POLITIKATË FUNDIT

Alarm nga Drizan Shala: Serbia po përdor banka, transport e institucione si maskë për spiunazh në Kosovë

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka komentuar rastin e fundit në Mitrovicën e Veriut, ku Policia e Kosovës ka konfiskuar një automjet me targa të Serbisë, të pajisur me kamera profesionale, DVR dhe sistem monitorimi.

Sipas tij, ky nuk është një incident i zakonshëm, por një tregues i qartë i avancimit të metodave të inteligjencës serbe në Kosovë.

Shala theksoi se përdorimi i automjeteve si platforma mobile për observim paraqet një fazë të re të operacioneve serbe, të cilat nuk synojnë vetëm qytetarët, por edhe institucionet shtetërore dhe lëvizjet e zyrtarëve të sigurisë.

Ai ngriti shqetësimin se fakti që vetura ishte në pronësi të “Narodna Banka Srbije”, dikur e përdorur për transport parash, mund të jetë një mbulesë civile e përdorur për aktivitete operative të inteligjencës.

Shkrimi i plotë:

Makina e kapur në veri – sinjal për sofistikimin e metodave të inteligjencës serbe ndaj institucioneve të Kosovës

📍Rasti i fundit në Mitrovicën e Veriut, ku Policia e Kosovës ka konfiskuar një automjet me targa të Serbisë të pajisur me kamera profesionale, DVR dhe sistem monitorimi, nuk është thjesht një shkelje e ligjit për automjete dhe privatësi. Në thelb, ky është një indikator i qartë se strukturat e sigurisë serbe po tentojnë të avancojnë metodat e tyre të mbledhjes së informacioneve në territorin e Kosovës.

📍Nëse më herët përdorimi i kamerave dhe mjeteve të tjera ishte i kufizuar kryesisht në ndërtesa statike apo në ambiente të caktuara, ky rast tregon një fazë të re: përdorimin e objekteve mobile (makina, furgona, autobusë) për observim dhe monitorim të akseve kryesore, institucioneve shtetërore dhe lëvizjes së zyrtarëve të sigurisë.

❗️Fakti që vetura në fjalë është deklaruar si pronë e “Narodna Banka Srbije” dhe ka qenë e përdorur më herët për transportimin e parave, ngre dyshime se kemi të bëjmë me një mbulesë civile dhe institucionale për aktivitete operative. Kjo përputhet me modelet hibride të Serbisë, ku përmes strukturave financiare, fetare, mediale ose të transportit, maskohen operacionet e inteligjencës.

⚠️ Çfarë tregon ky rast?

✅️ Adaptim i metodave serbe – nga observimi statik drejt përdorimit të platformave mobile, të cilat janë më të vështira për t’u detektuar.

✅️ Fokus tek institucionet kosovare – observimi nuk ka të bëjë vetëm me qytetarë të zakonshëm, por me rrugë kyçe, objekte institucionale dhe lëvizjet e sigurisë.

✅️ Kombinim i mbulesave civile – përdorimi i emrit të një banke tregon një përpjekje për të shmangur dyshimet dhe për të krijuar legjitimitet fals në Kosovë.

Mekanizmi i sigurisë ka vepruar drejt duke e trajtuar rastin me masa ligjore dhe duke përfshirë Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Megjithatë, rasti kërkon një qasje të re strategjike, sepse tregon se Serbia do të vazhdojë të sofistikojë veprimet e saj asimetrike në Kosovë, duke përdorur forma gjithnjë e më të maskuara të inteligjencës.

Mesazhi për publikun duhet të jetë i qartë se ky nuk është një incident i zakonshëm, por një paralajmërim që institucionet e sigurisë duhet të forcojnë monitorimin ndaj aktiviteteve të dyshimta, sidomos në veri, ku përpjekjet e Serbisë për të ruajtur kontrollin informativ janë të përhershme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *