Mesazhi i fshehur pas grafiteve në Mitrovicë: Kush flet për Kosovën jashtë?”
Në mbrëmjen mes 2 dhe 3 shtatorit, në pjesën veriore të Kosovës janë shfaqur grafite me përmbajtje të hapur kërcënuese ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në njërën nga parullat e shkruara në mure, thuhej: “Me të aguar, Albin Kurti do të jetë i vdekur”, duke e bërë mesazhin të qartë dhe të drejtpërdrejtë.
Këto grafite kanë ngjallur shqetësim, pasi konsiderohen si një formë presioni dhe kërcënimi politik në një zonë tashmë të ndjeshme, ku shpeshherë janë shfaqur shenja tensioni dhe provokime.
Profesori Kolë Krasniqi në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar grafitet që ndodhën ditë më parë në Mitrovicë.
Ai thotë se grafitet nacionaliste, parullat kërcënuese dhe rastet me armë në veri nuk janë akte të rastësishme, por veprime të menduara strategjike.
Sipas tij, qëllimi i tyre është të komprometohet ndërkombëtarisht Kosova, duke e paraqitur çdo masë legjitime të institucioneve të sigurisë si represion ndaj komunitetit serb, në shërbim të propagandës serbe e ruse.
“Shkrimi i parullave nacionaliste, vendosja e grafiteve kërcënuese dhe rastet e zbulimit e konfiskimit të armëve në pjesën veriore të Kosovës nuk janë thjesht akte sporadike. Ato përbëjnë veprime të menduara strategjike me synimin e qartë: komprometimin ndërkombëtar të institucioneve shtetërore të Kosovës.
Çdo herë që organet e sigurisë ndërmarrin masa për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, këto veprime interpretohen nga qarqe të caktuara qeveritare dhe nacionaliste serbe e ruse si “dhunë sistematike e policisë së Kurtit ndaj komunitetit serb”. Në këtë mënyrë, masat legjitime shtetërore të Kosovës propagandohen në arenën ndërkombëtare si represion, me qëllim të minimit të imazhit ndërkombëtar të Kosovës”.
Tutje, thotë se më këtë veprim synohet forcimi i unitetit të serbëve në Kosovë dhe rritja e besimit të tyre tek Beogradi e strukturat paralele, duke shtuar se këto veprime krijojnë narrativë të rrezikshme për legjitimimin e rezistencës ndaj institucioneve të Kosovës, duke ushqyer tensione dhe pasiguri në veri.
“Përmes grafiteve dhe parullave të tilla, synohet të forcohet ndjenja e unitetit dhe fryma patriotike e komunitetit serb në Kosovë, si dhe të rritet besimi i tij ndaj qeverisë së Serbisë dhe strukturave paralele që ende veprojnë në veri. Po ashtu, krijohet një narrativë e rrezikshme se në Kosovë ekziston një strukturë e organizuar që vepron kundër shtetit, duke tentuar të legjitimohet rezistenca e tyre ndaj institucioneve kosovare.
Ky skenar shërben për të ushqyer tensione të vazhdueshme dhe për të mbajtur veriun si zonë të pasigurt, gjë që dëmton jo vetëm rendin juridik e sigurinë publike, por edhe procesin e integrimit euroatlantik të Kosovës. Në plan më të gjerë, ai është pjesë e një lufte hibride të Beogradit dhe Moskës për ta penguar konsolidimin e shtetësisë së Kosovës”, shprehet Krasniqi.
Në fund, ai bënë thirrje që institucionet e Kosovës ta ruajnë rendin me profesionalizëm, pa rënë pre e propagandës, derisa thotë se, komuniteti ndërkombëtar duhet të lexojë drejt zhvillimet në veri.
“Në këtë kontekst, është jetike që institucionet e Kosovës të veprojnë me kujdes: të ruajnë rendin dhe ligjin me profesionalizëm e proporcionalitet, duke mos u bërë pre e narrativës propagandistike. Po aq e rëndësishme është që komuniteti ndërkombëtar të lexojë drejt këto zhvillime dhe të mos bjerë pre e interpretimit të njëanshëm.
E ardhmja dhe stabiliteti i Kosovës nuk influencohen e as nuk përcaktohen përmes grafiteve kërcënuese, por përmes dialogut, respektimit te rendit kushtetues dhe ligjit si dhe integrimit të barabartë të të gjitha komuniteteve ne shoqerine kosovare. Padyshim se integrimi i Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian janë garanca më e qëndrueshme për paqe dhe stabilitet në rajon!” – përfundon ai për “Bota sot”.