POLITIKATË FUNDIT

Kurti: Katër muaj e gjysmë vonesë, fajtorë pesë gjyqtarët e emëruar nga PAN-i

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka shprehur kritika të ashpra ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e akuzuar për vonesa të pajustifikueshme në procesin e konstituimit të Kuvendit të ri të Kosovës pas zgjedhjeve të fundit.

Sipas Kurtit, nga katër muaj e gjysmë që nga fillimi i seancës së konstituimit në mes të prillit, e deri te zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit dhe Albulena Haxhiut si nënkryetare, së bashku me dy nënkryetarë nga PDK dhe LDK dhe me përfaqësuesen e komuniteteve jo-shumicë, Emilja Rexhepin, në fund të muajit gusht, tre muaj janë humbur për shkak të vendimmarrjes së vonuar të Gjykatës Kushtetuese.

“Tre muaj janë vonesë e Gjykatës Kushtetuese. Një muaj e gjysmë u morën me ankesën e AAK-së dhe po aq me ankesën e PDK-së dhe LDK-së. Pra, dy të tretat e kësaj kohe kemi qenë në pritje të një vendimi nga Gjykata,” deklaroi Kurti. Ai theksoi se opozita ishte ajo që iu drejtua gjykatës, ndërkohë që Vetëvendosje kishte dëshirë për bashkëpunim, konsultime konstruktive dhe marrëveshje politike.

Kryeministri në detyrë e lidhi vonesën me përbërjen aktuale të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se shumica e gjyqtarëve janë emëruar në vitin 2018, gjatë qeverisjes së koalicionit PAN me mbështetjen e Listës Serbe.

“Që nga viti 2018, shumëçka ka ndryshuar në Kosovë. Ne kemi fituar zgjedhjet tri herë radhazi – në vitet 2019, 2021 dhe 2025 – por përbërja e Gjykatës ka mbetur e njëjtë, sikur të ishte ende viti 2018,” u shpreh ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *