Kurti e Peci në ‘Hardh Fest’ vizituan prodhuesit vendor të verërave
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë, Faton Peci, kanë vizituar festivalin tradicional ‘Hardh Fest” i cili po mbahet në komunën e Rahovecit.
Në festivalin me sloganin “Për Kokërr t’Qefit”, Kurti e Peci vizituan stadet e prodhuesve vendorë të verërave dhe produkteve tjera të rrushit.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, të shoqëruar nga deputetë të Kuvendit dhe kolegë, vizituan mbrëmë festivalin tradicional “Hardh Fest”, që mbahet në Komunën e Rahovecit. Ata bashkë vizituan stadet e prodhuesve vendorë të verërave dhe produkteve tjera të rrushit, të cilët i falënderoi për punën e tyre dhe cilësinë e lartë të produkteve që prodhojnë. Kryeministri gjithashtu përgëzoi organizatorët për organizimin dhe sukseset e festivalit”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Krahas promovimit të produkteve vendore të rrushit, përgjatë festivalit 3-ditor “Hardh Fest” u organizuan edhe aktivitete të shumta sociale, kulturore dhe artistike, përfshirë koncertet muzikore me artistë të njohur.