OPINIONTË FUNDIT

“Dorë e zgjatur e Vuçiqit dhe instrument strategjik i Serbisë”/ Analistët alarmojnë për Listën Serbe

Më 30 gusht, nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha, kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.

E gjatë javës së kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.

Sipas Kushtetueses, pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit – “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit”.

E Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media ka deklaruar se funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës nuk duhet të bllokohet nga mungesa e një nënkryetari, duke kritikuar Listën Serbe se po “synon” ta bllokojë formimin e institucioneve të vendit.

Sipas Osmanit, Kuvendi nuk mund të bllokohet për një nënkryetar.

“Në rrethana kur bllokohet puna e Kuvendit, përkundër faktit që kryesia ka kuorum, pamundësohet ushtrimi i sovranitetit. Bllokimi i Kuvendit për mos përzgjedhjen e një nënkryetari, përderisa kryesia ka kuorum, do t’i cenonte në mënyrë serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar republika jonë. Përderisa kemi kryetar, ka kuorum dhe kryesi, Kuvendi nuk duhet të bllokohet. Pozita që i takon komunitetit serb mbetet për komunitetin serb. Askush nuk do ta zërë atë vend, ai do të plotësohet në një seancë të radhës”, tha presidentja, Vjosa Osmani.

E analistë dhe njohës të zhvillimeve politike në vend, theksojnë se me veprimet e fundit në Kosovë po tentohet faktorizimi i Listës Serbe, e cila haptas dihet se është dorë e zgjatur e Beogradit dhe Aleksandar Vuçiqit.

Tentimi i Listës Serbe për ta mbajtur peng Kosovën

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca, thotë se në Kosovë po shihet një përpjekje e hapur për ta faktorizuar Listën Serbe, sikur pa të nuk funksionon shteti i Kosovës.

ImageMirsad VocaFoto galeri
“Por kjo është një narrativë e rrezikshme, sepse Lista Serbe nuk është parti normale politike. Ajo është dorë e zgjatur e Beogradit dhe instrument i Aleksandar Vuçiq-it për ta mbajtur Kosovën peng. Është absurde që Kuvendi dhe institucionet tona të mbeten të bllokuara vetëm sepse një strukturë e kontrolluar nga Beogradi nuk pranon të bashkëpunojë. Kushtetuta është e qartë: Kuvendi është i konstituuar sapo është zgjedhur kryetari dhe janë verifikuar mandatet e deputetëve”, deklaron Voca.

Sipas tij, në Kosovë duhet të bëhet delegjitimimi i Listës Serbe, e cila vepron nën direktivat e Vuçiqit.

“Pra, Lista Serbe nuk ka të drejtë kushtetuese ta bllokojë Kosovën. Kjo është vetëm një narrativë politike që vjen nga Beogradi dhe, fatkeqësisht, amplifikohet edhe nga opozita jonë. Për këtë arsye, në vend që të faktorizohet, Lista Serbe duhet të delegjitimohet. Një subjekt që bashkëpunon me struktura kriminale, që mbron aktorë si Milan Radojçiq, organizatori i sulmit terrorist në Banjskë, nuk mund të shihet si partner demokratik. Përkundrazi, duhet të trajtohet si organizatë që cenon rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës”, shpjegon Voca.

“Koha është që politika në Kosovë të shohë përtej Listës Serbe. Ne kemi serbë qytetarë lojalë ndaj shtetit, figura si Nenad Rashiq apo të tjerë, që janë gati të kontribuojnë për një Kosovë funksionale dhe shumetnike. Këta duhet të fuqizohen, jo të sabotohet rruga e tyre për shkak të presionit të Beogradit. Prandaj, pyetja nuk është më si ta përfshijmë Listën Serbe, por pse vazhdojmë t’i japim legjitimitet një strukture që punon kundër shtetit tonë? Për Kosovën, është jetike të dallohet mes serbëve që duan të jetojnë të barabartë këtu dhe Listës Serbe që do ta shohë Kosovën të dështojë. Ky dallim është çelësi i stabilitetit dhe i së ardhmes sonë evropiane”, përfundon Mirsad Voca për “Bota sot”.

Faktorizimi i Listës Serbe

Kurse analisti Zejnullah Jakupi për “Bota sot” tregon disa nga fajtorët pse, sipas tij, po faktorizohet sot Lista Serbe.

“Pyetja prek një nga temat më të ndjeshme dhe komplekse në politikën e Kosovës – rolin dhe funksionimin e Listës Serbe si subjekt politik që përfaqëson shumicën e serbëve në Kosovë, por që shpesh shihet si instrument i Beogradit, më saktë i Aleksandar Vuçiqit. Zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare në Kosovë- Nëse ka zgjedhje të parakohshme ose të rregullta, Lista Serbe dhe Beogradi duan të garantojnë se do të vazhdojnë të kenë kontroll absolut mbi përfaqësimin e komunitetit serb. Kjo është thelbësore për Vuçiqin për të mbajtur ndikimin politik në Kosovë, por edhe për të ruajtur narrativën e “mbrojtjes së serbëve” për opinionin e brendshëm në Serbi. Presioni ndërkombëtar për të rifilluar dialogun- BE dhe SHBA po kërkojnë normalizim të marrëdhënieve. Kjo nënkupton funksionalizim të institucioneve të Kosovës me përfshirje të komunitetit serb. Faktorizimi i Listës Serbe është mënyra që Beogradi të ketë një “levë” të fuqishme në këtë proces. Kompensimi për humbjen e ndikimit pas krizës në veri- Pas dorëheqjeve të organizuara të serbëve nga institucionet e Kosovës në vitin 2022 dhe krizës në veri (përfshirë edhe sulmin terrorist në Banjskë 2023), pozita e Listës Serbe u godit rëndë ndërkombëtarisht. Faktorizimi tani është përpjekje për të rehabilituar veten si “aktor legjitim””, shprehet Jakupi.

ImageZejnullah JakupiFoto galeri
Por a duhet të shpallet e paligjshme në Kosovë një parti politike si Lista Serbe?

“Kjo është çështje serioze dhe ndërlidh disa parime themelore: PRO shpalljes së paligjshme: Lidhjet me shtetin serb dhe Vuçiqin, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ndihmon strukturat paralele ilegale. Retorikë e rrezikshme dhe destabilizuese, sidomos në kohë tensioni. Përkrahje e dhunës ose e aktorëve që veprojnë kundër rendit kushtetues të Kosovës. Roli në mbështetjen indirekte të grupeve kriminale në veri, të cilat pengojnë sovranitetin dhe funksionimin e ligjit. KUNDËR shpalljes së paligjshme: Mund të perceptohet si sulm ndaj komunitetit serb në Kosovë, jo vetëm ndaj një partie, gjë që do të ishte kundër frymës së Kushtetutës dhe të drejtave të pakicave. Do të përkeqësonte më tej marrëdhëniet me Serbinë dhe mund të çonte në pasoja të paparashikueshme në Mitrovicë. BE dhe SHBA nuk do ta mbështesnin këtë veprim, për shkak të fokusit të tyre në stabilitet dhe dialog. Një ndalim formal mund të krijojë një version “të rebrenduar” të të njëjtës parti me të njëjtët njerëz, por me më pak mundësi për kontroll institucional nga Prishtina”, shton Jakupi, i cili tregon masat që duhet të merren ndaj Listës Serbe.

“Në vend të shpalljes së paligjshme, disa masa të mundshme janë: Hetime të thelluara për lidhjet e saj me grupet kriminale dhe terroriste (duke përfshirë çështjen e Banjskës). Zbatimi strikt i ligjeve për financimin e partive politike dhe për ndalimin e ndikimit të jashtëm në zgjedhje. Inkurajimi i pluralizmit brenda komunitetit serb, që të mos ketë monopol të vetëm nga një parti e kontrolluar nga Beogradi. Dialog i drejtpërdrejtë me qytetarët serbë në veri dhe jug, pa ndërmjetësimin e Listës Serbe”

Për fund, Jakupi deklaron se Lista Serbe nuk është vetëm një parti politike – është instrument strategjik i Serbisë për të ruajtur ndikimin në Kosovë.

“Por shpallja e saj e paligjshme do të ishte hap i rrezikshëm dhe me pasoja të mëdha. Prishtina duhet të veprojë me mençuri: të ruajë ligjshmërinë, por edhe të mos japë pretekste për tensione të reja. Në vend të përjashtimit arbitrar, duhet ndjekur rruga ligjore dhe ndërtimi i një alternative reale politike për serbët e Kosovës”, përfundon analisti Zejnullah Jakupi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *