“Gjykata Kushtetuese pjellë e tradhtisë Thaҫi-Mustafa, të zgjidhet një gjykatë e re, me gjyqtarë me integritet të lartë moral dhe kombëtar”
Ditë më parë kryeministri Albin Kurti ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimet që po merr karshi situatën politike në Kosovë, se po funksionon si një hije politike e opozitës.
Kjo deklaratë e Kurtit ndaj kësaj gjykate vjen kur ende si gjyqtarë janë pesë nga ata që janë zgjedhur në vitin 2018, kur në pushtet ishte koalicion PAN me Listën Serbe.
Veprimet e kësaj gjykate a mund të cilësohen si qëllime për të bllokuar formimin e qeverisë Kurti 3?
Lidhur me këtë ҫështje, ka folur për ‘Bota sot’ profesori universitar, Prof.dr. Eshref Ymeri. Ai në këtë rast ka sqaruar punën dhe detyrimet e kësaj gjykate.
“Dihet që Gjykata Kushtetuese i përket degës gjyqësore të pushtetit shtetëror dhe, si një organ i posaçëm, ka për detyrë të ushtrojë kontroll kushtetues, dhe në kompetencat e saj përfshihet vlerësimi i përputhjes së normave juridike të Kushtetutës, domethënë zbatimi i kontrollit gjyqësor kushtetues. Në dallin nga të gjitha gjykatat e tjera, Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të shfuqizojë një ligj ose një akt tjetër normativ juridic, në rast se e vlerëson atë si jo kushtetues”, vlerëson profesor Ymeri.
Duke u bazuar tek deklarata e kryeministrit Kurti, ai thotë se ka plotësisht të drejtë, pasi kjo gjykatë është vetëm ‘pjellë e tradhtisë së partisë thaçiste, në bashkëpunim me argatin e Hashim Thaçit – Isa Mustafën’.
“Pra, në rastin e Republikës së Dardanisë në situatën e tanishme, Kryeministri Albin Kurti ka plotësisht të drejtë kur e vlerëson Gjykatën Kushtetuese si një hije të opozitës, e cila, siç dihet nga të gjithë qytetarët e Republikës së Dardanisë me vetëdije të lartë kombëtare, s’është gjë tjetër, veçse pjellë e tradhtisë së partisë thaçiste, në bashkëpunim me argatin e Hashim Thaçit – Isa Mustafën”, vlerëson ai.
Profesor Ymeri ndër të tjera thotë se, përderisa Gjykata Kushtetuese është zgjedhur në kohën kur ishte në pushtet Hashim Thaçi me bandën e tij, domosdo që ajo është e rreshtuar pranë opozitës së sotme, e cila mundohet të sabotojë qeverisjen e Vetëvendosjes për interesat e Serbisë fashiste.
“Një Gjykatë e tillë, me pesë gjyqtarë të opozitës tradhtare thaçiste, duhet të shkrihet me një vendim të posaçën të Kuvenditt të Republikës së Dardanisë dhe të zgjidhet një Gjykatë e re Kushtetuese, e përbërë nga gjyqtarë me integritet të lartë moral dhe kombëtar”, thotë ai.