Meholli akuzon komunën e Vushtrrisë për keqmenaxhim: 27,900 euro për pajisje mjekësore që nuk janë vënë në funksion
Asambleisti i Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, Sylejman Meholli, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka kritikuar udhëheqjen komunale për keqmenaxhim të fondeve publike në sektorin e shëndetësisë.
“Afro dy vite më parë, Komuna e Vushtrrisë nën udhëheqjen e Ferit Idrizit ka shpenzuar 27 900 Euro nga buxheti i qytetarëve për blerjen e pajisjeve mjekësore laboratorike për QKMF Vushtrri.”
Meholli thotë se, megjithë këtë investim, pajisjet nuk janë vënë ende në funksion:
“Sot, pas pothuajse dy vitesh, këto pajisje – analizatorë, aparate biokimike, hematologjike e imunologjike – që do të duhej t’i shërbenin qytetarëve tanë, ende NUK JANË VËNË NË FUNKSION‼️”
Ai shton se këto pajisje janë lënë të pluhurosen nëpër depo, ndërsa qytetarët detyrohen të paguajnë dyfish për analiza:
“Në vend që këto pasije të shërbenin për analiza falas e të shpejta për qytetarët, ato janë lënë në harresë të pluhrosura nëpër depo, ndërsa njerëzit detyrohen t’i bëjnë analizat bazike në laboratorë privatë me kosto të larta.”
“Madje të njejtave paisje ju ka kaluar koha e garancionit dhe reklamacionit të paraparë me kontatën e blerjes!”
Në vijim, Meholli kujton reformën e tij të mëhershme në shëndetësi, duke theksuar regresin që sipas tij ka ndodhur nën udhëheqjen aktuale:
“Nga 4 laboratore dhe dhjetra analiza të punuara sa i trashegojë nga reformat që pata bërë në shëndetësi, Ferit Idrizi mbylli 3 laboratore (QMF 1, QMF 3 dhe QMF Lumadh) dhe përgjysmojë numrin e analizave që punohen.”
Ai këtë situatë e cilëson si dështim të rëndë dhe fton në llogaridhënie:
“Ky është një dështim i rëndë i Ferit Idrizit, një tregues i qartë i papërgjegjësisë së tij si kryetar dhe i keqmenaxhimit të parasë publike.”
Në fund, Meholli i drejton dy pyetje publike kryetarit të komunës:
“**1. Pse u shpenzuan mijëra euro për pajisje që sot nuk i shërbejnë askujt?
Kush e ka fajin që qytetarët e Vushtrrisë po paguajnë dyfish për analiza – edhe me taksa publike, edhe me mjete private?**”
Sipas tij, kjo nuk është vetëm një çështje financiare, por edhe një rrezik për shëndetin publik:
“Ky nuk është thjesht një skandal financiar. Është një goditje ndaj shëndetit të qytetarëve tanë.”
Duke rikujtuar një situatë të ngjashme të trashëguar më parë nga pushteti i PDK-së, Meholli shkruan:
“Për ata që kanë harruar në kohën që kam drejtuar shëndetësinë e Vushtrrisë të njejten situatë pata trasheguar nga pushteti i PDK-së. Pata gjetur në depo mbi 120 000 Euro paisje mjekësore e donacione që me vite kishin qëndruar në depo dhe i pata futur në funksion.”
“Historia po përseritet! Këta janë po ata që ishin, as nuk kanë ndryshuar as nuk janë reformuar.”
Postimin e përmbyll me një thirrje për ndryshim:
“Andaj kjo është arsyeja pse Vushtrria ka nevojë për një udhëheqje të re – të përgjegjshme, transparente dhe të përkushtuar për interesin publik.
Ndryshimi është jetik! Bashkë për Vushtrrinë!”