TË FUNDIT

Kadri Kryeziu me letër të hapur për Lumir Abdixhikun: “Padituria kushton, Rugova po rrotullohet në varr”

Kadri Kryeziu, organizatori i demonstratave të 11 marsit 1981, ish-deputet dhe ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese, i është drejtuar me një letër të hapur kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut. Në këtë reagim, ai polemizon ashpër me qëndrimet e LDK-së pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për masën e përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Në shkrimin e publikuar në Facebook, Kryeziu akuzon Abdixhikun dhe drejtues të tjerë të LDK-së për “naivitet të rrezikshëm për shtetin” dhe për “tentim të instalimit të një logjike multietnike në përmbajtjen e shtetit të Kosovës”.

“Nga i parëndësishëm në super i rëndësishëm”

Sipas Kryeziut, insistimi që Kuvendi nuk mund të quhet i konstituar pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve, përfshirë atë serb, e ka shndërruar një post formal në një çështje kyçe për shtetin. “Në momentin që ju dolët dhe thatë se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët, ky post i parëndësishëm u bë super i rëndësishëm. Dhe si i tillë, Serbisë ia jep të gjitha fitoret që as në ëndërr nuk i sheh dot”, shkruan ai.

Paralajmërimi për “bosnjëzim”

Kryeziu paralajmëron se një praktikë e tillë rrezikon të çojë Kosovën drejt modelit të Bosnjës, ku funksionimi i institucioneve varet nga vetoja e përfaqësuesve të komuniteteve. Sipas tij, themeluesit e shtetit të Kosovës gjatë procesit të Ahtisarit kanë bërë çmos për të shmangur një skenar të tillë.

Kritika për Gjykatën Kushtetuese

Në letrën e tij, ai kritikon edhe gjyqtarët e Kushtetueses:

“Edhe Gjykata Kushtetuese ka kufizime. Dispozitat themelore nuk interpretohen. Nëse aprovohet një aktgjykim që del nga kornizat e tyre, është një hile juridike me qëllim përmbysjen e parimit më themelor të shtetit. Pra, është një akt i rëndë tradhtie që nuk do të falet kurrë.”

“Rugova po rrotullohet në varr”

Letra mbyllet me tone të ashpra ndaj kryetarit të LDK-së:

“Padituria vërtet kushton, prandaj Ibrahim Rugova sot po rrotullohet në varr.”

Në fund, Kadri Kryeziu përkujton edhe biografinë e tij si një nga figurat kyçe të viteve ’80 e ’90, pjesëmarrës në UÇK, bashkëhartues i Kushtetutës dhe nënkryetar i parë i Gjykatës Kushtetuese

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *