Marrëveshja Kosovë–Serbi në horizont: Analisti zbulon sinjalet kyçe
Ambasadori i Finlandës, Matti Nissinen, shprehet i bindur se Kosova është në rrugën e duhur drejt organizatave evropiane dhe euroatlantike.
Sipas tij, Kosova ka ende shumë për të bërë, po tashmë shumë gjëra janë bërë.
“Mendoj se Kosova ka bërë shumë, shumë gjëra tashmë. Ajo që dua të theksoj gjithmonë në këtë drejtim është bashkëpunimi dhe koordinimi i ngushtë brenda shoqërisë. Pra, kjo nuk është diçka që po bëhet vetëm përmes agjencive qeveritare, për shembull. Është një sektor që përfshin zyrtarë qeveritarë, por edhe komunitetin e biznesit, shoqërinë civile, median dhe të gjitha pjesët e shoqërisë për të qenë rezistentë dhe gjithashtu për të pasur ekspertizën e të gjithëve në këtë punë. Pra, shpresoj të shoh disa mekanizma të ngushtë koordinimi brenda Kosovës që të zhvillohen më tej në të ardhmen”, ka thënë në një intervistë për The Geopost, ambasadori Nissien.
Me përfundimin e mandatit diplomatik trevjeçar në Kosovë, Ambasadori i Finlandës, ka dhënë edhe mesazh për popullin e Kosovës, duke thënë se është i frymëzuar nga gjithë takimet dhe se duhet të vazhdohet në rrugën e drejtë.
“Mesazhi im është shumë pozitiv. Jam vërtet i frymëzuar nga të gjitha ato takime dhe takime që kam pasur gjatë mandatit tim. Besoj se Kosova është në rrugën e duhur drejt organizatave evropiane dhe euroatlantike. Dhe mesazhi im është thjesht të vazhdojmë në këtë rrugë të drejtë, të përqendrohemi në reformat shoqërore dhe, sa më shpejt të jetë e mundur, jam i lumtur ta shoh Kosovën si anëtare në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Dhe për qeverinë, mesazhi im është gjithmonë shumë i thjeshtë. Është, investoni në njerëz, investoni në arsim, kujdes shëndetësor, krijimin e vendeve të punës, etj. Ky model ka funksionuar në Finlandë, dhe nuk kam asnjë arsye të dyshoj se nuk do të funksionojë edhe në Kosovë”, ka shtuar ambasadori.
Eduard Gashi, analist politik, duke komentuar deklaratën e ambasadorit finlandez, thotë se mesazhi është i qarë dhe se Kosova tashmë e ka rrugën e hapur drejt BE-së dhe NATO-s.
“Deklarata e ambasadorit finlandez Matti Nissinen, në mbyllje të mandatit të tij në Prishtinë, nuk është thjesht një përshëndetje protokollare. Kur një diplomat evropian largohet duke thënë se Kosova është në rrugën e duhur drejt BE-së dhe NATO-s, kjo duhet lexuar si mesazh i qartë: rruga është e hapur, dera është gjysmë e çelur”, deklaron Gashi.
Sipas tij, merita është e popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj.
“Merita për këtë bindje është e shumëfishtë. Së pari, është meritë e popullit të Kosovës, i cili, pavarësisht plagëve të luftës dhe krizave të brendshme, ka treguar se i përket botës perëndimore. Është meritë e institucioneve që, mes sfidave e ngërçeve, kanë ruajtur stabilitetin. Por është edhe meritë e partnerëve ndërkombëtarë që nuk e kanë lënë Kosovën vetëm, duke e mbajtur gjithnjë në axhendën euroatlantike”, shton analisti.
I pyetur nga “Bota sot”, nëse deklarata e ambasadorit mund të nënkuptohet si skenar i qartë për marrëveshjen me Serbinë, Gashi thotë se diplomacia perëndimore nuk flet kot.
Sipas tij, skenari është i lexueshëm dhe se mesazhi është se Kosova nuk është më në pritje, por në marshim.
“Po kjo nënkupton një skenar të qartë për marrëveshjen me Serbinë. Diplomacia perëndimore nuk flet kot. Skenari është i lexueshëm: Serbia do të detyrohet të pranojë Kosovën de facto, duke mos e penguar në organizata ndërkombëtare; Kosova do të marrë garanci për integritetin e saj territorial dhe një rol më të madh të NATO-s në veri; ndërsa të dyja vendet do të shoqërohen me perspektivë evropiane më të prekshme. Ky është mesazhi: Kosova nuk është më në pritje, por në marshim. Dhe kur një mik si Finlanda e thotë hapur këtë, duhet kuptuar se Evropa tashmë e sheh Kosovën si pjesë të saj. Sfida e radhës është që Kosova të mos humbasë ritmin”, përfundon Gashi.