëri politike’. Është me rëndësi të theksohet se institucioni i Presidentit, për nga natyra kushtetuese, nuk mund të funksionojë si instrument i një partie politike, por si garant i unitetit kombëtar dhe mbrojtës i rendit kushtetues. Në këtë kontekst, deklaratat e Presidentes duhet të lexohen si qëndrime parimore në funksion të mbrojtjes së shtetit dhe jo si pozicionim politik në favor të një subjekti të caktuar.

Qëndrimi i saj kundër Listës Serbe është një vijimësi e angazhimit të saj publik për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. Kjo nuk është hera e parë që Presidentja Osmani ka marrë qëndrime të forta kundër veprimeve që synojnë minimin e shtetësisë së Kosovës. Është e natyrshme që një pjesë e spektrit politik, sidomos opozita, ta interpretojë këtë si afrim me Lëvizjen Vetëvendosje, por ky interpretim është më tepër rezultat i rivalitetit politik sesa i realitetit kushtetues”.

Krahas kësaj, ai potencoi se raportet Osmani-Kurti nuk kanë qenë gjithmonë të njëjta, por mirëpriti harmonizimin e tyre për të mirë të vendit.

Po ashtu, tha se raportet e mira mes krerëve të shtetit nuk duhen parë si të pazakonta, por si një shenjë e pjekurisë politike.

“Është e njohur se në të kaluarën marrëdhëniet ndërmjet Presidentes dhe Kryeministrit Kurti nuk kanë qenë gjithmonë të lehta. Megjithatë, fakti që sot shohim një harmonizim më të madh të qëndrimeve mes tyre, duhet parë si shenjë e një stabiliteti më të madh institucional dhe jo si dobësim i pavarësisë së Presidentes. Ky zhvillim është i rëndësishëm sepse Kosova ka hyrë në një periudhë të ndjeshme politike dhe kushtetuese, ku sfidat kërkojnë bashkëpunim ndërinstitucional dhe jo përplasje mes krerëve të shtetit.

Raportet më të shëndosha ndërmjet institucioneve të larta të vendit nuk duhet të na duken të pazakonta, përkundrazi, duhet të lexohen si shenjë pjekurie politike dhe si tregues se shteti po ecën drejt një kulture të re politike, ku përplasjet personale nuk e tejkalojnë përgjegjësinë institucionale. Nëse ky bashkëpunim shihet nga dikush si afrim politik, është vetëm për shkak se jemi mësuar ta shohim politikën si betejë të përhershme mes palëve, e jo si mundësi për të krijuar konsensus në të mirën e përgjithshme”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, anëtari i Guxo, mbështeti presidenten Osmani dhe qëndrimet e saj, derisa nënvizoi që në një situatë të tillë politike, me zhvillime të shumta harmonia mes tri institucioneve kyçe të vendit është e domosdoshme.

“Mbështetja për Presidenten është e domosdoshme sa herë që ajo vepron në mbrojtje të Kushtetutës dhe sovranitetit të vendit. Institucioni i Presidentit është dhe duhet të mbetet mbi palët, por kjo nuk e përjashton rolin e saj për të qenë e zëshme kur vihen në pikëpyetje parimet bazë të funksionimit demokratik të shtetit. Përkrahja që i jepet Presidentes në këto momente nuk është përkrahje për një parti, por përkrahje për institucionin e saj si garant të stabilitetit kushtetues.

Kosova gjendet në prag të vendimeve të rëndësishme politike dhe kushtetuese. Në këtë fazë, është jetike që institucionet e saj kryesore – Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi – të funksionojnë në harmoni. Kjo nuk nënkupton mungesë të kritikave apo mendimeve të ndryshme, por nënkupton që në çështjet madhore të shtetit, si sovraniteti, Kushtetuta dhe interesat kombëtare, institucionet të flasin me një zë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i treguar qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë se shteti është i pjekur, i qëndrueshëm dhe i aftë të përballet me sfidat që e presin.

Në këtë kuptim, kritikat e adresuara ndaj Presidentes Osmani duhet të shihen me kujdes. Është legjitime të kemi debat politik dhe kritikë publike, por është po aq e rëndësishme të dallojmë midis njëanshmërisë së vërtetë dhe qëndrimeve parimore të dala nga nevoja për të mbrojtur shtetin. Nëse e lexojmë këtë moment me qetësi e objektivitet, do të kuptojmë se Kosova fiton më shumë nga një Presidencë e fortë dhe e mbështetur në parime, sesa nga një Presidencë e izoluar nga kritikat e padrejta”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

Mehmeti: Presidentja ka qenë në mënyrë të vazhdueshme e paanshme

Ndërsa, opinionisti Gani Mehmeti, fillimisht tha se në spektrin politik duket se ekzistojnë vetëm dy parti, LVV dhe të gjitha partitë tjera kundër saj.

ImageGani MehmetiFoto galeri
“Që nga formimi i qeverisë me kryeministër Albin Kurtin, në njëfarë mënyre duket sikur ekzistojnë vetëm dy parti politike shqiptare në Kosovë. Kjo sepse të gjitha partitë e tjera janë bashkuar në kundërshtim ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, duke e luftuar dhe kritikuar, madje edhe kur veprimet e saj kanë qenë të drejta dhe të qëlluara.

Sot, sa herë që Gjykata Kushtetuese shpall një vendim, pala që nuk përfiton nga ai vendim e kritikon gjykatën. Kjo ndodhi së fundmi edhe me Presidenten e Kosovës, znj. Vjosa Osmani, e cila u kritikua nga partitë opozitare, duke e paraqitur si përkrahëse të Albin Kurtit”.

Mirëpo, Mehmeti në prononcimin e tij për “Bota sot” vlerësoi se presidentja nuk ka qenë e anshme, por vetëm ka kundërshtar favorizimin e Listës Serbe, pasi një gjë e tillë është shqetësuese.

“Megjithatë, nga ajo që kam vërejtur, presidentja ka qenë në mënyrë të vazhdueshme e paanshme, ndonëse disa vetë nga opozita dikur thoshin se marrëdhëniet mes saj dhe Kurtit ishin ftohur. Ndërsa tani, e quajnë përkrahëse të Kurtit, bazuar në komentet e saj të fundit drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Personalisht, i jap të drejtë presidentes në komentet e saj, sepse vetë Gjykata Kushtetuese e ka favorizuar tej mase Listën Serbe — gjë që është edhe më shqetësuese, pasi kjo parti është nën ndikimin dhe udhëzimet e Serbisë, në veçanti të Aleksandër Vuçiqit. Ky i fundit, me të gjitha mjetet, është kundër Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, duke ndjekur politika të ngjashme me ato të Millosheviqit — por tash me mjete “paqësore”, pasi me mjete ushtarake u dëshmua se ishte e pamundur, sidomos pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999”, shpjegoi ai.

Në fund, opinionisti kritikoi opozitën për sulmet ndaj Osmanit dhe përkrahjen në mënyrë të tërthortë që po ia bëjnë Listës Serbe.

“Është për keqardhje të shihet se si partitë opozitare, bashkë me Gjykatën Kushtetuese, bëhen krah i Listës Serbe. Këto sulme janë të padrejta ndaj presidentes dhe, pa të drejtë, i shërbejnë interesave të Serbisë, duke e dëmtuar drejtpërdrejt Kosovën.

Kjo është edhe më e dëmshme kur dihet se Lista Serbe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe udhëhiqet nga Beogradi, duke luftuar me çdo mjet ekzistencën dhe funksionimin e Republikës së Kosovës.

Pa dyshim që kjo situatë do të ketë ndikim edhe në zgjedhjet lokale që po afrohen”, përmbylli Gani Mehmeti për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *