Kryeziu i shkruan Memlit dhe Lumirit: Duhet të mbrojmë Kosovën, jo të mbesim peng i Listës Serbe
Juristi Kadri Kryeziu ka reaguar me një letër publike drejtuar Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut, duke shprehur shqetësimin e tij për trajtimin e parashtresës së Listës Serbe nga Gjykata Kushtetuese.
Ai tha se çështja nuk është procedurale, por një betejë juridike për “vetë shpirtin e Republikës”, duke paralajmëruar se një interpretim i gabuar mund ta kthejë pakicën serbe në një strukturë vendimtare për bllokimin e institucioneve.
Kryeziu u bëri thirrje liderëve politikë të reflektojnë përtej barrikadave partiake dhe të mbrojnë interesin shtetëror.
Shkrimi i plotë:
Të dashur Memli dhe Lumir,
edhe pse e di shumë mirë kush është Gjykatësi Llaban, pra i di në mikro detaje lidhjet e tij të mbrapshta me Radojiqiçin dhe Beogradin, përsëri e kam mbrojtur integritetin e Gjykatës Kushtetuese kur Vjosa dhe Albini e patën sulmuar atë shkaku i këtij gjykatësi. E kam konsideruar që një shqetësim e problem kaq të madh, Presidentja nuk duhet ta trajtojë me konferenca për shtyp, prandaj edhe dola në mbrojtje të Gjykatës.
Por sot, si po shkojnë gjërat në lidhje me parashtresën e Listës Serbe, kjo Gjykatë vërtet është bërë për t’u kritikuar.
Si jurist pajtohem me ju kur i kundërshtoni kritikat e Albin Kurtit që ai i ka për aktgjykimet që kanë kthyer disa ligje të shtyra para nga qeveria e tij. Si çdo shqiptar tjetër, edhe Albin Kurti e ka problem ta pranojë që Gjykata nuk mund të ketë faj pse qeverisë së tij thjesht i duhen juristë më të mirë që do të hartonin ligje më të mira.
Por, po ashtu si jurist dhe, në të gjithë modestinë time, edhe si një atdhetar i dëshmuar, sot jam me mish e me shpirt në anën e kritikës, brengës dhe alarmit që Glauk Konjufca artikuloi të dielën derisa fliste për parashtresën e Listës Serbe.
Ju e keni të drejtën e gjithë botës të dyshoni që Albini dhe Glauku edhe mund mos të jenë të sinqertë në artikulimin e kritikave dhe brengave të tyre, por ky është një moment kur duhet të reflektojmë përtej barrikadave partiake.
Ju lutem që ta lexoni dhe, bashkë me juristët tuaj, me shumë kujdes ta analizoni letrën time publike drejtuar edhe juve, si liderë politik të këtij vendi, dhe aty do ta kuptoni tërë kompleksitetin e brengës sime.
Të jeni të sigurt që beteja juridike rreth parashtresës aktuale të Listës Serbe nuk është për çështje procedurale nëse nënkryetarët duhet zgjedhur në pako apo veçmas, me praktika të reja apo të mëhershme. Ato gjëra tani janë triviale sepse kjo betejë tashmë është transformuar në një betejë juridike për vetë shpirtin e Republikës.
E konsideroj si shumë kritike që në deponimet tuaja, që ju si grupe parlamentare do t’i dërgoni në Gjykatën Kushtetuese, ta bëni të qartë dallimin në mes të pjesës procedurale rreth zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit dhe pavlefshmërisë së pretendimit të Listës Serbe që nëse nuk zgjidhet nënkryetari serb me automatizëm bllokohet konstituimi i Kuvendit.
Nuk kemi vuajtur, gjakuar, sakrifikuar dhe vdekur për këtë shtet që me një vendim gjykate, bazuar në interpretime tërësisht të gabuara, ta gradojmë pakicën serbe si një superstrukturë KINGMAKER brenda Republikës sonë.
Sot, më shumë se kurrë, është e domosdoshme që energjia e dashurisë sonë për Kosovën të jetë shumë më e madhe se energjia e inateve dhe mos durimit që kemi me njëri tjetrin.
Me besim e shpresë që do të më kuptoni drejt,
sinqerisht e vëllazërisht,
Kadri Kryeziu.