OPINIONTË FUNDIT

Beteja për Vetting-un/ Zeqiraj: Frika e PAN-it nga pastrimi i sistemit

Në një prononcim për “Bota Sot”, opinionisti Idriz Zeqiraj ka folur për zhvillimet politike në vend, si ato para zgjedhjeve ashtu edhe ato që pasuan zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Ai është shprehur se, para zgjedhjeve të 9 shkurtit, opozita ishte bashkuar kundër Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke përfshirë PDK-në, AAK-në, Nismën dhe LDK-në.

Sipas tij, LVV-ja ka dështuar të konstituojë Kuvendin dhe ka kërkuar votim të fshehtë, kërkesë që është refuzuar nga opozita, e cila më pas e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Koalicionet parazgjedhore janë të ligjshme, ndërsa ato pas zgjedhore jo. Qysh para zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, PDK me bishtrat e saj AAK dhe NISMA, dikur të bashkuara në PAN, përfolën bllokadën pas zgjedhore kundër LVV. Ngjitja e LDK-së PAN-it, shtoi oreksin, tashmë, të opozitës së bashkuar, “për ta hequr qafe Kurtin”.

LVV dështoi ta bëjë konstituimin e Kuvendit me votimin e hapur, respektivisht, zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve, andaj kërkoi votimin e fshehtë, meqë Kushtetuta e parasheh “votimin e hapur, të fshehtë dhe forma të tjera”. Opozita e refuzoi, duke iu referuar një klauzole hileqare se, gjoja, mënyra e votimit përcaktohet në fillim të seancës votuese. Dhe, i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim të Kushtetutës”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Zeqiraj ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese, të kapur nga PAN-i, se shkeli Kushtetutën duke lejuar vetëm votimin e hapur dhe duke refuzuar atë të fshehtë. Sipas

“Gjykata Kushtetuese, e kapur nga PAN-i, ashtu si i gjithë sistemi i drejtësisë, e quajti ligjor vetëm votimin e hapur, duke refuzuar votimin e fshehtë. Gjykata shkeli Kushtetutën, sepse mohimi i votimit të fshehtë, është praktikë komuniste dhe fashiste. Me votimin e hapur, sundimtarët kriminelë, kanë sunduar, me dajak e plumb, deri në cofjen e tyre, si Stalini, Hitleri, Enver Hoxha, Pol Poti dhe soj-sorollopi i tyre.

Realisht, shqiptarët, në përgjithësi, ata të Kosovës, në veçanti, nuk shquhen për sinqeritet, parime dhe integritet. Është, pikërisht, votimi i hapur që ka degraduar dhe kontaminuar klasën politike në Kosovë. Për rrjedhojë, sot kemi Parlamentin më kriminal në rajon, deputetë kriminelë, të cilët riciklohen për një çerek-shekulli radhazi!”, ka vlerësuar ai.

Opinionisti Zeqiraj ka shtuar se LVV tregoi parimësi duke refuzuar koalicionin me PAN-in, që e konsideron të kriminalizuar, dhe zgjodhi LDK-në si partnere të pastër. Koalicioni

“LVV u dëshmua parimore kur refuzoi PAN-in për bashkëqeversje, duke e konsideruar të pa reformuar, thënë më troç, i kriminalizuar. LVV zgjodhi për bashkëqeverisje, LDK-në, si dy subjekte politike të pa kriminalizuara. Shqiptarët vendorë dhe botërorë aprovuan dhe iu gëzuan koalicionit LVV-LDK, sepse ishte rasti dhe shansi, për spastrimin dhe largimin e krimit nga pushteti. LDK-ja, si parti me trashëgimi rugoviane, akademike, do t`i bënte shërbim të madh popullit dhe kombit. Ajo do të ndihmonte shumë në emancipimin e LVV, si subjekt politik heterogjen, ku “është përzier gjithfarë ujemi”, siç shkruante Azem Shkreli, në romanin “Karvani i bardhë”!”, ka cilësuar Zeqiraj.

Në fund, Zeqiraj ka potencuar se situata në Kosovë është kaotike, pasi opozita po përpiqet t’i grabisë fitoren LVV-së pas humbjes më 9 shkurt 2025.

Sipas tij, halli kryesor i PAN-it është bllokimi i VETTING-ut dhe i Byrosë për Verifikimin e Pasurive.

“Rrjedhimisht, situata aktuale në Kosovë nuk është e shëndetshme, përkundrazi është hallakamë. Sepse opozita e bashkuar humbjen e thellë të pësuar më 9 shkurt 2025, ngulmon ta kompensojë me grabitjen e fitores të LVV në tavolinë. Halli i madh i PAN-it është bllokimi, deri në harrim i VETTING-ut dhe i BYROSË të Verifikimit të Pasurive hajnore. LDK-ja duhet të reflektojë, ta pranojë një bashkëqeverisje të kushtëzuar, duke qenë konsultuese e vendimmarrëse e barabartë me partneren LVV. PDK ka intriguar shumë dhe vazhdon të intrigojë, duke “futur pyka” në mes të LVV dhe LDK-së, me qëllim të rikthimit të afrisë, më saktë, për ta bërë patericë, si në epokën e zezë të Isa Mustafës”, ka përfunduar Zeqiraj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *