SKANDALOZE: KPMSHC rikthen në punë zyrtaren ligjore të Inspektoratit në MINT, e cila u largua pasi që u kap në flagrancë duke ua përpiluar ankesat kompanive të naftës
Lindita Rashiti, zyrtare ligjore në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), vitin e kaluar kishte bërë një gabim fatal, i cili do t’i kushtonte me humbjen e vendit të punës.
Në fakt, ky nuk ishte një gabim dosido, mirëpo ky gabim, të cilin znj. Rashiti e kishte bërë në mënyrë të pavetëdishme apo me pahir, zbuloi një skandal të përmasave të mëdha, në të cilin ishte e përfshirë në mënyrë të vetëdishme zyrtarja në fjalë.
KosovaNews merr vesh se znj. Rashiti ishte aktiviste e partisë NISMA, ajo ishte punësuar në MINT gjatë vitit 2019, në kohën kur këtë ministri e udhëheqte partia NISMA, e cila ishte në koalicion qeverisës PDK-AAK-Nisma (PAN) me kryeministër Ramush Haradinaj.
Zyrtarja ligjore e Inspektoratit, që trajtonte ankesat e kompanive të naftës për dënimet që merrnin nga Inspektorati i MINT, vetë ajo ua përpilonte ankesat!
Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, zyrtarja Ligjore e MINT, Lindita Rashiti, i kishte dërguar një e-mail eprorës së saj, Elma Krasniqi -U.D. kryeinspektore në Inspektoratin Qendror në MINT, ku kishte dashur t’i përcjellë një draft-vendim për trajtim të ankesës së kompanisë së naftës “Humolli S Petrol” SHPK . Mirëpo, në vend se t’i ngarkonte në atach draft-vendimin, Rashiti ia kishte bashkangjitur gabimisht ankesën e hartuar për operatorin ekonomik “Humolli S Petrol” SHPK (dokument në Word) të paprotokolluar dhe jo draft-vendimin, siç theksohej në titull dhe në përmbajtjen e e-mailit zyrtar.
Me të marrë këtë shkresë zyrtare, U.D. kryeinspektorja Elma Krasniqi e kishte kuptuar se zyrtarja ligjore ishte vetëzbuluar duke konkluduar se vetë ajo ua kishte shkruar ankesat e operatorëve ekonomikë. Menjëherë të nesërmen, më datë 3 dhjetor 2024, kryeinspektorja kishte parashtruar kërkesë për inicimin e procedurës disiplinore për nëpunësen civile znj. Lindita Rashiti – zyrtare Ligjore në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.
E kapur me “presh në dorë”, rastin e përpilimit të ankesës së operatorit ekonomik “Humolli S Petrol” zyrtarja ligjore e kishte pranuar vetë, duke qenë se provat ishin të pakontestueshme.
Prova ku tregohet se vetë zyrtarja ligjore e Inspektoratit ia kishte hartuar ankesën kompanisë “Humolli S Petrol”
Në dokumentet që ka siguruar KosovaNews, përmes kërkesës zyrtare në MINT, të bazuar në Ligjin për qasje në dokumentet publike, kemi pranuar me dhjetra faqe dokumentacion që dëshmojnë këtë rast skandaloz të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Pas mbledhjes së provave dhe intervistimit të dëshmitarëve, komisioni disciplinor në MINT fillimisht e kishte suspenduar nga puna, ndërsa më 7 maj të këtij viti përfundimisht kishte marrë vendim që ta largonte nga puna Lindita Rashitin, për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore, vendim ky që është i paraparë edhe në Ligjin për zyrtarët publikë.
“Nëpunëses civile, znj. Lindita Rashiti – zyrtare ligjore në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i shqiptohet masa disiplinore “largim nga shërbimi civil”, për shkak të shkeljeve të detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuar me nenin 56 paragrafi 4, nën-paragrafet 4.5, 4.6, 4.7, 4.8, 4.13 dhe 4.14 të Ligjit Nr. 08/L-197 Për Zyrtarët Publikë”, thuhet në pikën e parë të këtij vendimi.
Në arsyetimin e këtij vendimi komisioni disiplinor kishte renditur një varg shkeljesh, të cilat i kishte bërë znj. Rashiti gjatë punës së saj si zyrtare ligjore në Inspektoratin e Tregut në MINT, shkelje këto që përbënin edhe elemente të veprës penale.
Zyrtarja dyshohej që përveçse i kishte përpiluar ankesën, kishte bërë edhe falsifikim të nënshkrimit të pronarit të një qendre masazhi, i cili ishte arrestuar nga policia dhe ndodhej në burg për trafikim me qenje njerëzore.
Në mesin e shkeljeve që kishte bërë znj. Rashiti është edhe rasti skandaloz, ku ajo dyshohej se kishte falsifikuar nënshkrimin e një të arrestuari për trafikim me qenje njerëzore, i cili gjatë kohës sa ndodhej në burg kishte paraqitur ankesë në Inspektoratin e MINT. Këtë rast Inspektorati Qendror i Mbikqyrjes së Tregut e kishte konfirmuar përmes Policisë së Kosovës dhe menjëherë pas kësaj, në janar të këtij viti, ka bërë kallzim penal në polici dhe në prokurori.
“Lidhur me ankesën me numër të protokollit 5829/19, të datës 11.11.2024, për operatorin ekonomik “LIA THAI MASSAGE” L.L.C, ekziston edhe dyshimi i bazuar se nënshkrimi tek kjo ankesë nuk është i ankuesit/pronarit, sepse i njëjti nënshkrim nuk korrespondon, pra nuk është as për së afërmi i ngjashëm me nënshkrimin e ankuesit/pronarit ,siç edhe mund të verifikohet në kopjen e dokumentit të identifikimit të tij. Me datë 08.01.2025 në IQMT kemi pranuar një informacion jozyrtar, që ankuesi, përkatësisht pronari i subjektit ekonomik “LIA THAI MASSAGE” L.L.C, është i arrestuar për shkak të veprës penale të Trafikimit me Njerëz. Andaj, konform kompetencave ligjore sapo kam pranuar këtë informacion jozyrtar, kam komunikuar me Policinë e Kosovës lidhur me konfirmim të këtij informacioni. Nga Policia e Kosovës, me të njëjtën datë 08.01.2025, përmes formës elektronike, kemi pranuar konfirmimin e informacionit se pronari i biznesit ekonomik “LIA THAI MASSAGE” L.L.C ka qenë i përfshirë në një rast të Trafikimit me Njerëz në muajt nëntor/dhjetor dhe i njëjti është i arrestuar dhe është në paraburgim, përderisa data e ankesës së deponuar në Arkivën e MINT është 11.11.2024” , thuhet ndër të tjera në kallximin penal që është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj znj. Lendita Rashiti.
Sipas burimeve të KosovaNews brenda Policisë së Kosovës, rasti është hetuar nga Policia e krimeve ekonomike dhe tashmë është dorëzuar kallzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj zyrtares Lendita Rashiti.
KosovaNews javën e kaluar ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për të kërkuar sqarime se çfarë ka ndërmarrë Prokuroria Themelore për këtë rast, mirëpo Prokuroria nuk ka kthyer përgjigje as pas 5 ditësh.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KMSHC), me një vendim kontradiktor, e rikthen në vendin e punës zyrtaren, e cila gjatë punës ka bërë shkelje të rënda dhe vepra penale.
Pas gjithë këtyre shkeljeve flagrante, të cilat përbëjnë edhe vepra penale, znj. Rashiti kishte bërë ankesë më datë 26 maj në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil dhe, për çudi, zyrtarja e ministrisë e kishte fituar rastin.
Në vendimin e datës 23 korrik të këtij viti, KPMSHC, me kryetar të kolegjit Arben Mehmeti, ia kishte aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën znj. Rashiti.
“Aprovohet pjesërisht si e bazuar ankesa A.nr.966/2025, e datës 26.05.2025 e parashtruar nga ankuesja Lindita Rashiti, ashtu që aprovohet pretendimi ankimor i ankueses se me rastin e shqiptimit të masës disiplinore nuk është zbatuar drejtë parimi i proporcionalitetit dhe prarimi i individualizimit të masës disiplinore”, thuhet në pikën e parë të këtij vendimi
Ndërkohë në pikën e dytë të këtij vendimi të KMSHC-ja ia kishte refuzuar prentendimin ankimor znj. Rashiti, e cila kishte mohuar se kishte kryer shkelje të rënda disiplinore.
“Refuzohet pretendimi ankimor i ankueses si në ankesën e saj të datës 26.05.2025, se e njëjta nuk ka kryer shkelje të rënda disiplinore”, thuhet në pikën e dytë të këtij vendimi.
Ndërsa në pikën e tretë KPMSHC, e kishte ndryshuar vendimin e Komisionit Disiplinor të MINT, ku masën disiplinore për largim nga puna të znj. Rashiti dhe kishte marrë vendim vetë që t’ia zëvendësonte me masën disiplinore ”pezullimi nga pozita pa pagesë për gjashtë (6) muaj”.
Ndërsa e ka obliguar sekretarin e Përgjithshëm në MINT dhe Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore që të kujdeset për zbatimin e këtij vendimi, ashtu që ankuesen duhet ta kthejnë në vendin e saj të punës duke filluar nga data 14.08.2025. Pra, ka më shumë se dy javë që znj. Rashiti është kthyer në vendin e saj të punës, pas një vendimi të paprecedan të KMSHC-së madje duke mos e ndaluar ekzekutimin e këtij vendimi edhe pala e dërgon në gjykatë!
KPMSHC këtë vendim e ka arsyetuar në dhjetra faqe, duke përmedur një sërë ligjesh e nenesh, të cilat janë tërësisht të parëndësishme kur kihet parasysh faktin se Lendita Rashiti është zënë në flagrancë duke keqpërdorur pozitën zyrtare, për çka me të drejtë Komisioni Disiplinor e ka larguar nga puna, për shkak se ka kryer shkelje të rënda disiplinore, masë e cila është e paraparë edhe në Ligjin për zyrtarët publikë.
Por kush janë anëtarët e KPMSHC-së të cilët po i mbrojnë hapur shkelësit e ligjit, madje duke i rikthyer përsëri në vendin e punës, ku e kanë keqpërdorur detyren?
Në kohën kur qeveria Hoti ishte ende në detyrë, më 9 tetor 2020, Kuvendi i Kosovës kishte zgjedhur 5 anëtarë të KPMSHC-së: Eshref Shabani, Malsore Gashi-Bajraktari, Jeton Koca, Arben Mehmeti, Ardita Haxhnikaj-Demi.
Përzgjedhja e tyre në atë kohë ishte bërë kryesisht në baza partiake, duke e politizuar skajshmërisht këtë këshill, në të cilin kishte anëtarë e simpatizantë të PDK-së dhe të LDK-së.
Arben Mehemeti, i cili është kryetar i KPMSHC-së, por edhe kryetar i kolegjit në rastin e Lendita Rashitit deri në momentin e zgjedhjes si anëtar i KPMSHC-së, kishte qenë aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës duke mbajtur pozita të ndryshme në këtë parti. Ai kishte qenë sekretar i degës së LDK-së në Gjilan dhe në momentin kur ishte zgjedhur kishte dhënë dorëheqje nga LDK-ja, këtë vetë e kishte pranuar në një deklaratë publike.
Pas zgjedhjeve të reja të 14 shkurtit 2021, Kuvendi i Kosovës më 6 qershor, me shumicë votash, kishte shkarkuar pesë anëtarët e KPMSHC-së, mirëpo shkarkimin e tyre PDK-ja e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë më 15 dhjetor 2021 Gjykata Kushtetuese kishte shfuqizuar vendimin vendimin për shkarkimin e anëtarëve të KPMShCK-së nga Kuvendi.
Në 4 vitet e qeverisë Kurti, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka bërë një luftë të ashpër kundër vendimeve të qeverisë, duke i rikthyer në vendet e punës me dhjetëra zyrtarë publikë, të cilët kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, madje duke shkaktuar edhe vepra penale, siç është rasti i zyrtares së MINT.
Ky akt i “rehabilitimit” institucional është një grusht i rëndë për besueshmërinë e institucioneve dhe luftën kundër korrupsionit, sidomos në rastin kur një zyrtare kapet “me duar në mjaltë”, por përfundon sërish në të njëjtin post nga një vendim tejet kontradiktor i KPMSHC-së.