Kërkohet vazhdimi i dialogut, analistët e shohin si të pamundur
Kërkohet vazhdimi i dialogut, analistët e shohin si të pamundur
Politika
Kërkohet vazhdimi i dialogut, analistët e shohin si të pamundur
Hava Orana XhukolliNga Hava Orana Xhukolli Më 6 shtator 2025 Në ora: 20:04
Foto galeri
ArkivBerisha: BE-ja ka filluar të zbusë masat kufizuese ndaj Kosovës, ndërsa NATO e bën të qartë se siguria është prioritetMakolli: Edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme janë më të favorshme sesa situata aktuale, pa institucione legjitime
Kosova ndodhet në krizë të brendshme politike që nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti.
Që nga kjo datë, Kosova ende nuk ka arritur formimin e institucioneve të reja, duke u bllokuar kështu edhe në shumë procese tjera.
Një ndër to është edhe dialogu i nisur me Serbinë që nga viti 2011. Dialogu po ashtu ka stagnuar dhe kohët e fundit ka pasur tentative edhe nga ndërkombëtarët për të vazhduar me këtë process.
Kosova derisa është në pritje të një qeverie të re, konsistuimit të Kuvendit, a mund të vazhdojë me dialogun si e tillë?
Fejzulla Berisha: Dialogu Kosovë–Serbi është në “komë politike”
Profesori universitar, Fejzulla Berisha, e ka quajtur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë “një proces në komë politike”, duke theksuar se pas më shumë se një dekade ky dialog ka mbetur pa rezultate konkrete.
“Dialogu ka nisur në vitin 2011 dhe ka kaluar përmes shumë fazave, nga marrëveshjet teknike e politike, deri te ajo e Ohrit në mars 2023. Por sot, ky proces është i bllokuar, i reduktuar në menaxhim krizash, jo në normalizim përfundimtar,” tha Berisha.
Ai vlerëson se stagnimi është pasojë e disa faktorëve.
“Takimet janë të rralla, shpesh ndikuar nga tensionet në veri dhe incidentet me komunitetin serb. Marrëveshja e Ohrit mbeti e parealizuar, sidomos për shkak të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që shihet ndryshe nga Kosova dhe Serbia. Për më tepër, institucionet e Kosovës pas zgjedhjeve ende nuk janë të konsoliduara, gjë që e pengon vendimmarrjen,” u shpreh ai.
Berisha e sheh situatën e Kosovës si paradoksale.
“Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 100 shtete, por dialogu me Serbinë, që do të duhej ta konsolidonte këtë shtetësi, është i ngrirë.”
Sa i përket rolit të bashkësisë ndërkombëtare, ai tha se BE-ja dhe NATO-ja po përpiqen të ringjallin procesin.
“BE-ja ka filluar të zbusë masat kufizuese ndaj Kosovës, ndërsa NATO e bën të qartë se siguria është prioritet. Edhe SHBA-të mbeten faktor vendimtar, duke kërkuar pragmatizëm nga Prishtina për të mos u perceptuar si palë penguese.”
Sipas tij, shembujt ndërkombëtarë si Bosnja pas Dejtonit, Irlanda e Veriut pas Marrëveshjes së të Premtes së Mirë apo Sudani Jugor, dëshmojnë se pa angazhim global dhe vullnet politik të brendshëm, proceset mbesin të papërfunduara.
“Dialogu nuk mund të ecë përpara pa konstituimin e institucioneve të Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare duhet të kalojë nga menaxhimi i krizave në qasje të normalizimit final. Njohja reciproke duhet të jetë synimi i vetëm, përndryshe do të mbetemi me një proces pa fund,” theksoi Berisha.
Gjithashtu, profesori sugjeroi që Kosova të aktivizojë diplomacinë akademike dhe publike.
“Duhet përdorur ekspertiza e juristëve, historianëve dhe instituteve për të forcuar pozitën ndërkombëtare. Përndryshe, ekziston rreziku që dialogu të ngjajë me rastin e Bosnjës – një paqe e ngrirë, pa perspektivë reale,” përfundoi ai.