Paralajmërimi: BIA e pranishme, Kosova nuk duhet të bjerë në kurthin e Serbisë…
Policia e Republikës së Kosovës në vazhdimësi është duke gjetur sasi armatimi dhe materiale propaganduese serbe në Mitrovicë, të cilat janë një mesazh i qartë i luftës serbe ndaj shtetit të Kosovës.
E sipas Doktor Gurakuç Kuçit – Hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor, krejt këto tregojnë se strukturat kriminale serbe janë ende aktive në prapaskenë.
“Situata në veri të Kosovës nuk është as rastësore, as spontane. Është pjesë e një modeli të qëndrueshëm të luftës hibride të Serbisë kundër Kosovës. Arrestimet dhe konfiskimet e përditshme të armatimeve tregojnë se prapaskenat janë aktive. Serbia po e përdor pragun e zgjedhjeve lokale si një mjet politik dhe si terren për tensionim të kontrolluar. Ky nuk është thjesht kontekst zgjedhor, është armë hibride”, shprehet Kuçi.
Siç thotë ai, Beogradi po organizon serbët lokalë në një formë rezistence kundër shtetit të Kosovës.
“Kjo rezistencë nuk është e natyrshme, por e prodhuar përmes nacional-shovinizmit, blerjes së votës, shantazhit, manipulimit dhe kërcënimit. Qëllimi është i qartë: të shfaqet para botës një imazh i Kosovës si shtet i paqëndrueshëm dhe i pamundur për t’u qeverisur”, deklaron Kuçi.
Më tej, Kuçi deklaron se në Kosovë është e pranishme edhe BIA serbe përmes spiunëve të saj.
“Spiunazhi është në qendër të lojës. BIA dhe strukturat e tjera serbe janë të pranishme, duke synuar të neutralizojnë çdo zbulim ndaj operacioneve të tyre. Arrestimet e kosovarëve të pafajshëm janë instrument propagandistik: Beogradi krijon narrativën e “kërcënimit nga Kosova”, ndërkohë që realisht mbulon aktivitetet e veta agresive. Ky është diversion klasik i shërbimeve sekrete”.
“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën. Vuçiq po eksporton krizë për të mbijetuar politikisht brenda Serbisë. Me protesta studentore dhe presion social në Beograd, hapja e një vatër destabiliteti në veri i shërben për të rikthyer kontrollin. Është model autoritar i provuar: kur pushteti lëkundet nga brenda, prodho krizë jashtë”, shton Kuçi, sipas të cilit, për Kosovën, rreziku është real dhe i menjëhershëm.
“Çdo incident, edhe më i vogli, mund të kthehet në përplasje të orkestruar. Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të ruajnë qetësinë, të jenë të pranishme fuqishëm me forcat e rendit, por mbi të gjitha të ekspozojnë diplomatikisht dhe mediatikisht këtë strategji destabilizuese të Serbisë. Kosova nuk duhet të bjerë në kurthin e Serbisë. Serbia synon ta paraqesë veriun si zonë të paqeverisshme. Përgjigjja më e fortë është ligji, transparenca dhe zgjedhje të lira, të sigurta. Vetëm një proces zgjedhor i qetë e i ndershëm është goditja më e fortë kundër luftës hibride që Beogradi po zhvillon”, përfundon Gurakuç Kuçi – Hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor.