TË FUNDIT

“Politika dyfytyrëshe e Perëndimit dhe kërcënimi i Vuçiqit: Aleanca shqiptare, mburoja e paqes në Ballkan”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të mërkurën se pjesëmarrjen e tij në paradën ushtarake në Pekin e shfrytëzoi për të identifikuar pajisjet dhe armatimet që mund të blihen për nevojat e ushtrisë serbe, me qëllim që ajo të mbetet një “faktor parandalues ndaj çdo agresori të mundshëm nga fqinjësia”.

Në një konferencë për gazetarët në Pekin, Vuçiq u shpreh se formimi i një aleance ushtarake mes Prishtinës, Zagrebit dhe Tiranës nuk ka të bëjë me vende si Austria, Hungaria apo Sllovenia, por drejtpërdrejt me Serbinë. “Ata e bënë atë kundër Serbisë”, tha ai, duke i cilësuar këto veprime si kërcënim për sigurinë e vendit të tij.

Deklaratat e Vuçiqit vijnë në një kohë të tensionuar në Ballkan, ku raportet ndërmjet Serbisë dhe shteteve fqinje, veçanërisht Kosovës, mbeten të ndjeshme.

Ai nënvizoi se blerja e armatimeve dhe modernizimi i ushtrisë janë të nevojshme për të mbrojtur sovranitetin dhe për të ruajtur një balancë ushtarake në rajon.

Rexhepi: Vuçiqi prej Kinës flet për armiq e për “aleanca kundër Serbisë”, vetëm për me mashtru popullin e vet

Ish-hetuesi, Agim Rexhepi në një pronocim për “Bota sot”, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq nga Kina po flet për armiq e aleanca kundër Serbisë vetëm për të mashtruar opinionin e brendshëm.

Sipas tij, Serbia ka qenë agresore në Ballkan dhe ende ndjek politikat e vjetra të Millosheviqit.

“Vuçiqi prej Kinës flet për armiq e për “aleanca kundër Serbisë”, vetëm për me mashtru popullin e vet. Ai mundohet me e paraqitë Serbinë si viktimë, por e vërteta është krejt ndryshe: Serbia ka qenë agresori në Ballkan, dhe ende sot nuk po e heq dorë prej politikave të vjetra të Millosheviqit.

Kosova, Shqipëria e Kroacia nuk kanë nevojë me u marrë me Serbinë, përveç kur ajo tenton me na kërcënu. Ne duam paqe, zhvillim e të ardhme më të mirë për qytetarët tanë. Armatosja e Serbisë dhe kërcënimet e Vuçiqit janë provë se ai ende po mendon me gjuhën e luftës, jo të paqes”, thotë ai.

Tutje, ai thotë se Vuçiq të merret me problemet e Serbisë, e të mos kërkojë armiq jashtë.

“Albin Kurti e ka thënë qartë: Kosova nuk është kërcënim për askënd, por nuk pranon më as me u nënçmu, as me u frikësu. Ne jemi shtet i pavarur, me miq të fortë ndërkombëtarë, dhe nuk kemi frikë nga propaganda e Beogradit. Populli i Kosovës ka vuajtur mjaft nga Serbia dhe nuk pranon kurrë më të kthehet pas.

Pra, mesazhi është i thjeshtë: Vuçiq le të merret me problemet e Serbisë, le të ndalë korrupsionin e autoritarizmin atje, e të mos kërkojë armiq jashtë. Kosova është e lirë dhe e fortë, dhe me Albin Kurtin ne jemi më të bashkuar se kurrë”, thekson ai.

Tahiraj: Si është e mundur që viktima shekullore e Serbisë, që ka kaluar madje edhe nëpër gjenocidshfarosëse, të dënohet, ndërsa xhelati të shpërblehet?

Në lidhje me këtë temë, veprimtari Saim Tahiraj, thotë se Serbia vazhdon të ruajë aleancën tradicionale me Rusinë, gjë që ngjall shqetësim për destabilitet në rajon.

Ai kritikon gjithashtu qëndrimin e Perëndimit, i cili, në vend që të reagojë ndaj orientimit të qartë pro-rus të Serbisë, zgjat një trajtim të butë, duke ngritur pyetje mbi interesat e vërteta pas kësaj tolerance.

“Pjesëmarrja e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në paradën ushtarake në Pekin tregoi edhe njëherë rreshtimin e tij krah Rusisë, Kinës dhe shteteve të tjera që kanë ndërtuar një aleancë bllokuese kundër NATO-s.

Maskimi i së vërtetës me deklarata boshe

Vuçiq e arsyetoi këtë vizitë duke thënë se kishte shkuar për të shqyrtuar mundësinë e blerjes së armatimit për ushtrinë serbe, me qëllim që ajo të shërbejë si “faktor parandalues” ndaj agresionit të mundshëm nga shtetet fqinje. Por ky është vetëm një maskim i së vërtetës. Të tentosh ta mbulosh realitetin me deklarata boshe është naivitet, sepse e vërteta tashmë është krejtësisht e zhveshur në sytë e botës.

Serbia dhe aleanca e saj tradicionale

Rreshtimi i Serbisë krah Rusisë është i pritshëm dhe i njohur. Ajo që është e papranueshme është mënyra e trajtimit nga Perëndimi: tolerimi, përkëdhelja dhe shpesh edhe favorizimi i Serbisë. Pyetja që lind natyrshëm është: cili është interesi i Perëndimit të shkojë kaq larg në këto tolerime, kur dihet qartë se Serbia është pjesë e boshtit ruso-kinez?”, shprehet ai.

Tutje Tahiraj, deklaron se qasja e BE-së mes Kosovës dhe Serbidë është e pabarabartë. Ndërsa Kosova, një aleat i palëkundur i Perëndimit, përballet me sanksione dhe presion për lëshime të reja, Serbia – agresori historik – shpërblehet ose trajtohet me tolerancë.

Sipas tij, kjo qasje bie ndesh me parimet themelore të drejtësisë dhe vlerave demokratike që BE-ja pretendon të përfaqësojë.

Kosova nën sanksione, Serbia e shpërblyer

“Në anën tjetër, Kosova – aleati më besnik i Perëndimit në rajon – ndodhet nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe nën presion për lëshime të reja ndaj Serbisë, përtej planit të Ahtisaarit. Si është e mundur që viktima shekullore e Serbisë, që ka kaluar madje edhe nëpër gjenocide shfarosëse, të dënohet, ndërsa xhelati të shpërblehet? Një qasje e tillë nuk përkon me vlerat demokratike evropiane”.

Aleanca mbrojtëse shqiptare

Saim TahirajFoto galeri
Ky qëndrim dyfytyrësh i BE-së po e shtyn kombin shqiptar drejt krijimit të aleancave të reja ushtarake. Aleanca Shqipëri–Kroaci–Kosovë nuk është krijuar për të sulmuar askënd, por për t’u mbrojtur nga kërcënimi real i ushtrisë serbe, e cila çdo ditë provokon Kosovën në forma të ndryshme. Sulmi terrorist në Banjë, në veri të Kosovës, është dëshmi e qartë e këtij rreziku. Dhe si reagoi BE-ja? Në vend që ta ndëshkonte Serbinë, sanksionoi sërish viktimën – Kosovën”, thekson ai.

Në fund thotë se Vuçiq është lider, i paqëndrueshëm dhe i prirur ndaj politikave përçarëse në rajon.

Sipas tij, Vuçiq vepron vetëm nën presion dhe përbën një kërcënim real për paqen në Ballkan.

Më tej, nënvizon se aleanca e Serbisë me Rusinë dhe Kinën nuk është vetëm sfidë rajonale, por një rrezik serioz për sigurinë globale. Serbia, ndonëse shtet i vogël, po shërben si instrument i fuqive autoritare për të zgjeruar ndikimin e tyre në Evropë.

Vuçiq, një diktator i rrezikshëm

“Deklaratat e Vuçiqit janë jo serioze dhe pasqyrojnë fytyrën e një politikani të paqëndrueshëm, diktatorial ndaj popullit të vet dhe të rrezikshëm për rajonin. Ai njeh vetëm gjuhën e forcës. Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë qasjen ndaj tij, sepse rreziku i një lufte të re në Ballkan është permanent.

Një rrezik për sigurinë globale

Aleancat e reja të Serbisë krah Rusisë dhe Kinës paraqesin kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare. Ky pion i vogël në Ballkan është bartës i drejtpërdrejtë i këtij rreziku dhe nuk mund të trajtohet më me indiferencë nga Perëndimi.

Është koha që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të ndalojnë politikën e dyfishtë në Ballkan. Nuk mund të ketë paqe e stabilitet duke dënuar viktimën dhe duke shpërblyer agresorin. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj destabilizuese, ndërsa Kosova të trajtohet si aleat i barabartë dhe i respektuar. Çdo tolerim ndaj Vuçiqit dhe aleancave të tij me Moskën e Pekinin do të ketë pasoja jo vetëm për Ballkanin, por për mbarë sigurinë evropiane e globale”, përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *