TË FUNDIT

Siguria në rrezik/ Elezi: Grupet kriminale në Kosovë po mbështeten nga Beogradi dhe Moska

Zhvillimet e fundit në Mitrovicë dhe komunat tjera me shumicë serbenë Kosovës kanë rikthyer në vëmendje rrezikun e vazhdueshëm që paraqesin grupet kriminale dhe strukturat paralele.

Sipas autoriteteve të Kosovës, këto grupe mbështeten nga Serbia dhe Moska.

Pas bastisjeve të Policisë së Kosovës në Leposaviq, ku u gjetën armë, municion dhe materiale propagandistike me slogane që mohojnë shtetësinë e Kosovës, ekspertët e sigurisë kanë paralajmëruar për mundësi reale të destabilizimit.

Në një prononcim për “Bota sot”, njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në Mitrovicë, duke përshirë këtu edhe konfiskimin e armëve në Leposaviq.

Ai theksoi se ky është një tjetër shembull i përpjekjeve të Serbisë, në bashkëpunim me Moskën, për destabilizimin e Kosovës përmes grupeve kriminale.

Bedri EleziFoto galeri
“Rasti i Leposaviqit, ku Policia e Kosovës, pas një bastisjeje, ka arritur të sigurojë armë, municion, bluza me slogane dhe mbishkrime të ndryshme si “Kosova është Serbi”, “Kosova është zemra e Serbisë” dhe materiale të tjera propagandistike, mund të konsiderohet si një sinjal apo paralajmërim serioz për zhvillime të pasigurta në Republikën e Kosovës, veçanërisht në komunat me shumicë serbe, posaçërisht në katër komunat veriore të Mitrovicës.

Ky rast, ashtu si shumë raste të tjera, është një vazhdimësi e përpjekjeve të Serbisë për të mbështetur, përmes veprimeve apo kërkesave të Beogradit dhe Moskës zyrtare, destabilizimin e vendit. Kjo përbën një tregues të qartë se Serbia, përmes grupeve kriminale në Kosovë, po vazhdon angazhimet e saj që ndikojnë negativisht në sigurinë.

Ne jemi dëshmitarë se në të gjitha rastet kur Policia e Kosovës ka kryer bastisje në zona të ndryshme, posaçërisht në veri të vendit dhe në Mitrovicë, janë siguruar mjete të ndryshme, përfshirë edhe ato luftarake dhe armë të ndryshme”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Elezit ka theksuar se ekziston një rrezik real që grupet kriminale dhe terroriste të organizojnë veprime që cenojnë sigurinë në Kosovë.

Ai ka kujtuar edhe raste të mëparshme, përfshirë ato para incidentit në Banjskë, si sinjale të qarta që lidhen me zhvillime të ndikuara politikisht.

“Ky fakt, padyshim, na bën të besojmë se ekziston mundësia reale që këto grupe kriminale e terroriste të organizojnë veprime që rrezikojnë sigurinë. Prandaj, duhet ndërmarrë veprime të duhura, fillimisht për të arrestuar personat që merren me aktivitete të tilla dhe më pas për t’i vendosur përpara drejtësisë, me qëllimin që të gjithë ata që synojnë të mbështesin këto aktivitete ta kenë të qartë se do të përgjigjen para ligjit për veprat penale që janë duke i kryer.

Kemi pasur raste edhe para incidentit në Banjskë, kur kemi parë veprime të tilla që mund të konsiderohen si paralajmërime, të cilat lidhen me zhvillime politike”, është shprehur ai.

Në fund, Elezi ka zbuluar se çfarë bën Serbia, gjatë periudhave të ndjeshme në Kosovë.

Pamë që Serbia, në vazhdimësi, kur jemi afër situatave si zgjedhjet lokale apo veprime të tjera të ngjashme, përpiqet të nxisë apo angazhojë një pjesë të komunitetit serb, duke i përdorur këto raste si mënyrë për të promovuar interesa që ajo i konsideron të dobishme.

Ne besojmë se, edhe në këtë rast, ky lloj veprimi ka ndikuar drejtpërdrejt te qytetarët serbë, disa prej të cilëve janë të gatshëm apo mund të jenë të gatshëm për të mbështetur veprime që bien ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe që janë të sanksionuara nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës, si dhe që përbëjnë veprime armiqësore që hyjnë në kuadër të veprave të terrorizmit”, ka përfunduar Elezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *